Kosova 20 Vjet Larg BE-së

Kosova dhe Bashkimi Evropian kanë një marrëdhënie të çuditshme, në të cilën secili e dëshiron dhe e mosbeson tjetrin, në të njëjtën kohë. Është një marrëdhënie e re, ende “pa letra”, e cila bart në vete potencialin edhe të zhvillohet në një miqësi që do të rezultojë me atë që Kosova të bëhet pjesë e familjes së madhe BE; por edhe potencialin të degjenerojë në një armiqësi që do të vazhdojë gjatë.

Problemi kryesor në mes të Kosovës e BE-së është bindja e secilës palë që ajo është duke bërë mjaft që t’i afrohet palës tjetër, ndërsa është pala tjetër është ajo që nuk tregon interesim për të shikuar përtej oborrit të vet.

Në Bruksel, shumica e zyrtarëve që merren me Kosovën dhe Ballkanin, duken të bindur që BE-ja është duke bërë çdo gjë që mundet për ta afruar Kosovën. Mungesa e përparimit në çështjen e liberalizimit të vizave, apo perceptimet negative në Kosovë për dialogun, nuk shihen në kontekst negativ në Bruksel. Në fakt, këto shihen si pjesë e një procesi krejtësisht të çliruar nga politika e në të cilin BE-ja është duke e shpërblyer Kosovën vazhdimisht. Zyrtarët e BE-së në Bruksel shpesh pyesin gati se me zemërim pse Kosova shikon aq shumë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, edhe pse përgjigja është njësoj e thjeshtë – kosovarët shikojnë më tepër nga ata që besojnë që shikojnë dhe kujdesen për Kosovën më shumë.

Brukseli nuk dëshiron të pranojë se në Kosovë ka konkurrencë. Tash për tash janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por në mendjet e shumë kosovarëve BE-ja ka konkurrencë edhe vendet tjera si Turqia, apo Arabia Saudite.

Nëse BE-ja është e sinqertë në dëshirën e shprehur që të ketë Kosovën në gjirin e saj, është e nevojshme që të ndryshojë qasjen ndaj Kosovës, së paku të përmirësojë marrëdhëniet me publikun, dhe të sqarojë më mirë pozicionin e vet dhe angazhimin e vet në Kosovë. Deri më tani, mesazhi që kosovarët marrin nga Brukseli është se BE-ja nuk e dëshiron Kosovën dhe kosovarët. Për qytetarin e Kosovës argumentet e fundit për këtë janë izolimi i Kosovës, duke mos ia liberalizuar regjimin e vizave, sikur vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor, si dhe dialogu mes Kosovës e Serbisë, me të cilin duket se është bërë vetëm për ta shpërblyer Serbinë ,por jo edhe Kosovën.

Është qenësore që BE-ja të flasë më shumë me qytetarin e Kosovës dhe t’ia shpjegojë angazhimin e vet. Përkrahja për BE-në në mendjet dhe zemrat e qytetarëve të Kosovës duhet të jetë më e rëndësishmja për BE-në. Deri tani, BE-ja është duke e humbur luftën me konkurrentët e vet për të fituar zemrat dhe mendjet e kosovarëve.

Për mosbesimin ndaj Bashkimit Evropian, në Kosovë edhe më përgjegjëse është klasa politike. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian vërtet promovohet si caku kryesor i politikës kosovare. Por, angazhimi dhe punët që bën politika në Kosovë e thonë të kundërtën.

Politikanët në Kosovë, por jo vetëm ata, janë të bindur se vendimet në Bruksel janë krejtësisht politike dhe nuk është e rëndësishme se sa vërtet arrihen standardet. Ndonëse kjo është e deri-diku e vërtetë në rastet e valëve të para të zgjerimit drejt Evropës Lindore, zyrtarët e BE-së në Bruksel e bëjnë shumë të qartë se më nuk do të bëjnë gabime të tilla. Në rastin e Kroacisë, BE-ja nuk ka bërë asnjë lëshim dhe shteti është dashur vërtetë t’i plotësojë kushtet që ia ka shtruar Brukseli. Të njëjtën, BE-ja zotohet se do të bëjë me të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor. Këto vende edhe ashtu janë të vogla dhe pothuajse krejtësisht të parëndësishme për BE-në. Të vetmin shqetësim ia shkaktojnë emigrantët nga këto vende, ndonëse edhe ky numër është zvogëluar, për shkak të masave të rrepta që kanë marrë shtetet anëtare.

Në rrugën drejt BE-së, Kosova është më mbrapa se cilido shtet tjetër i Ballkanit Perëndimor. Për 5 shteteve që nuk e kanë njohur, Kosova as që ka mundësi të nisë zyrtarisht proceset e rëndësishme siç është ai i Stabilizim-Asociimit. Megjithatë, siç e bëjnë të qartë zyrtarë në Bruksel, kjo nuk duhet të thotë që Kosova nuk duhet të fillojë të përmirësojë standardet në Kosovë, e sidomos të përmirësojë mekanizmin kryesor për anëtarësim në BE – administratën shtetërore. E kur Kosova të jetë në gjendje të vejë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, ajo do të ketë përparuar dukshëm drejt BE-së dhe nuk do të fillojë nga zeroja.

Kosova e ka një përparësi që mund të mësojë nga vendet e tjera që tani kanë kaluar në këtë proces. Kroacisë, Sllovenia ia kishte frenuar hapjen e kapitujve për shkak të mosmarrëveshjeve mes dy shteteve rreth kufirit. Por, Kroacia nuk ka qëndruar duarkryq duke pritur të punojë vetëm kur të zhbllokohet procesi. Përkundrazi. Ka vazhduar të plotësojë kushtet që ia kishte vënë BE-ja. Dhe në ditën kur Sllovenia kishte hapur rrugë për të vazhduar procesin. Kroacia i ka hapur dhe mbyllur për një ditë të vetme pesë kapituj të kushteve që duhej plotësuar për t’u bërë anëtare e BE-së.

Sipas vlerësimeve të zyrtarëve në Bruksel, Kosova është 20 vjet larg anëtarësimit në BE. Për të arritur atje nuk ka ndonjë rrugë trup. E vetmja rrugë është plotësimi i kushteve që i shtron BE-ja. Kosova nuk ka kohë për të humbur. Klasa politike kosovare nuk është e sinqertë me qytetarët e saj. Në vend se të tregojë se sa larg është Kosova nga BE-ja, këta vazhdojnë të përhapin mjegull me premtimet se do të jemi në BE për dy-tri vjet. Qytetarët, nga dëshpërimi, zgjedhin që t’u besojnë këtyre përrallave.

Është me rëndësi që qytetarët të kuptojnë mashtrimin e politikanëve dhe të kërkojnë nga klasa politike angazhim të mirëfilltë në rrugën drejt BE-së. Ata që tregojnë sa keq i ka Kosova punët në rrugën drejt BE-së ja duan të mirën Kosovës e jo politikanët që më tepër preferojnë të duken mirë se sa të tregojnë të vërtetën për Kosovën dhe BE-në.