Ndihmësit e Qeverisjes së Shpend Ahmetit

Blerta Zeqiri, regjisorja e filmit “Kthimi” që fitoi edicionin  e vitit të kaluar të festivalit Sundance, çmimin për Filmin më të Mirë Ndërkombëtar, do të jetë pjesë e qeverisjes komunale të Prishtinës.

Zeqiri, që në film trajton historinë jetësore të një të burgosuri, të liruar nga burgjet serbe pas luftës, në qeverisjen e Shpend Ahmetit, pritet ta udhëheqë Drejtorinë për Kulturë, Rini dhe Sport të kryeqytetit.

Këtë e bëri të ditur Shpend Ahmeti, në ditën e dytë zyrtare të punës, si kryetar i Prishtinës, kur prezantoi njerëzit që do të udhëheqin drejtoritë në pushtetin lokal të kryeqendrës.

Blerta Zeqiri i tha Gazetës Jeta në Kosovë se udhëheqja e kësaj drejtorie komunale nuk do ta pengojë në punën  e saj si regjisore dhe skenariste, pasi tha se një punë e tillë, me të cilën do të merret pjesërisht dhe iu shpagua në Sundance, nuk është intensive.

Zeqiri tregoi se është takuar me drejtoreshën e deritashme të Kulturës në komunën e Prishtinës, Vlora Dumoshin, nga e cila ka marrë detyrën. Sipas Zeqirit, Dumoshi i ka ofruar ndihmën e saj, ndërsa takimi ka qenë shumë i mirë.

“Ne mendojmë që në Prishtinë është bërë pak në aspektin e kulturës dhe ne do të mundohemi maksimalisht që të marrim përkrahje prej vendeve të ndryshme, për shembull prej ambasadave të huaja që janë në Kosovë apo organizatave tona joqeveritare ose të jashtme …  për t’i zbatuar planet për kulturën”, tha Blerta Zeqiri.

Ajo konfirmoi se do t’i përmbahet planprogramit për qeverisje lokale të Vetëvendosjes.

 “Sot kam nderin që para jush të prezantoj ekipin qeverisës të cilët do t’i udhëheqin drejtoritë përkatëse”, tha kryetari Shpend Ahmeti, teksa lexoi një nga një emrat e personave që do të jenë drejtorë komunalë.

Ahmeti prezantoi 13 drejtorë drejtorish, katër nga të cilët do të jenë për një periudhë ushtrues detyre të drejtorëve, ndërsa përveç Blerta Zeqirit, edhe Nora Kelmendi është drejtoreshë nga gjinia më pak e përfaqësuar në nivelin komunal të qeverisjes, kurse Fitore Dalipi-Pacolli do të jetë koordinatore e punës mes drejtorive.

Kabineti: aktivistë të VV-së dhe ekonomistë

Ahmeti zëvendës të tij e ka bërë Dardan Sejdiun, anëtarin e Kryesisë së VV-së që i qëndroi më së afërmi gjatë fushatës, duke qenë shef i Shtabit të këtij subjekti. Sejdiu studioi Administrim Biznesi në Universitetin Amerikan në Bullgari, ndërsa ka magjistruar në të njëjtën fushë në Bled të Sllovenisë.

Sejdiu do të jetë edhe ushtrues detyre i drejtorit të Drejtorisë së Zhvillimit Ekonomik.

Përveç Sejdiut e Zeqirit, mes të përzgjedhurve për drejtorë nga Ahmeti, ka edhe aktivistë të tjerë të Vetëvendosjes.

Deputeti Liburn Aliu që ka kryer arkitekturën në Universitetin e Prishtinës, do të jetë drejtor i Urbanizmit. Ai është deputet nga viti 2011.

Xhelal Sveçla, një aktivist tjetër do të drejtojë Inspektoratin e Prishtinës. Ushtrues detyre i drejtorit të Infrastrukturës, do të jetë po ashtu Hysen Durmishi, i VV-së, arkitekt me profesion dhe menaxher i disa projekteve infrastrukturore të USAID-it në Kosovë.

Drejtorinë e Shëndetësisë do ta udhëheqë Arben Vitia, që ka kryer Mjekësinë e Përgjithshme në Tiranë. Edhe Vitia është anëtar i VV-së që nga viti 2010.

Në qeverisjen e Ahmetit, Nora Kelmendi që studioi ekonominë në Prishtinë, ndërsa vazhdoi magjistraturën në Universitetin e Evropës Juglindore në Tetovë, do të drejtojë Kadastrin. Ajo ka një përvojë pune tetëvjeçare në Agjencinë Kosovare të Mirëbesimit dhe në Agjencinë Kosovare të Privatizimit që trashëgoi të parën.

Jusuf Thaçi që aktualisht është duke kryer magjistraturën për psikologji, do të jetë drejtor i Arsimit.

Ai është menaxher dhe krijues i projektit Atomi, një nisme që mbledhë nxënësit e talentuar kosovarë, të cilët në kohën kur ndodhen në pushimin veror, kryejnë kurse të avancuara për të shtuar dijet e tyre. Thaçi ka punuar edhe në Rrjetin Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, si monitorues dhe analist i çështjeve të arsimit.

Besnik Bislimi që studioi për makroekonomi në Zagreb, për të doktoruar në vitin 2005, në Freiburg të Gjermanisë, po në këtë fushë, do të jetë ushtrues detyre në Drejtorinë e Financave.

Muhedin Nushi do të jetë ushtrues detyre i Drejtorit të Administratës, me përvojë në sektorin bankar të Kosovës dhe me diplomë të Fakultetit të Ekonomisë në Prishtinë.

Me përvojë menaxheriale nëpër bankat që ushtrojnë veprimtarinë në Kosovë, është edhe Ardian Gashi, ushtrues detyre i drejtorit të Shërbimeve Publike. Gashi ka kryer Fakultetin e Biznesit në Pejë.

Shpend Ahmeti, gjatë paraqitjes së kabinetit të tij për kryeqytetin, tha se në drejtoritë ku do të nisë puna me ushtrues detyre do të duhet një përgatitje më e madhe dhe ato do të drejtohen me ekipe menaxhuese.

“Shpërblimi për qytetarët është nëse ne e kryejmë punën dhe koncepti ka qenë që ta zgjedhim një ekip i cili mund të përmbushë zotimet të cilat ne i kemi thënë”, tha në fund Ahmeti.