Pamje nga Skenderaj

AGPK: Gazetari Meta Kërcënohet nga Zyrtarët e Skenderajt

Zyrtarët e Komunës së Skenderajt dhe kreu i saj, gjatë gjithë mandatit, e kanë penguar gazetarin Adem Meta në punën e tij, ndërkaq që disa herë gjatë këtij viti e kanë paralajmëruar se “pasojat do t`i vuajnë” edhe fëmijët dhe familja e gazetarit, thuhet në një komunikatë shtypi të AGPK-së.
 
Asociacioni ka në dijeni edhe një rast kur kryetari i kësaj komune, Sami Lushtaku, është përpjekur që ta sulmojë fizikisht gazetarin Meta, por është ndalur nga bashkëpunëtorët e tij.
Kërcënime ndaj Metës ka bërë edhe nënkryetari i kësaj komune dhe familjarë të tij, pas një artikulli që raportonte për asfaltimin e rrugës pranë shtëpisë së nënkryetarit.

Duke marrë për bazë të gjitha këto kërcënime, dhe duke e pasur parasysh se për të gjitha ekzistojnë dëshmi, AGPK-ja e ka mbështetur Metën në ngritjen e një kallëzimi penal ndaj Lushtaku në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

AGPK-ja u bënë thirrje institucioneve të drejtësisë në Kosovë dhe EULEX-it që ta kenë parasysh këtë rast të rrezikimit të gazetarit për shkak të punës së tij.

Ky asociacion iu bënë thirrje zyrtarëve të Komunës së Skenderajt dhe kryetarit Lushtaku që të heqin dorë nga kërcënimet dhe shantazhet ndaj gazetarit dhe t`i adresojnë pakënaqësitë e tyre në rrugë ligjore.

“Kërcënimet se ‘shokët e mi kanë më u marrë me ty’, angazhimi i zyrtarëve të komunës për ta përcjellë gazetarin dhe mesazhet për familjarët e tij, tejkalojnë çdo sjellje normale të një institucioni karshi një gazetari dhe shkelin rëndë lirinë e shtypit”, thekson AGPK.