Drejtoresha e Administratës së Përgjithshme në Komunën e Shtimes dhe anëtarja e Bordit në Ndërmarrjen Publike “Kompania për Menaxhimin e Deponive”, Havë Qarri, Foto: Komuna e Shtimes

Dyshime për falsifikim të përvojës së punës për të hyrë në borde

Havë Qarri ka arritur të hyjë në rrethin e ngushtë e më vonë edhe të emërohet anëtare në bordin e Bordit e Kompanisë për Menaxhimin e Deponive, përkundër që nuk e ka plotësuar një prej kritereve të konkursit – përvojën e punës.

Ajo ka vetëm 1 vjet përvojë punë menaxheriale, si ushtruese e detyrës e Udhëheqëses së Prokurimit në Komunën e Shtimes.

Por, Ligji për Ndërmarrjet Publike dhe konkursi për bord kërkon që anëtarët e bordit duhet të kenë të paktën 5 vite përvojë – në një nivel të lartë të menaxhmentit.

Më 2 prill, Havë Qarri është zgjedhur anëtare e Bordit në “Kompaninë për Menaxhimin e Mbeturinave” me vendim të Qeverisë së Kosovës.

Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur mos-përputhje në mes të përvojës së punës që Qarri e ka shkruar në CV-në me të cilën ka aplikuar për bord dhe përvojës reale.

Qarri në CV-në e saj kur kishte aplikuar për pozitën e anëtares së Bordit në Ndërmarrjen Publike “Kompania për Menaxhimin e Mbeturinave”, kishte shkruar se ajo nga viti 2006 është e punësuar në Komunën e Shtimes si menaxhere e prokurimit. Ndërsa më poshtë ka shkruar se nga viti 2009 i ka menaxhuar kontratat në Komunën e Shtimes.

Sipas të dhënave të shkruara në CV-në e saj, e cila është publikuar në faqen e Zyrës së Kryeministrit, del që Qarri ka mbajtur pozitë menaxheriale në Komunën e Shtimes për gati 13 vite.

Por, Gazeta Jeta në Kosovë ka gjetur se ajo nuk i ka 13 vjet përvojë menaxheriale. Sipas të dhënave të cilat Gazeta JnK i ka siguruar nga Komuna e Shtimes, Havë Qarri është e punësuar në Komunën e Shtimes që nga viti 2006, por që nuk ka mbajtur pozita menaxheriale gjatë gjithë periudhës së saj të punësimit në këtë Komunë.

Pjesë nga CV-ja e kandidates Havë Qarreti ku flitet për përvojën e punës

Një pozitë e tillë menaxheriale i është dhënë së fundmi, kur më 1 mars të vitit 2018 deri më 4 mars 2019, ajo është emëruar U.D e Udhëheqëses së Prokurimit.

Ndërsa më 4 mars 2019, një muaj para se të zgjidhej anëtare e Bordit, Qarri është emëruar drejtoreshë e Administratës së Përgjithshme në Komunën e Shtimes.

Havë Qarri e ka pranuar për Kallxo.com se ajo ka përvojë menaxheriale vetëm një vjet, si U.D e Zyrës së Prokurimit në Komunën e Shtimes.

“Qe 13 vite jam e punësuar në Komunën e Shtimes, ndërsa periudha menaxhere e prokurimit është e specifikuar në CV. Ato (CV-të) i kemi dërgu vitin e kaluar kur kemi apliku kur ka qenë konkursi (për Bord). Unë jam punësu në Komunë nga viti 2006, si zyrtare pastaj si punë menaxheriale unë kam qenë U.D vetëm një vit, nga viti i kaluar deri në mars të këtij viti. Kur kam apliku në Bord kam qenë U.D e Zyrës së Prokurimit”, ka deklaruar Qarri.

Havë Qarri është emëruar në Bordin e “Kompanisë për Menaxhimin e Deponive” në kundërshtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike, pasi ajo nuk e ka përmbushur kriterin e përvojës 5 vjeçare të punës menaxheriale.

