Foto: DebatPernime në Gjilan

Papunësia dhe sfidat për sipërmarrësit e rinj në Kosovë

Papunësia, migrimi dhe mundësitë biznesore në Kosovë  ishin temë diskutimi në mes të qeveritarëve, sipërmarrësve dhe shoqërisë civile në serinë e #DebatPernime, kësaj rradhe i mbajtur në Gjilan.

 

Sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës, prej 1.2 milion qytetarëve të Kosovës, të cilët llogariten si te të aftë për punë, vetëm rreth 350 mijë prej tyre janë të punësuar.

Sipas këtyre të dhënave, rreth 160 mijë persona të aftë për punë, janë regjistruar se janë në pritje te një vendi pune, do te thote, janë të regjistruar si të papunësuar.

Ndërsa, mbi 700 mijë persona “nuk janë aktivë” në kërkim të një pune.

E njëjta agjenci na e vërteton një të dhënë tjetër, të ditur tashmë, se burrat në Kosovë më lehtë e gjejnë një vend pune sesa gratë.

45.3 për qind e burrave në Kosovë janë të punësuar, krahasuar me 12.3 për qind të grave,me gjithë faktin se, ne Kosovë, me shume ka gra diplomuara sesa burra.   

Në #DebatPërnime, organizuar në Gjilan, temë diskutimi ishte papunësia në Kosovë, papunëtorësia dhe mbijetesa në tregjet e punës si sipërmarrës i ri.

Në këtë debat, Arta Shehu-Zaimi, ka rrëfyer rrugëtimin e themelimit të shkollës “jCoders”, një shkollë e Teknologjisë e shtrirë në disa qendra të Kosovës.

“Shkollën “jCoders” e kemi filluar me dy mijë euro të cilat i kemi pasur në llogari të kursimeve”, tha ajo.

Arta Shehu Zaimi, pronare e ‘jCoders’

Shehu-Zaimi ka treguar se si kanë ardhur deri tek ideja për të hapur biznesin së bashku me motrën e saj. Sipas tyre kjo ka ndodhur pasi ato i kanë vërejtur dy problematika në tregun e punës në sektorin e IT-së.

“I kemi vërejtur dy probleme, një prej problemeve është që shkollat nuk kanë ofruar mësim adekuat të teknologjisë për fëmijët e shkollave fillore dhe të mesme perderisa në tregun tonë kemi një mori kompanish të suksesshme në fushën e teknologjisë informative dhe se është krijuar një kërkesë për profesionistë të kësaj fushe”, ka shtuar Shehu-Zaimi.

Tutje, ajo ka thënë se shpreson që kompania “jCoders” është duke e zgjidhur problemin e themelimit të kuadrove adekuate në këtë fushë.

Sipas saj, zhvillimi i hovshëm i teknologjisë i ka gjetur të papërgatitura tregjet e punës në sektorin e IT-së, duke shtuar se, në Kosovë ka potencial të mirë të punës, sidomos nga sektori  në fjalë, i cili ka bilanc të mirë ekonomik.

Mërgim Cahani, themelues i kompanisë së avancuar “Gjirafa”, ka rrëfyer peripecitë që ka kaluar gjatë rrugëtimit deri te suksesi dhe nevojën për të pasur afër vetes njerëz të kualifikuar në fushën e  teknologjisë.

“E kam startuar “Gjirafën” në gusht [2012] në dhomën time në Prizren, të cilën e kam kthyer në një zyre. Kam punuar shumë orë, edhe gjatë ditëve të shtuna e të diela. Në muajin shkurt të vitit të ardhshëm, pra në vitin 2013, tri ose katër ditë më vonë, “Gjirafa” dështoi. Kam bërë disa analiza pse ka ndodhë ky dështim dhe kam ardhur në përfundim se, në përgjithësi, ka qenë faji im sepse jam munduar t’i bëj të gjitha punët vetë dhe aty e kuptova se duhet gjetur njerëz të cilët janë më të mirë se unë në këtë lëmi”, ka thënë Cahani.

Sot, “Gjirafa” numëron mbi 70 punëtorë me orar të plotë dhe 100 të tjerë me orar të përgjysmuar. Por, sipërmarrësit e teknologjisë nuk janë të vetmit në këtë ambient jo të lehtë kosovar të të bërit biznes.

Isak Vorgucic, bashkë me gruan e tij, e kishte filluar biznesin për prodhimin e birrës “Pivdjan”, si një hobi.

Isak Vorguçiq, prodhues i birrës ‘Pivdjan’

Fillimisht, ata filluan prodhimin e birrës në kushte shtëpie e pastaj kishin investuar në zgjerim të prodhimit.

“Tregu i kësaj birre është më specifik. Ne prodhojmë tri lloje birrash të cilat nuk mund të gjenden në Kosovë. Prodhimi është aq i vogël sa që unë kam menduar fillimisht ta shes krejt prodhimin në Graçanicë. Më vonë e zgjeruam shitjen edhe në dy baza të KFOR-it, në dy dyqane në Mitrovicë Veriore, dhe një në Leposaviq”, tregoi ai.

Këto vështirësi të të bërit biznes në sektorin privat, kanë bërë shumë njerez ta kenë si synim një punë në sektorin publik.

Erolld Belegu, këshilltar i Kryeministrit për  ekonomi, tha se mendimet të cilat janë krijuar për rehatinë në punësime në sektorin publik, janë vetëm.

