Sfidat e heshtura të nënave gjidhënëse

Për mjekët dhe nënat njësoj, gjidhënia qëndron në një pozitë të pasigurt në mes të neglizhencës institucionale dhe paragjykimit shoqëror, duke mbetur një nga çështje shëndetësore me financimin me të ulët në Kosovë.

Tetë muaj më parë, Dardane Mehmeti u bë nënë për herë të parë. Por ishin ditët dhe javët e para të gjidhënies që ajo i përshkruan si stresuese dhe të dhimbshme.

Që nga fillimi, ajo e ushqeu foshnjën e saj me qumësht gjiri dhe me qumësht formulë dhe vazhdoi me këtë kombinim derisa fëmija u bë pesë muajsh.

Mehmeti mendoi se nuk ka qumësht të mjaftueshëm për ta ushqyer mirë djalin e saj, dhe spitali privat ku lindi nuk e udhëzoi në atë fillim të hershëm dhe e la të papërgatitur për atë që e priste kur doli nga spitali.

“Ndjeva presion kur u ktheva në shtëpi”, tha ajo.

Këshilla që si kërkoja nga çdo vizitore se si ta ushqej, veshi, laj dhe ta vë në gjumë djalin, biseda rreth besëtytnive, përgjithësimi i përvojave të grave në lindje dhe amësi, mungesa e intimitetit. Edhe pse e bënin me qëllim të mirë, tha Mehmeti, e tëra ishte e tepërt për ta përballuar.

“Mendoj se presioni më bëri që mos të kem qumësht mjaftueshëm”, tha ajo.

Shëndeti emocional i nënave dhe përkrahja institucionale në gjidhënie janë nocione dhe vlera të reja për familjet në Kosovë. Ekziston tendenca që nënat t’i ndajnë në dy kategori gjatë këtij debati: gratë që mund të ushqejnë me gji, dhe ato që nuk munden dhe përdorin qumësht formulë.

Ato që përdorin formulë zakonisht konsiderohen jo të shëndetshme apo të lazdruara që e kanë bërë këtë zgjedhje pasi që konsiderohet më e lehtë.

Gjidhënia është proces i ndërlikuar, sidomos në javët e para, dhe shumë faktorë duhet të merren parasysh kur diskutohet si çështje e shëndetit publik dhe si çështje personale.

Mergime Batusha, pediatre në QKUK dhe eksperte e certifikuar për laktacion, shpjegoi realitetin kompleks dhe sfidues të nënave gjatë javëve të para pas lindjes.

Sipas saj, gjithçka fillon me gjendjen e përgjithshme të dobët të nënës menjëherë pas lindjes, e cila në kombinim me mungesën e informacionit se si ta ushqej foshnjën me gji, mund të shkaktoj probleme dhe t’i detyroj ato të kalojnë në formulë.

“Disa nëna mund të kenë lindur me prerje cezariane, mund të kenë pasur ndërhyrje epiziotomike, disa mund të kenë anemi, dhe ndërhyrje të tjera. Ato kanë nevojë për kohë që të shërohen dhe kjo mund të paraqes vështirësi në gjidhënie menjëherë pas lindjes” shpjegoi Batusha.

Mungesa e njohurisë te nënat se si ta ushqejnë foshnjën me gji është një faktor tjetër i rëndësishëm që mund t’i detyrojë ato të përdorin formulë.

Megjithatë, ajo theksoi se pa marrë parasysh se sa i madh mund të jetë problemi, nëse nëna merr ndihmën e duhur profesionale për laktacion, dhe ka përkrahje nga familja, ajo mund t’i tejkaloi sfidat dhe ta ushqej foshnjën me gji.

Krenare Imeraj, nënë e një vajze 18 muajshe, tha se një përkrahje e tillë është jashtëzakonisht e rëndësishme, veçanërisht në javët e para të gjidhënies.

“Javët e para ishin shumë stresuese. Majat i kam pasur të sheshta dhe vajza ime nuk mund ta kapte gjinin si duhej,” tha ajo.

“Por nëna ime, infermiere në departamentin e pediatrisë në QKUK, me ndihmoi t’i kaloj vështirësitë. Ajo më ka inkurajuar nonstop dhe ka insistuar që ta ushqej vajzën me gji. E tillë duket kërkesa për mbështetje profesionale. Duhet me e njoftë dikë në departamentet e shëndetësisë për të marrë këshilla dhe ndihmën për të cilën ke nevojë”.

Nexhmije Gori, infermiere në klinikën neonatologjike në Prishtinë, argumenton se gjidhënia nuk është prioritet për sektorin e shëndetit publik në Kosovë.

Ajo ka bërë anketë me nënat dhe punonjësit shëndetësorë dhe ka rënë në përfundim që nënat nuk marrin mbështetjen e duhur institucionale. Komunikimi në mes të institucioneve shëndetësore është i dobët, dhe numri i punonjësve shëndetësorë të trajnuar në laktacion është shumë i ulët, si dhe ka mungesë të përkrahjes dhe grupeve avokuese për gjidhënie. Poashtu, mungojnë programet dhe literatura në gjuhën shqipe për informim të duhur dhe ngritje të vetëdijës.

Tutje, Gori theksoi se këshillimoret janë domosdoshmëri themelore që nënat duhet t’i kenë në dispozicion, por ato janë të pakta në numër dhe nuk mund t’i mbulojnë nevojat e të gjitha nënave.

“Për shkak të kushteve të vështira ekonomike në vendin tonë, për nënat një përkujdesje e tillë nuk mund të jetë prioritet”, tha ajo.

“Shpesh ato detyrohen ta gjejnë zgjidhje vet sesa të vrapojnë pas ndihmës profesionale”.

Kjo neglizhencë institucionale dhe mungesë e përkrahjes në gjidhënie ka rezultuar që aktivistët, mjekët dhe individë të tjerë së bashku të krijojnë platforma online për të nxitur ushqyerjen me gji dhe për të ndihmuar nënat të tejkalojnë sfidat e tyre.

Fitesa Asllani është avokuese e gjidhënies. Ajo është aktualisht në proces të certifikimit për laktacion nga ‘Le Leche League’, OJQ jofitimprurëse që organizon trajnime edukative dhe avokuese në lidhje me gjidhënien.

Asllani është themeluese dhe drejtuese e grupit “Lidhja për Gjidhënien – Përkrahim Nënat” në Facebook. Në bazë vullnetare, ajo së bashku me një grup të nënave dhe ekspertëve mjeksorë ofrojnë informacion dhe këshilla për nënat që kërkojnë ndihmë.

Sipas Asllanit, mundësia për të vënë nënat në kontakt të drejtpërdrejtë me profesionistët shëndetësorë të cilët janë poashtu anëtarë të përkushtuar të grupit është ndër qëllimet kryesore të grupit.

“Duhet të them se si grup, ne jemi shumë të kujdesshëm kur nënat kërkojnë ndihmën tonë. Rastet që ne i konsiderojmë si më të ndërlikura, i referojmë tek profesionistët dhe ja vlen të përmendet përkrahja dhe gadishmëria që kemi nga mjekët, infermieret, faramacistet”, tha ajo.

Pediatri Ismail Lutolli nga Kosova, por që jeton dhe punon aktualisht në Sarajevë, është anëtar aktiv dhe kontribues i grupit “Lidhja për Gjidhënien – Përkrahim Nënat” si dhe themelues i një grupi tjetër në Facebook “Familja dhe Shëndeti”.

Sipas Lutollit, grupi shërben si referencë kryesore profesionale për nëna dhe anëtarë të familjes me artikuj informativ, video prezantime, si dhe pyetje-përgjigje në lidhje me gjidhënien dhe kujdesin ndaj nënave.

“Mund të them me siguri absolute se më shumë se 95% e nënave që kanë kërkuar ndihmë profesionale në grupin tonë kanë arritur të kapërcejnë sfidat e tyre dhe të vazhdojnë të ushqejnë me gji foshnjat e tyre”, tha ai.

