Rëndësia e logopedit për nxënësit

Logopedia është shkenca e cila merret me parandalimin, zbulimin, diagnostikimin dhe trajtimin e çrregullimeve të gjuhës, të folurit, zërit, gëlltitjes, leximit dhe shkrimit.

Krahas rëndesisë, ky profesion vazhdon të ushtrohet në qendra dhe në ordinanca private, por pothuajse në të gjitha shkollat e Kosovës mungon. 

Logopedia Veranda Gashi thotë se prezenca e një terapeuti për të folur dhe gjuhës është shumë e nevojshme nëpër institucione të ndryshme, po veçanërisht në ato shkollore.

Sepse sipas saj, ndërhyrja e terapistit, do të ishte më e nevojshme në rastet kur fëmija ka vështirësi në mësimnxënie, lexim apo shkrim, nevojë shtesë për operacionet matematikore, në rastet kur fëmija ka keqartikulim të tingujve të caktuar.

“Bashkëpunimi me një logoped ne ambientet shkollore se pari do te bënte  parandalimin e çrregullimeve te ndryshme e me pas do te ishte edhe nje ndihmës shumë e madhe për prindërit, mësimdhënësit po edhe për vet nxënësit te cilët do te kishin qasje me te lehtë brenda procesit mësimor”, thotë ajo. 

Përveç kësaj, logopedia që punon në organizatën “HandiKos” në Drenas thotë se ndër sfidat e shumta është edhe bashkëpunimi i mangët fillimisht nga ana e prindërve e më pas edhe profesionistëve të tjerë në procesin e terapisë.

Ajo tregon se funksioni i logopedit brenda kësaj qendre është të rehabilitojë raste të ndryshme të cilat referohen tek ta, rehabilitim ky me bazë linguale.

Në këtë qender trajtohen raste të ndryshme ku përfshihen edhe çrregullimet specifike si: sindromi Down, çrregullimi i spektrit të autizmit, retardime.

“Me secilin nga fëmijët përdoren metoda të ndryshme me vartësi nga lloji i çrregullimit. Si profesionist së pari marrim të dhënat nga prindërit rreth fëmijës e më pas shikohen edhe dokumentacionet nga profesionistë të tjerë. Pasi që është kryer periudha e obvservimit të rastit, hartohet plani terapeutik ku caktohen 3 ose më shuë objektiva brenda një periudhe kohore të caktuar”, shprehet logopedia nga Drenasi. 

Autorja Ariola Qorri është nxënëse e gjimnazit “Gjergj Kastrioti Skendërbeu” në Drenas.

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.