Ilustrim

Inspektorati i Punës gjen shkelje në rekrutimin e stafit të jashtëm në Fakultetin e Edukimit

Kandidatja Arbërore Bicaj, aktualisht është e angazhuar në pozitën e koordinatores në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” në kuadër të Programit për Avancimin e Pedagogëve.

Në konkursin e datës 25 korrik të këtij viti për plotësimin e vendeve të paplotësuara nga konkursi i datës 25 maj 2018 për angazhim të bashkëpunëtorëve të jashtëm për ligjërata dhe ushtrime në bazë të nevojave të njësive akademike të UP-së, Bicaj kishte aplikuar për angazhimin të jashtëm për ligjërata dhe ushtrime në Fakultetin e Edukimit në lëndët: Planifikimi Zhvillimor i Shkollës, Arsimi Ndërkombëtar, Administrimi i Shkollës, Zhvillimi Profesional i Mësimdhënësve.

Ajo pretendon se i është bërë padrejtësi sepse i është refuzuar shqyrtimi i dosjes së saj për pozitën në të cilën kishte aplikuar, me arsyetimin se ajo është pjesë e stafit administrativ në UP dhe nuk ka të drejtë që të konkurrojë për angazhim në mësimdhënie.

Por, Arbërore Bicaj deklaron se kontrata e saj si koordinatore e këtij programi është akt emërimi dhe jo i karrierës me UP-në, gjë që ia lejon aplikimin në pozitën ku kishte konkurruar.

Sipas vendimit të Komisionit Vlerësues, kandidatja Arbërore Bicaj është më e kualifikuar për lëndët e shpallura në konkurs por, sipas tyre, pengesë ligjore është statusi i saj si e punësuar në administratën e Fakultetit të Edukimit e që siç kanë deklaruar ata, bie ndesh me “Rregulloren për të ardhurat personale të personelit akademik, shtesat funksionale, honorarët dhe komisionet e përhershme të UP-së”.

Në Nenin 14, pika e 5 shkruhet se “personeli administrativ i Universitetit nuk ka të drejtë të angazhohet në procesin mësimor të UP-së”.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kontaktuar me Rektoratin e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” për të kërkuar sqarim se përse kandidates Arbërore Bicaj i është refuzuar kategorikisht dosja për shqyrtim pas konsultimit të Komisionit Recensues me rektoratin, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk kemi pranuar përgjigje.

Ngjashëm ka ndodhur edhe me Fakultetin e Edukimit, Ethem Çeku, i cili pavarësisht se është kontaktuar vazhdueshëm rreth kësaj çështje, nuk ka kthyer përgjigje për Gazetën.

Më 29 nëntor 2018, Inspektorati i Punës ka marrë vendim që ankesa kundër Fakultetit të Edukimit lidhur me procedurat rekrutuese të kandidates Arbërore Bicaj është e bazuar.

Sipas këtij vendimi, Komisioni Vlerësues ka shkelur dispozitën e nenit 8 të “Ligjit të Punës”, nenit 14 të “Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të Konkursit Publik”, si dhe nenit 6 të “Rregullores për procedurat vlerësuese për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm në Universitetin e Prishtinës”.

Inspektorati i Punës gjithashtu ka gjetur shkeljen e Këshillit të Fakultetit, të cilët kanë shkelur dispozitat e nenit 9 të “Rregullores për procedurat vlerësuese për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” dhe nenin 14 të “Udhëzimit Administrativ për Rregullimin e Procedurave të konkursit publik” sepse siç thuhet në vendim “ankesa nuk është shqyrtuar nga tre anëtarët e komisionit, nuk është marrë vendim nga Këshilli i Fakultetit për miratim apo propozim, si dhe pala ankuese nuk ka pranuar vendimin nga shqyrtimi i ankesës”.

Si rrjedhojë e gjithë kësaj, Inspektorati i Punës përmes këtij vendimi ka obliguar Këshillin e Fakultetit që të bëj rivlerësimin e konkurrentëve aplikues për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm për ligjërata dhe ushtrime në lëndët: Planifikimi Zhvillimor i Shkollës, Arsimi Ndërkombëtar, Administrimi i Shkollës, Zhvillimi Profesional i Mësimdhënësve.

Fakulteti i Edukimit është i obliguar që në afat prej tetë ditësh të zbatojë vendimin e marrë nga Inspektorati i Punës.

Kandidatja Arbërore Bicaj kishte parashtruar ankesë me 29 tetor të këtij viti në Inspektoratin e Punës kundër Fakultetit të Edukimit, lidhur me procedurat rekrutuese të konkursit publik të datës 25.05.2018, për angazhimin e bashkëpunëtorëve të jashtëm për ligjërata dhe ushtrime në lëndët: Planifikimi Zhvillimor i Shkollës, Arsimi Ndërkombëtar, Administrimi i Shkollës, Zhvillimi Profesional i Mësimdhënësve.

Pavarësisht që kandidatja Arbërore Bicaj kishte parashtruar ankesë rreth kësaj çështje, Këshilli i Fakultetit kishte rishpallur këtë pozitë ende pa u përfunduar procedurat e Komisionit të Ankesave dhe kishte zgjedhur kandidaten Drita Kadriu, e cila po ashtu është e angazhuar në Programin për Avancimin e Pedagogëve si anëtare e bordit.

Kandidatja Arbërore Bicaj ka paralajmëruar se nesër (5 dhjetor) do të dorëzojë kallëzim penal në Policinë për Krime Ekonomike ndaj Fakultetit të Edukimit.