Prishtina 63 Milionë € Buxhet për Vitin 2013

Deputetët e Kuvendit Komunal të Prishtinës aprovuan të enjten Buxhetin e Komunës së Prishtinës për vitin 2013 dhe Kornizën Afatmesme Buxhetore 2013-2015. Deputeti i Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja, ka kërkuar që të bisedohet për arrestimin e Sami Hamitit, por s'është përfillur.

Buxheti komunal për vitin 2013 arrin shumën e 63 milionë 371 mijë e 731 euro, bën të ditur Komuna e Prishtinës nëpërmes një njoftimi për shtyp.

Kryetari i Prishtinë, Isa Mustafa, ka thënë se buxheti komunal është hartuar me koordinim me të gjitha subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvend. Sipas tij, hartimit të këtij buxheti i ka paraprirë një debat i gjerë me qytetarë, me ç’rast janë marrë parasysh kërkesat dhe sugjerimet e tyre.

Në këtë mbledhje të Kuvendit të Komunës u miratua edhe propozim plani zhvillimor i arsimit të Komunës së Prishtinës, 2013-2017, si dhe propozim-vendimi për shpalljen e ankandit publik për shitjen e automjeteve që u ka kaluar afati i tërheqjes nga palët.

VV Kërkon të Bisedohet për Arrestimin e Hamitit

Mbledhja e sotme ka nisur me përplasje ndërmjet këshilltarit të Vetëvendosjes, Sadri Ramabaja dhe kryetarit të Komunës, Isa Mustafa. Kjo ishte mbledhja e parë e Asamblesë pas arrestimit të kryesuesit Sami Hamiti, prandaj Ramabaja ka kërkuar që kjo seancë të shndërrohet “në mbledhje të jashtëzakonshme me një pikë të rendit të ditës: Informim mbi gjendjen e krijuar pas arrestimit të Kryesuesit, Sami Hamitit dhe korrupsioni në Komunën e Prishtinës”.

Ai ka thënë se Hamiti, do të duhej qysh ditën e arrestimit, të jepte dorëheqje, si gjest morali.

“Ky rend dite për Lëvizjen Vetëvendosje është në shpërputhje me gjendjen dhe faktet që ka imponuar realiteti i krijuar në ndërkohë… Kryesuesi i Kuvendit, Sami Hamiti për shkaqe se është i dyshuar, respektivisht i zënë në flagrancë si shkelës i ligjit, është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. Ndaj tij tashmë është hapur procedurë e hetimeve”, citohet të ketë thënë Ramabaja, në një komunikatë shtypi të Vetëvendosjes.

“Në ambientin politik që po jetojmë ne, ku ndjehet mungesë e theksuar e kulturës dhe moralit politik, është e vetëkuptueshme që akti i dorëheqjes si pjesë e këtij morali dhe kësaj kulture të munguar, është i huaj për LDK-në. VV nuk pajtohet me këtë gjendje, prandaj insistojmë në dorëheqjen e Sami Hamitit”, shtoi ai.

Mirëpo, zëvendëskryesuesi, Engin Beyoglu, ka thënë se kjo nuk është çështje urgjente për qytetarët dhe nuk mund të futet në rend të ditës. “Çka duhet të ndodhë atëherë, pasi të arrestohet edhe kryetari i komunës?”, ka pyetur Ramabaja.

Kjo ka nxitur reagimin e kryetarit Isa Mustafa. “Ti do të dëshiroje ashtu, sepse në mendjen tënde nuk ka asgjë pozitive. Mendja jote është mendje e prishur, e cila do t’i burgoste të gjithë qytetarët e Prishtinës dhe ti nuk mund të flasësh për moralin. Me qenë ti i moralshëm, atëherë kishe qenë përfaqësues i partisë dhe votuesve që të kanë pru në këtë kuvend”, i është kundërpërgjigjur kryetari Mustafa, transmeton Indeksonline.

Pas kësaj, Ramabaja ka lëshuar sallën.

ETIKETA

27 Shtator 2012 - 16:18

Gazeta JnK 27/09/2012 - 16:18
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Prishtina 63 Milionë € Buxhet për Vitin 2013

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend