Vitet me Frikën e Piromanit

Tymi që vazhdonte të dilte nga stalla që i ishte djegur një natë më parë, dukej sikur i gufonte edhe nga shpirti Ramë Oruqit, të shtunën. Burri shtatëmesëm, rreth të gjashtëdhjetave, tradhtohej nga lotët, gjersa kujtonte se të gjitha bereqetet e vjela gjatë kësaj vere, i ishin bërë shkrumb vetëm për një natë.

Lotët atij nuk i kishin ‘pikur’ as në kohën kur Kërnica e Klinës, ku ai jeton, ishte kapluar nga lufta. Ankthi se flaka një natë mund të futet edhe brenda shtëpisë së tij, e bën të mos ndjehet rehat. Tani armiku i fshatit është krejt i panjohur.

Zjarri në stallën e tij ishte i shtatëmbëdhjeti me radhë që dikush e ndezë në Kërnicë. Policia ende nuk ka rënë në gjurmët e piromanit i cili tash e tri vjet u afrohet natën me kujdes stallave dhe ushqimit të bagëtive dhe me shpejtësi i vë ato në flakë. 

“Janë djegë hambarë me ushqim kafshësh, mullarë me sanë, fqinjit më lartë para pak ditësh iu dogj ahuri me gjithë bagëti e drithë që i kish brenda, ka djegë edhe gardhiqe e të mbjella të gatshme…”, tregon Oruqi.

“Këtu më nuk ka mbetur tjetër, pos të fillojmë të bëjmë roje me rend. Ndryshe, qysh është nisë kjo punë, një natë do të kallë dikë me krejt familjen…”, shprehet Oruqi, gjersa i shkujdesur sjell kapelën mbi kokë.

Njëqind metra prej shtëpisë së Ramë Oruqit, dy stalla të mëdha kafshësh po ashtu janë bërë shkrumb para dy muajsh, bashkë me ushqimin që gjendej brenda tyre.

Pullazi i stallës së Ajet Bojës, ka qenë i lidhur me shtëpinë. Ishte vërtet fat që reagimi zuri vend shpejt dhe shtëpia ka shpëtuar pa e kapluar flaka.

Pak më poshtë, është djegur edhe stalla e të vëllait të Ajetit.

Trishtimi bëhet më i madh pasi fshatarët besojnë se zjarrin po ua vë dikush që ndoshta tërë ditën është me ta. Kur humbë pasuria, humbë dhe shpirti.

Fshati ka rreth një mijë banorë, kurse dhimbjen e familjeve të dëmtuara po e përjetojnë thuajse të gjithë. Ata presin se një natë do të jenë “nikoqirë” të piromanit. Ky apo kjo nuk ndalet.

Sivjet, për të dytën herë, ai ka djegur pronat e Ramadan Berishës. “Janë bërë rreth 10 mijë euro dëme”, thotë kryefamiljari, i cili ndezjen e duajve të kashtës para disa muajsh e kishte tejkaluar lehtë. Por, “kupa” është mbushur, kur atë e vizitoi sërish personi që djeg.

Me ardhjen e fundit të tetorit, kur Ramë Berisha, gardian në Burgun e Dubravës, ishte në “gjumë të vdekjes”, pas një nate të lodhshme kujdestarie, piromani i kishte ndezur stallën. Në ora 3 të natës, djali i tij 16 vjeçar, Qëndrimi, pasi kishte dëgjuar flakën, kishte shoqëruar të atin për të parë se çka po ngjet.

Kryefamiljari kishte shtënë në ajër me pushkë gjuetie, e këtë kohë, Qëndrimi po i rezistonte tymit të madh në ahur, për të shpëtuar bagëtitë. “Kam hy për dritare dhe i kam lëshuar lopët. Por, ato nuk dilnin sepse ishin diqysh të hutuara. Thjesht mezi i kam nxjerrë disa, kurse dy tjera janë djegë në pjesën e gjinjve, në kofsha…”.

E Qëndrimi, sado që e ka pasur besnik të madh, nuk ka rritur ta shpëtojë qenin e tij. Flaka që kishte kapluar ahurin kishte mbërritur edhe në ‘shtëpizën e tij’ duke i marrë jetën qenit. Familjes, me këtë rast, i ishin djegur edhe rreth 35 shpezë, bashkë me ushqimin e kafshëve, drithin dhe pajisje tjera pune.

Reagimi i policisë ka filluar t’i zhgënjej banorët. “Policia po na thotë neve, ndihmona ta gjejmë…”, thotë Ramadan Berisha. “Tash kam filluar të dyshoj në të gjithë”.

“Një polic më tha që të kërkoj prej katundit që të bëjnë be…”, thotë ai, gjersa sjell kokën nga këto deklarime që kanë bazë bestytnie. “Se, tha t’u kanë djegë pulat e ato po u dëftuakan tek ai që m’ka djegë’”.

Por ai nuk e ka ndërmend që të humbë besimin në katundin e tij, sado që dyshimet nuk i mungojnë. “Nëse unë kërkoj në katund që ata të bëjnë be, atëherë më s’mbetet mu taku ata, mbas asi akti”.

foto
Foto: Arbresha Robovci

Policia thotë se po heton rastet me shqetësim. Zeqir Kelmendi, zyrtar policor për marrëdhënie me publikun në rajonin e Pejës, thotë se zjarret që janë vënë në komunën e Klinës janë jo të zakonshme.

Por, sado që thotë se po zhvillojnë hetime intensive, ai konfirmon se vetëm një person ishte shoqëruar vitin e kaluar në polici, nën dyshimin se ka mundur të jetë piromani. Megjithatë, provat për të munguan. Ai është lëshuar në shtëpi, kurse më për policinë nuk ka as të dyshuar.

Policia, sipas Kelmendit, nuk paragjykon, nëse bëhet fjalë për dikë që djeg me qëllim, ose që e ka sëmundje piromaninë.
 
Neuropsikiatri Fahri Drevinja thotë se piromania, hyn në grupin e sindromeve të posaçme psikiatrike, në çrregullimet e impulseve dhe shprehive dhe konsiderohet si prapambetje mendore.

“Karakterizohet me tentime për të ndezur dhe me vënie të shumta të zjarreve në objekte te ndryshme, ndaj personave të ndryshëm, pa ndonjë motiv të qartë”.

Drevinja thotë se tek piromani, janë evidente shqetësimet, kënaqësitë dhe nevojat e tij për ta parë dhe përjetuar në mënyrën e tij djegien.

Këta persona, sipas Drevinjës, ndikohen lehtë nga keqbërësit për të kryer akte të tilla.

Por, Drevinja përjashton mundësinë që në Kërnicë të jetë ndonjë person që piromaninë e ka sëmundje. Aty, sipas tij, më tepër mund të flitet për ndonjë keqbërës ose ndonjë person të paguar a hakmarrës, e që mund të ketë edhe këto çrregullime.

Piromani i vërtetë, sipas Drevinjës, nuk do te fshihej fare. Piromani do të kënaqej dhe do të mburrej me veprimet e tij.