“Unë kam pasur punëtor në kompaninë time që e ka pasur rrogën 500 euro i cili e ka lënë atë rrogë në atë kohë dhe ka shkuar në sektorin publik për 350 euro rrogë, me arsyetimin se ai vend pune është me i sigurte për të. Mendoj se sektori publik nuk është për njerëz ambicioz sepse sektori privat është më kërkues,” thotë Belegu.

Erolld Belegu, Këshilltar i Kryeministrit

Por, nëse iu referohemi të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2018, një e treta e të punësuarëve në Kosovë punojnë në administratën shtetërore, mbi 90,000 të punësuar në total.

Mjafton vetëm të shihet numri i madh i Zëvendëministrave të Kosovës, mbi 80 sosh, për të kuptuar idenë që rehatia në institucionet e shtetit nuk është një mit.

Në lidhje me rritjen e numrit të zëvendësministrave, Belegu tha se kjo qeveri tashmë është duke punuar në zvogëlimin e këtij numri me vetëm dy Zëvendësministra për një ministri.

“Kjo qeveri realisht është duke punuar në Ligjin për Qeverinë që do të aprovohet në muajin maj. Sipas këtij ligji, nuk  do të ketë më shumë se dy Zëvendësministra për një ministri. Shpresoj që qeveria e ardhshme do të kufizohet në vetëm 13 ministri. Ata janë të emëruar politikë dhe, ne momentin kur kjo qeveri e përfundon mandatin e saj, ata gjithsesi do të mbesin pa punë”, shtoi ai.

Edhe sipas politikanëve, kjo gjendje ka sjellur pakënaqësi dhe ka ndikuar që të rinjte të synojnë te ikin nga vendi.

Nenad Rashiq, nga qendra për zhvillim ekonomik lokal dhe politikan i njohur nga komuniteti serb tha se, në përgjithësi në Kosovë, sistemi është fajtor sepse nuk jep shpresë dhe mundësi të ndërtohesh profesionalisht në çfarëdo fushë. Sipas tij, kjo po ndikon që qytetarët të ikin prej vendit.

Nenad Rashiq

“Ata që shpërngulen, për kafshatë të gojës apo për ndonjë punë më të mirë atje, atëherë, meqë janë besnikë ndaj familjes, pas një kohe investojnë diçka këtu”, tha Rashiq.

Ne lidhje me migrimin e të rinjve, Rashiq ka thënë se kjo nuk është dukuri e keqe për shkak se, siç e quan ai, afirmimi është “efekt dytësor ekonomik pozitiv”.

Sipas tij, Kosova ka ndërtuar institucione të cilat nuk ngjallin shpresë për kthim në vendin e tyre. “Fakti i keq është se ne nuk kemi ndërtuar sistem apo institucione që ngjallin shpresë këtu. Problemi më i madh psikologjik tek ne është se ketu nuk ka shpresë”, shtoi ai.

Sfidat e veprimtarisë së sipërmarrësisë bëhen edhe më të vështira atehere kur je grua në Kosovë.

Besa Rugova, sipërmarrëse e kompanisë së modës “Besë” ka rrëfyer sfidat që ajo i ka kaluar në themelimin e biznesit që e ka edhe tani.

Besa Rugova, kompania ‘Besë’

Po ashtu, Rugova ka treguar edhe kohën e studimeve, punën me orar të tejzgjatur, materialet e shtrenjta shkollore, kredin studentore e, po ashtu, edhe paragjykimet ndaj saj si grua.

“Ka shumë sfida të të bërit biznes në Kosove. Sidomos sfida në diskriminim gjinor. Nuk më kanë marrë seriozisht. Njëherë, derisa po shkoja të bisedoj me një kontabilist, rrugës e takova vëllanë tim dhe ne shkuam bashkë. Në të gjitha pyetjet që unë i parashtrova kontabilistit, përgjigjiet e tij jepeshin në drejtim të vëllait tim, derisa i thashe se ‘biznesi është i imi andaj bisedo me mua”, ka thënë Rugova.

Disa pyetje dhe komente nga publiku iu shtuan këtyre sfidave.

Shaban Terziu, nga OJQ Lansdoëne, i cili ishte pjesë e publikut, tha se Qeveria duhet të ndryshojë gjendjen ne menyrë që të rinjtë të mos e lëshojnë vendin. Ai shtoi se duhet të investohet në bujqësi sin je prej sektorëve me resurset më të pashfrytëzuara në Kosovë.

Erolld Belegu komentoi duke thënë se situata në bujqësi është absurde e po ashtu tregoi që bujqësia jep 15 deri në 17 për qind të GDP së Kosovës.

Ardiana Halimi, studente, pyeti për planin e Qeverisë për zgjidhjen e papunësisë te të rinjtë?

Alfred Halili e ka pyetur këshilltarin e kryeministrit se a ka menduar Qeveria ndonje fushatë sensibilizuese për orientimin e të rinjve në karrierë. Po ashtu  ka pyetur nëse, një i ri i cili i ka dy mijë euro dhe dëshiron të investojë, a do t’i qëndrojë Qeveria mbrapa?

Erolld Belegu tha se Qeveria nuk ka ne plan ndonje fushatë, ndërsa tha se, për te filluar një biznes në Kosovë, ekziston siguria, përjashtimisht problemeve me rrymë, problem këto që do të zgjidhen me futjen në treg të “Kosova e Re”.

“Kosova e Re” është një projekt i cili nuk është përkrahur nga Banka Botërore dhe, përveç paqartësive të financimit, ndërtimi i “Kosovës së Re”, në rastin më të mirë, do të përfundohej në vitin 2022.