Ngjashëm sikurse pediatrja Mergime Batusha, Lutolli këmbënguli që është një përqindje shumë e vogël e nënave që nuk mund të japin gji. Me ndihmën e duhur profesionale, bashkë me vullnetin e nënave si dhe me mbështjetjen e familjes së saj, pothuajse çdo nënë është në gjendje t’i ushqejë fëmijët e tyre me gji.

Lutolli theksoi që një kombinim i tillë është i rrallë në Kosovë dhe kjo është arsyeja pse nënat heqin dorë vazhdimisht nga gjidhënia.

“Sipas anketës më të fundit nga UNICEF dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës, ushqyerja me gji në Kosovë po shënon rënie dramatike. Mosha mesatare e bebeve që ushqehen vetëm me gji është dy muaj, ndërsa gjatë muajit të katërt dhe të pestë më pak se 21 përqind e tyre ushqehen vetëm me gji”, tha Lutolli.

Asllani theksoi shqetësimet e tyre lidhur me promovimin e qumështit formulë. Reklamat janë të pranishme në barnatore, madje edhe në hapësirat e QKUK, pavarësisht nga fakti që është e ndaluar me ligj në mënyrë që ky marketing dhe promovim të mos i dekurajojnë nënat e reja nga gjidhënia.

Asllani shpjegoi se prodhuesit dhe shpërndarësit e qumështit formulë kanë arritur sukses në promovimin e tyre sepse paguhen mirë dhe punojnë me shpejtësi. Lutolli, në anën tjetër, vuri në dukje faktin që edhe pediatrit nuk hezitojnë të këshillojnë nënat që të kalojnë në formulë kur ato ankohen për një problem me gjidhënie.

“Një fakt i tillë nuk meriton koment, por në të njëjtën kohë kuptojmë se edhe përfaqësuesit shëndetësorë kanë nevojë të kuptojnë më thellë dhe në mënyrë rrënjësore procesin e gjidhënies dhe dobive që rrjedhin prej saj,” shtoi ai.

Korniza ligjore e Kosovës mbulon dhe mbështet në mënyrë të qartë gjidhënien. Ligji për Mbrojtjen e të Ushqyerit me Qumësht Gjiri përkrah gjidhënien por kufizon marketingun e qumështit formulë dhe produkteve të ngjashme në lidhje me gjidhënien dhe ushqimin shtesë për foshnjat. Neni 5 i Ligjit i mbron në mënyrë të veçantë nënat që punojnë, duke u lejuar atyre të përdorin dy orë gjatë orarit të tyre të plotë për të ushqyer me gji foshnjat e tyre nën një vjeç, dhe një orë për nënat me foshnje njëvjeçare e tutje.

Ariana Selmani, nënë e një dy vjeçareje, tregoi se gjatë periudhës kur ishte nënë gjidhënëse, ishte në dijeni për të drejtat e saj ligjore. Ajo tha se si Zyrtare për Prokurim dhe Administratë në një OJQ lokale, njohja e Ligjit të Punës dhe legjislacionit relevant është pjesë e punës së saj.

“Për tu siguruar rreth zbatimit të Ligjit për mbrojtjen e të ushqyerit me qumësht gjiri në sektorin tonë si një OJQ, i kam dërguar shkresë Ministrisë së Shendetësisë për konfirmim, dhe me lejen e punëdhënësit kam shfrytëzuar pushimin prej dy orëve për ta ushqyr vajzën me qumësht gjiri. Kjo ka vazhduar derisa vajza i ka mbushur një vjet, dhe pastaj kam shfrytëzuar vetëm një orë ashtu siç e thotë edhe ligji.”, tha ajo.

Megjithatë, ka shumë nëna që punojnë por që nuk janë në dijeni për ligjin në fjalë dhe nuk kërkojnë të drejtat e tyre ligjore, veçanërisht në sektorin privat.

Merita Vuthaj, shefe e Divizionit për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës në Ministrinë e Shëndetësisë, e konfirmoi këtë fakt dhe tha se kanë pranuar kërkesa nga gratë që kërkojnë ndihmë për interpretim të ligjit.

