Përparësitë e gjidhënies në 6 muajt e parë pas lindjes së bebes

Organizata e cila merret me mirëqenien e fëmijëve në vendet në zhvillim UNICEF po e shënon javën e gjidhënies edhe në Kosovë.

Me shumë aktivitete dhe në bashkëpunim edhe me institucionet e vendit UNICEF-i ka bërë një kampanjë për ngritjen e numrit të nënave gjidhënëse.

Dafina Zuna nga zyra e UNICEF-it në Kosovë tha për KALLXO.com se janë një varg aktivitetesh që janë paraparë të realizohen për këtë javë.

Sipas saj nga një hulumtim përqindja e nënave gjidhënëse në Kosovë nuk është më shumë se 40 përqind.

“Anketa e Grupimeve të Treguesve të Shumëfishtë (MICS) ka treguar se vetëm 40 përqind e fëmijëve nën moshën 6 muajshe ushqehen vetëm me qumësht gjiri. Praktika e gjidhënies ekskluzive bie në 16 përqind për komunitetet rom, ashkali dhe egjiptas në Kosovë”, tha Zuna.

Ajo tha se nëpër institucione dhe nëpër rrugë janë vendosur posterë të nënave gjidhënëse në mënyrë që të dërgohet informata te secili qytetar.

“Të gjitha aktivitet janë të organizuara në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë. Kërkesa për vendosje të posterëve është procesuar përmes Ministrisë së Shëndetësisë. Përveç aktiviteteve në terren, Zyra e UNICEF-it në Kosovë ka përdorë edhe një mënyrë tjetër për të komunikuar me publikun dhe për të ngrit vetëdijen te popullata për rëndësinë e gjidhënies. Në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, njërin nga stacionet e autobusëve e kemi shfrytëzuar për të vendosë informata rreth gjidhënies”, tha ajo.

UNICEF-i promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që bëjmë. UNICEF, me partnerët e ndryshëm është aktiv në 190 vende, duke bërë përpjekje të posaçme për t’i arritur fëmijët më të cenuar dhe të përjashtuar, në dobi të të gjithë fëmijëve.