Ilustrim

Dyshime të forta për keqpërdorime në testin e noterisë

Reja e Nehat Idrizit është përgjigjur ne pyetjet e hartuara nga vjehrri i saj. Kallxo.com ka konfirmuar se Nehat Idrizi, kryetar i Komisionit të Noterisë, i përpiloi pyetjet e provimit të cilit iu nënshtrua reja e tij.

Behet fjalë për kandidaten Gentiana Bajraktari e cila e ka kaluar provimin me shkrim duke fituar gjithsej 38 pikë.

Kandidatja Gentiana Bajraktari është reja (gruaja e djalit) të Nehat Idrizit, ish kryetar i Këshillit Gjyqësor të Kosovës.

235 kandidatët që e kanë kaluar provimin e noterisë me shkrim, nesër dhe ditëve në vazhdim pritet që t’i nënshtrohen provimit me gojë.

Provimit me shkrim për noterinë me 15 e 16 qershor i janë nënshtruar 584 kandidatë prej të cilëve 235 e kanë kaluar provimin.

Që prej momentit të publikimit të emrave të kandidatëve të cilët e kanë kaluar provimin e noterisë me shkrim, ka pasur reagime e ankesa të shumta nga palët, të cilët po pretendojnë se ky provim u mbajt me shkelje të mëdha ligjore.

Një nga kandidatët që i është nënshtruar provimit me shkrim ka raportuar në platformën KALLXO.com me pretendimin se provimi i noterisë me shkrim është përfshirë në pa rregullsi të mëdha.

“Në listë gjenden familjar të anëtarëve të komisionit me pikë maksimale, zyrtar të Ministrisë së Drejtësisë, kandidatë të partive në pushtet, djem dhe vajza të noterëve. Ka konflikt interesi ndërmjet shumë kandidatëve dhe anëtarëve të komisionit. Prandaj mendoj që ka bazë që ky konkurs të anulohet”, është shprehur për KALLXO.com kandidati.

Edhe anëtarja tjetër e komisionit, Merita Kostanica, ka thënë se bashkërisht i gjithë komisioni i ka hartuar pyetjet e provimit “…ju njoftoj se pyetjet janë punuar nga komisioni në përputhje të plotë me udhëzimin përkatës administrativ”.

Lidhur me pyetjen se a ka paraqitur ajo deklaratë për konflikt interesi me ndonjë nga kandidatët që i janë nënshtruar provimit me shkrim, Kostanica ka thënë se nuk e ka bërë një gjë të tillë pasi që nuk ka konflikt interesi me asnjë nga kandidatët për noterë.

“Ju njoftoj se asnjë nga kandidatët për noterë, të cilët kanë kaluar provimin me shkrim, nuk është familjarë i imi; as nga familja ime, as nga familja e bashkëshortit tim. Cilido kandidat që ta ketë pasur mbiemrin njësoj si mbiemri im i vajzërisë apo mbiemri im i dytë është vetëm rastësi”, ka deklaruar Kostanica për KALLXO.com.

Por ndryshe nga Kostanica kanë deklaruar palët të cilat kanë raportuar në KALLXO.com, sipas tyre anëtarja e komisionit Merita Kostanica në pesë raste ka konflikt interesi me pesë miq e mikesha të cilët e kanë kaluar provimin.

Të njëjtit kanë paraqitur edhe fotografi përmes të cilave pretendojnë të dëshmojnë për lidhjet shoqërore të Merita Kostanicës me disa nga kandidatët të cilët e kanë kaluar provimin me shkrim për noterë, e që sipas palës e cila ka raportuar në KALLXO.com, çuditërisht të gjithë këta kandidatë kanë fituar pikët maksimale.

Madje sipas palëve të cilat kanë raportuar në KALLXO.com, Ministria e Drejtësisë është dashur që të ndërmarrë masa për të parandaluar konflikin e interesit në mes të anëtareve të komisionit dhe kandidatëve, gjë e cila sipas tyre nuk është bërë prandaj sipas tyre provimi do të duhej të anulohej.

“Neni 6 i ligjit 06/L-011, përcakton konfliktin e interesit, në të cilën zyrtari ka interes privat, që ndikon, mund të ndikojë ose duket se ndikon në kryerjen me paanshmëri dhe objektivitet të detyrës së tij zyrtar. Tutje neni 8 përcakton detyrimin për zgjidhjen e konfliktit të interesit.

“Cilat masa janë marrë për parandalimin e konfliktit të interesit nëse është njoftuar Sekretari i Komisioni, a është nxjerrë vendim dhe nëse po si është shmangur situata pa u larguar Kryetari dhe anëtarët e Komisionit, (sepse nuk ka zëvendës të tyre) a është lajmëruar Agjensioni kundër Korrupsionit?”, kanë deklaruar palët për KALLXO.com.

Një gjë e tillë është e përcaktuar me nenin 8 të Ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

“Me marrjen e detyrës dhe gjatë ushtrimit të saj, zyrtari ka për detyrë të parandalojë dhe të zgjidhë vetë në mënyrën më efektive të mundshme, çdo situatë të konfliktit ndërmjet interesave të tij publike dhe private. 2. Në rast se zyrtari ka dyshime apo konstaton se konflikti i interesit ka lindur ose mund të lindë, ai duhet të këshillohet dhe të informojë sa më parë udhëheqësin e drejtpërdrejtë apo organin udhëheqës. Gjatë kësaj kohe, zyrtari duhet të pezullojë të gjitha veprimet që ndërlidhen me këtë çështje, deri në vendimin përkatës në lidhje me rastin. 3. Çdo udhëheqës dhe institucion udhëheqës duhet të marrë të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar dhe zgjidhur rastet e konfliktit të interesit” thuhet në paragrafin 1,2 dhe 3 të nenit 8 të ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik.

KALLXO.com ka provuar ta kontaktojë edhe ministrin e Drejtësisë, Abelard Tahiri, nga i cili ka kërkuar një interpretim lidhur me pretendimet e palëve por ai nuk është përgjigjur deri në publikimin e këtij artikulli.

Por më herët gjatë ditës, Tahiri ka reaguar ndaj deklaratave të deputetes së Vetëvendosjes, kryetare e Komisionit Parlamentar për Legjislacion, Albulena Haxhiu, e cila në një konferencë për shtyp, kishte folur për keqpërdorime në procesin e rekrutimit të noterëve të rinj.

Ministri Tahiri reagon: Çdo gjë reformuese është e papranueshme për VV

VV: Procesi i rekrutimit të noterëve të rinj është i komprometuar

Më poshtë gjeni listën e kandidatëve të cilët e kanë kaluar provimin me shkrim.

Lista e 22 qershorit

Lista e 2 korrikut

05 Korrik 2019 - 20:17

Blerta Iberdemaj 05/07/2019 - 20:17
NDËRVEPRIMI0
Prishtina Insight
NA NDIQNI

Send this to a friend