Nënshkruhet Marrëveshja, Vetëvendosje dhe Lista Serbe Bashkë në Qeveri

Përfundimisht bllokut politik LDK-AAK-Nisma prej sot i është shtuar edhe Vetëvendosje, në një hap që përbën lëvizjen më të madhe politike të partisë së Albin Kurtit që nga themelimi i kësaj partie.

Marrëveshja e cila e bën Vetëvendosjen pjesë të qeverisë së drejtuar nga Ramush Haradinaj, në rast se arrin të votohet në Kuvend, është nënshkruar sot nga përfaqësues të katër partive politike.

Implementimi eventual i kësaj marrëveshjeje do ta hedhë PDK-në në opozitë për herë të parë që nga viti 2008.

“Sapo e nënshkruam marrëveshjen mbi bazën e vullnetit për të ndërtuar institucione funksionale në të mirë të të gjithë qytetarëve të Kosovës, interesit jetik për sundim të shtetit ligjor dhe të së drejtës me qëllim për të punuar për të punuar për zhvillimin ekonomik të vendit dhe mbi bazën e marrëveshjes LDK-AAK-NISMA të 10 qershorit dhe mbi bazën e marrëveshjes me Vetëvendosjen”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa pas takimit të sotëm me liderët e bllokut.

“Do të përqendrohemi në zhvillim ekonomik dhe do të vendoset dialog i hapur demokratik me pakicën serbe në Kosovë për integrimin e plotë të tyre si qytetarë të barabartë të Kosovës”, u shpreh ai.

Mustafa nuk ka dashur të zgjatet fort në hezitimet e ndërkombëtarëve për t’ia lënë Vetëvendosjes në dorë fatin e dialogut me Serbinë.

Por ai konfirmoi se sot në mëngjes ka zhvilluar një takim me Ambasadoren e SHBA-ve në Kosovë, Tracey Ann Jacobson dhe me Përfaqësuesin Special të BE-së në Kosovë, Samuel Zbogar.

“Do të angazhohemi për një dialog cilësor e parimor, të përgatitur mirë, të orientuar dhe të fokusuar në çështje të interesit të Republikës së Kosovës”, tha Mustafa.

Mustafa tha se dje ka pasur një takim edhe me përfaqësuesit e Listës Serbe, për të cilët tha se nuk e kanë problem të jenë pjesë e qeverisë ku është edhe Vetëvendosje.

Edhe kandidati për kryeministër nga ky bllok politik, Ramush Haradinaj tha se prania e Listës Serbe dhe vetëvendosjes në të njëjtën qeveri nuk paraqet problem.

“Lista Serbe ka bërë mirë që ka pranuar sepse ajo përfaqëson interesat e komunitetit serb në Kosovë”, tha Haradinaj.

Ndërsa kryetari i Lëvizjes vetëvendosje, Albin Kurti, tha se marrëveshja e vendos Kosovën “në rrugën e zhvillimit”.

“Me këtë marrëveshje nuk do të ketë më regjim, Kosova do të vihet në rrugën e prosperitetit, zhvillimit ekonomik të vendit dhje krijimit të vendeve të reja të punës”, tha Kurti.

ETIKETA

10 Shtator 2014 - 13:51

Arben Sylejmani 10/09/2014 - 13:51
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight

Nënshkruhet Marrëveshja, Vetëvendosje dhe Lista Serbe Bashkë në Qeveri

by Gazeta JNK
NA NDIQNI

Send this to a friend