Shpëtimi nga Ndotja Shihet te Efiçienca e Energjisë

Konsorciumi Kosovar i Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID) në konferencën e organizuar të mërkurën publikoi punimin “Efiçienca për Zhvillim: ekonomiksi i efiçiencës së energjisë në Kosovë”.

Visar Azemi nga ky konsorcium tha se politikat energjetike kosovare duhet të jenë të lidhura me kursimin e energjisë.

“Politikat në sektorin e efiçiencës së energjisë janë shumë të nevojshme. Në Kosovë mund të arrihet shumë me zbatimin e masave efiçiente”, shprehu bindjen  Azemi.

Në anën tjetër, Jetëmira Berisha, që prezantoi punimin në emër të KOSID-it,  tha se ekonomitë familjare edhe ashtu të varfra të Kosovës shpenzojnë rreth 100 euro në muaj për të blerë energji.  

Sipas saj, shpenzimi më i madh i energjisë elektrike ndodh gjatë muajve të dimrit, pasi që shumë shtëpi nuk kanë izolim të duhur, andaj energjia humbet shpejt.

Sipas KOSID-it rreth 70 për qind të shtëpive në Kosovë janë të paizoluara.

“Nëse ne arrijmë të bëjmë një shtëpi më efiçiente, automatikisht do të zvogëlojmë faturat mujore të energjisë elektrike, zvogëlim i garantuar për shkak se kjo është provuar në vendet perëndimore”, tha ajo.

Rinora Gojani nga INDEP-i nënvizoi edhe një përfitim nga izolimi i shtëpive-hapjen e vendeve të reja të punës në sektorin e ndërtimtarisë.

“Në këtë mënyrë do të shfrytëzoheshin edhe lëndët e para që do të përdoreshin për izolim.  Izolimi në vazhdimësi do të krijonte vende pune, sepse shtëpia e izoluar duhet prapë pas një kohe të izolohet”, tha Gojani.

Jetëmira Berisha përmendi edhe një të mirë të efiçiencës së energjisë.

“Efiçienca e energjisë ndikon edhe në standardin e jetës, sepse nëse zvogëlojmë konsumin e energjisë elektrike përfitojmë nga dekarbonizimi i Kosovës. Në këtë mënyrë Kosova nuk do të ketë nevojë të prodhojë dhe shpenzojë energji në mënyrë të pakontrolluar dhe kështu do të ruhej ambienti dhe shëndeti i qytetarëve”, sqaroi ajo.

Energjia në Kosovë përfitohet gati tërësisht nga termocentralet me djegie linjiti që janë shumë të dëmshëm për shëndetin.

Në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik thonë se vetëm efiçienca e energjisë dhe fondi për efiçiencë nuk mjaftojnë për furnizim të qëndrueshëm me energji.

“MZhE-ja dhe Qeveria e Kosovës, në vazhdimësi kanë investuar në efiçiencën e energjisë dhe ndërtimin e kapaciteteve të reja të prodhimit të energjisë, andaj konsiderojmë se edhe ndërtimi i një fondi nacional për efiçiencën e energjisë, sipas të gjitha studimeve, nuk do të mund që ta arrinte përmbushjen e kërkesave për energji të vendit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të kësaj ministrie.