Në pikën b, të nenit 17 të ligjit ku flitet për “Kushtet e Kualifikimit dhe Përshtatshmërisë Profesionale” thuhet se një person ka të drejtë të bëhet drejtor nëse e plotëson kushtin që t’i ketë së paku 5 vjet përvojë pune në një nivel të lartë të menaxhmentit.

“Duhet ose (i) të ketë së paku pesë (5) vite përvojë – së paku në një nivel të lartë të menaxhmentit – në fushën e administrimit të biznesit, financave korporative, financa, menaxhim i thesari, banka, konsulencë në biznes ose industri ose nga një fushë tjetër e shkencës ose njohurisë e cila ka të bëjë me veprimtarinë afariste të NP-së; ose (ii) për së paku pesë (5) vite, të ketë qenë kontabilist publik, jurist i kualifikuar, ose anëtar i kualifikuar i një profesioni tjetër i cili ndërlidhet ngushtë me veprimtarinë afariste të NP-së. 17.4 Çdo Bord i Drejtorëve i një NP duhet të ketë së paku dy (2) drejtorë të cilët janë ekspert, ose së paku të kenë njohuri adekuate, në kontabilitet”, thuhet në pikën b, të nenit 17 të Ligjit për Ndërmarrje Publike.

I njëjti kriter është edhe pjesë e konkursit të publikuar në ueb-faqen e Zyrës së Kryministrit.

Duke ia bërë me dije Qarrit se kriter për të qenë drejtor në bordet e ndërmarrjeve publike është që së paku kandidati t’i ketë 5 vjet punë menaxheriale, ajo ka thënë për Kallxo.com se në Komunën e Shtimes ajo ka menaxhuar kontrata, edhe pse nuk ka qenë menaxhere e prokurimit për t’i nënshkruar ato.

“Aty ka mundësi që zyrtarët e prokurimit bëjnë punë menaxheriale se aty kam pas menaxhimin e kontratave, kam pas të gjitha punët e prokurimit në përjashtim të nënshkrimit të kontratave të cilat i ka nënshkruar menaxheri i kontratave. Ndoshta kanë mujtë që si punë menaxheriale me llogaritë edhe menaxhimin e kontratave”, ka shtuar Qarri.

Drejtoresha e Administratës së Përgjithshme në Komunën e Shtimes dhe anëtarja e Bordit në Ndërmarrjen Publike “Kompania për Menaxhimin e Deponive” ka thënë se ka kërkuar nga Agjencia Kundër Korrupsion konfirmim zyrtar dhe se është duke e pritur konfirmimin, nëse ka konflikt interesi për pozitat që është duke i mbajtur aktualisht.

“Unë e shqyrtoj pastaj pozitën se a do të jem drejtoreshë në komunë apo drejtor Bordi në ‘Kompaninë e Menaxhimit të Deponive’”, ka përfunduar ajo.

Hava Qarri është e punësuar në Komunën e Shtimes që nga viti 2006. Nga 5 korriku 2006 deri më 1 shkurt 2009, Qarri e ka mbajtur pozitën e zyrtares për arkiv. Nga 1 shkurti 2009 deri më 1 qershor 2004, ajo është zhvendosur në pozitën Asistente në Zyrën e Prokurimit. Prej 1 qershorit 2014 deri më 1 mars 2018, Qarri është emëruar Zyrtare e Prokurimit.

Kurse nga 1 marsi 2018 deri më 4 mars 2019, Hava Qarri ka qenë U.D e Udhëheqëses së Prokurimit. Këtë vit, më 4 mars 2019, kryetari i Shtimes, Naim Ismajli e ka emëruar Hava Qarrin, drejtoreshë të Administratës së Përgjithshme.

Më herët, Zyra e Prokurimit ka funksionuar si sektor, në të cilën kanë qenë një zyrtar i prokurimit dhe menaxheri i prokurimit kurse tash së fundmi është Prokurimi është shndërruar në Drejtori.