Belbëzimi mund të parandalohet

Belbëzimi nuk është gjë që nuk mund të parandalohet.

Shkenca e Logopedisë, sot ofron praktika dhe këshilla të shumta se si duhet të parandalohet apo eliminohet belbëzimi. Por, këto këshilla janë për prindërit, pra se si duhet të sillen ata që nga koha kur fëmija fillon t’i thotë fjalët e para.

Të folurit fëmija e zhvillon vetë, njëjtë si të ecurit. Kur fëmijë fillon e ngrihet në këmbë dhe bën hapat e para, nëna i rri mbi kokë nga frika se mos vritet. Kjo frikë dhe pasiguri e nenës ka kundër efekt. Ai fëmijë rrëzohet gjithmonë, më tepër se moshatarët e tij. Mendimi që lind tek fëmija se nëna është kudo bën që ai të rrëzohet nga shkalla dhe të eci edhe më vonë në kohë se moshatarët.

Fjalët fëmija fillon e i lidh me njëra-tjetrën ashtu siç lidh-hedh hapat. Ai do të shkojë tek dera dhe shikon derën, lëshon kokën përpara dhe as që pyet për këmbët që i hedh në momentin kur është gati të bjerë. Po kështu edhe fjalitë, të pasigurta, të mangëta, të palidhura në fillim, por përpjekje e madhe, si tek të ecurit, por e natyrshme ama. Ç‘ndodhtë me fëmijën kur dora e nënës ishte kudo? Po sikur ajo ta mbante vetëm në krah, a do ta zhvillonte vallë të ecurën? Pak a shumë e njëjta gjë ndodh edhe me të folurën.

Fëmija futet vetë në të folur, me dëshirë, se ka nevojë të komunikojë, njësoj siç bën kur “shkon tek dera për të ecur”.

Në këtë periudhë, pra 2-4 vjeçare, ka shumë fëmijë që duan të thonë shumë gjëra pasi i dinë, duan, si të thuash, të venë me vrap tek dera por s’munden. Të shprehurit rrjedhshëm është si të vrapuarit, do kohë të arrihet, prandaj familja duhet të ketë durim dhe të mos kërkojë diçka më tepër nga fëmija i tij.

Ndaj fëmija fillon e i ndërton fjalitë “shatra- patra”, pengohet e përsërit, lë përgjysmë e fillon nga e para. Prindërit, nga dëshira që të shohin fëmijën menjëherë “bilbil” që në këtë kohë, por edhe sepse ju duket çudi se pse ai nuk flet si ata, (mendo këtu atë prind që ka ndonjë eksperiencë me belbëzimin), fillojnë nga këshillat, mësimet si të flasësh, porositë, korrigjimet, thuaje kështu, jo ashtu, përsëritjet, kritikat, shembujt etj. Kjo praktikë s’bëjnë gjë tjetër veçse ndihmojnë në instalimin e belbëzimit, aty ku gjejnë terren.

Madje ka prindër që janë tepër anksiozë, perfeksionistë dhe që tregojnë një frikë të tepruar për të folurit e fëmijës. Kjo frikë e prindërve kalon pastaj te fëmija, duke krijuar në këtë mënyrë çrregullime të vërteta të foluri të tij.

Çfarë mund të bëjnë prindërit?

Është e nevojshme që fëmija të ndihet i sigurt duke qenë i rrethuar me dashurinë e prindërve dhe të rrethit. Disa të rritur janë aq të papërgjegjshëm sa që mund të shkaktojnë te fëmija pasiguri dhe ngurrim gjatë të folurit.

Mbani qëndrim të qetë gjatë dëgjimit dhe bisedimit me fëmijën. Në këtë mënyrë ai do të jetë më i qetë, kështu që do të zvogëlohet pasiguria dhe ngurrimi në të folurit e tij. Mos e ndërprisni fëmijën tuaj apo ti thoni të fillojë nga fillimi. Mos i thuani fëmijës tuaj të mendojë para se të flasë. Krijoni atmosferë të qetë në shtëpi. Mundohuni të ngadalësoni ritmin në jetën familjare. Flisni ngadalë dhe qartë me fëmijën tuaj apo me të tjerët në prani të tij. Nxiteni rekreacionin. Aktivitetet e lira siç janë: sporti, lojërat, hobi, anëtarësia në ndonjë klub, janë të domosdoshme për shëndetin fizik dhe psikik të fëmijës.

Nëse fëmija juaj është 5 vjeç dhe ende belbëzon, atëherë konsultohuni me ndonjë logoped.

Prindërit duhet të kontaktoni me logopedin nëse:

  • Përsëritja e tërë fjalëve dhe frazave bëhet e vazhdueshme
  • Përsëritjet e tingujve dhe rrokjeve fillojnë të bëhen më të shpeshta
  • Ka një rritje të zgjatur të fjalëve
  • Të folurit fillon të bëhet më i vështirë dhe më i tendosur
  • Vëreni tensione të shtuara të fytyrës apo ngushtësi në muskujt e të folurit
  • Vëreni tensione vokale si rezultat në të folurit me zë të lartë
  • Fëmija juaj tenton të shmang situatat që kërkojnë të folur
  • Fëmija juaj ndryshon fjalët nga frika nga belbëzimi

Autorja është Logopede