Ilustrim
Shkolla “Edmond Hoxha” në Junik kundërshton pretendimet se banjot janë të papastërta
Ditë më parë, gjatë diskutimit me qytetarët e Junikut në emisionin #DebatPernime, një qytetar kishte deklaruar se gjendja e banjove në Shkollën e Mesme të Ulët “Edmond Hoxha” është në gjendje jo të mirë.
“Tualetet kanë qenë tmerr. Tualeti që ka qenë në fund të korridorit dhe dy klasat që kanë qenë afër nëse nuk janë mbyll dyert ka qenë tmerr nga era. Papastërti ekstrem”, ishte shprehur qytetari nga Juniku.
Ndaj kësaj deklarate ka reaguar drejtoresha e shkollës “Edmond Hoxha”, Bekije Jasiqi.
Përmes një postimi në Facebook ajo ka treguar se gjendja në këto banjo nuk është siç është pretenduar nga qytetari.
“Fillimisht ju sqarojmë gjithë opinionit të gjerë, me theks të veçantë qytetarëve të Junikut, se deklarata e qytetarit nuk qëndron ngase, e vërteta e gjithë kësaj është se shkolla jonë posedon banjo mirë të organizuara, me higjienë që rrallë ndonjë shkollë të Kosovës e gjen”, shkruan Jasiqi.
Tutje, drejtoresha e shkollës ka treguar se qytetari në fjalë kishte bërë punë praktike për disa javë dhe se “për më tepër ai e di fare mirë për nivelin e kushteve higjienike që ka shkolla jonë, prandaj, është e turpshme të thuash të pavërteta”.
Në lidhje me këtë çështje, në DebatPernime ka folur edhe kryetari aktual i komunës së Junikut, Agron Kuçi, i cili ka thënë se këto gjëra mund të ndodhin në momente të caktuara kur objektet nuk janë në gjendje të mirë.
“Ne bëjmë riparime të vazhdueshme dhe zakonisht ato bëhen në sezonin verore pra të pushimeve. Mirëpo duhet pasur parasysh se kemi të bëjmë me një kategori të fëmijëve dhe të rinjve”, kishte deklaruar Kuçi.
Kandidatët e partive politike, të cilët synojnë të marrin udhëheqjen e Junikut diskutuan në #DebatPernime i cili ishte transmetuar më 26 shtator 2021, për planet e tyre pas zgjedhjeve të 17 tetorit.
Të ftuar në DebatPernime kanë qenë kandidatët për kryetar të komunës së Junikut, Agron Kuçi nga AAK; Besart Tofaj nga LVV dhe Ruzhdi Shehu nga LDK.
Përballë kandidatëve për kryetar të komunës ishin edhe kandidatet për asambliste në Kuvendin Komunal të Junikut: Erleta Qestaj dhe Festina Maloku nga AAK; Lirjeta Shehu dhe Vjollca Qestaj nga LDK.