Uka Mund të Dënohet Përjetë

Prokurorët gjermanë kërkuan sot burgim të përjetshëm për shqiptarin nga Kosova, Arid Uka, i cili në mars 2011 vrau dy ushtarë amerikanë në aeroportin e Frankfurtit në Gjermani.

Një prokurori federal tha para Gjykatës Rajonale të Qarkut në Frankfurt, se Arid Uka, 21-vjeçar, duhet të ballafaqohej me dënimin maksimal për vrasjen e dy ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, më 2 mars të vitit 2011, transmeton Radio Evropa e Lirë.

Dy ushtarë të tjerë amerikanë ishin plagosur, kur Uka kishte hapur zjarr në grupin e ushtarëve të Shteteve të Bashkuara, në Aeroportin e Frankfurtit, derisa ata po pritnin fluturimin për në Afganistan.

Prokurori tha se Uka, i lindur në Mitrovicë të Kosovës, duhet të mbetet prapa grilave për më shumë 15 vjet, i cili është dënimi i zakonshëm, për shkak të ashpërsisë së rastit.

Fillimisht, vrasjet ishin cilësuar si të motivuara nga ekstremizmi islamik, të parat të këtij lloji në Gjermani.

Por, prokurorët besojnë se Arid Uka, që është por është rritur në Gjermani, ka vepruar i vetëm dhe nuk i ka takuar ndonjë grupi terrorist.

Në hapjen e gjyqit në gusht, Uka pranoi vrasjet dhe tha se ai donte të kërkonte falje për viktimat dhe familjet e tyre, ndërsa aktin e tij e quajti “idiotësi totale”.

Ai tha se u ndikua nga “gënjeshtra” dhe “propaganda” pasi pa një video në internet,  që besonte se tregonte ushtarë amerikanë në Afganistan derisa përdhunonin një grua lokale, shkruan expatica.com.

Shpallja e dënimit pritet të bëhet më 19 janar.