Asllani tha se e përdorin grupin në Facebook si një hapësirë ​​për tua rikujtuar nënave vazhdimisht të drejtave të tyre ligjore, dhe shumë prej tyre as që janë në dijeni që ky ligj ekziston.

“Ne inkurajojmë nënat që të konsultohen me punonjësit e tyre, dhe nëse refuzohen u sugjerojmë që t’i drejtohen Ministrisë së Shëndetësisë, Divizioni për Shëndetin e Nënës dhe Fëmijës, tha Asllani. “Zbatimi i ligjit do të rezultojë në promovim më të mirë të qumështit të gjirit dhe marketing të dobët të qumështit formulë, sepse aktualisht po ndodh e kundërta dhe pediatrit po u rekomandojnë nënave qumështin shtesë sapo të kthehen në punë”.

Profesionistët e kujdesit mjekësorë u pajtuan që përkrahja institucionale dhe mobilizimi që arrin tek nënat në mënyrë gjithëpërfshirëse është kyç për të inkurajuar gjidhënien dhe përkrahur këtë proces të rëndësishëm.

Vuthaj tha se vizitat shtëpiake për nëna dhe fëmijë ka filluar në 14 komuna.

“Plani është që të shtrihen në të gjitha komunat deri në fund të vitit 2019. Vizitat synojnë të ndihmojnë nënat me gjidhënie dhe kujdesin për foshnjat e tyre dhe veten e tyre. Vizitat bëhen sipas standardeve të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë”, tha Vuthaj.

“Shtatë vizita duhet të realizohen derisa fëmija të jetë tre vjeç”, vazhdoi ajo. “Nga shtatë, dy vizita duhet të ndodhin derisa nëna është shtatzënë, vizita e tretë duhet të zhvillohet gjatë tri ditëve të para pas lindjes dhe katër të tjerat derisa fëmija të arrij moshën tre vjeçare”.

Kur profesionistët shëndetësor në përgjithësi pyeten nëse nënat rome, ashkalike dhe egjiptiane marrin trajtim të njëjtë sikurse nënat shqiptare, përgjigjja është zakonisht “po”. Por Bajramshaha Shala, asistente e mamisë e punësuar në The Ideas Partnership, një OJQ që mes tjerash merret me fuqizimin e komuniteteve jo-shumicë, jep më shumë detaje që e dëshmojnë një realitet tjetër.

“Pse ju të komunitetit po lindni kaq shumë fëmijë?” është pyetja ofenduese që stafi mjekësor ua bënë nënave,” tha Shala.

Por qasjet diskriminuese nuk janë të vetmet çështje me të cilën ballafaqohen këto nëna. Shala thekson se problemet me të cilat ballafaqohen nënat rome, ashkalike, egjiptiane pas lindjes, janë themelore, duke filluar nga mungesave e barnave, rrobave pë foshnje, pampersave, pecetave sanitare dhe artikujve të tjerë higjienikë, e deri tek problemi i nënave të mitura që nuk dinë se si të kujdesen për foshnjat e tyre.

Ngjashëm, Lutolli beson se këto nëna kanë nevojë për ndihmë shtesë.

“Këto komunitete shpesh ballafaqohen me luftën për mbijetesë për shkak të kushteve dhe rrethanave të vështira materiale. Rrjedhimisht, e fundit që ju bjen ndërmend është aspekti shëndetësor”, tha ai.

“Kjo është arsyeja pse shteti i Kosovës dhe institucionet përkatëse duhet të ndërmarrin hapa konkrete për këto komunitete”.

Asllani ka shpresë që qasja në ndihmë profesionale për laktacion është e mundur për të gjitha nënat, pavarësisht gjendjes së tyre ekonomike apo vendit ku jetojnë.

“Kosova është një vend i vogël dhe një mobilizim i thjeshtë do të mbulonte të gjithë territorin dhe çdo nënë do të kishte qasje në ndihmë kudo që jeton”, përfundoi ajo.