Trupi Është i Shenjtë

Nga lart është nisur e poshtë për të zbritur, udhëtim të mundimshëm para vetes ka (sfida e radhës për ty Phd – ‘top-down’). 

Njëherë e një kohë, sikur na e tregojnë historinë, ajo ishte republikë virtuale. Që do të bëhej e gjallë logjika (sidomos ajo) pak e ka lejuar; që ishte ngazëlluese, çdo Phd i zoti as që e ka vënë në dyshim. 

Kur moti është i përshtatshëm, kushtet lejojnë dhe copëzat e fatit e mundit bashkohen, ato ngjizin mrekulli. Kosova reale mund të ketë qenë e fundit që Papa Gjon Pali II kishte jetuar para se ta shuante vdekja. Por, RKS, mbetet disi me një këmbë në ‘botën mendore’. Fuqimisht e dhënë pas mendjes dhe përkryeshmërisë së saj. 

Rreth 3 miliardë euro vetëm të Bashkimit Europian janë investuar për të krijuar institucione qendrore e lokale. Me një fjalë, trurin gjithëpërfshirës (mastermind). Pjesa lokale e tij kontrollon mbamendjen, temperaturën e përgjithshme, gjatësinë e fjetjes dhe durimin ndaj varfërisë, kjo qendrorja aftësinë për të komunikuar me jashtë, kapacitetin e frymëmarrjes dhe vendimeve të mëdha – sidomos atyre strategjike. 

Në shumimin e trurit gjithëpërfshirës vazhdon të investohet me zemërgjerësi. Vetëm për kthimin e trurit nga jashtë dhe ndonjë përngjasimi shkencor, Qeveria e Kosovës edhe për vitin 2012 ndau rreth një milionë euro. Ata shkencëtarë që do të vendosin të përkrahin qëllimet e saj zhvilluese, sidomos të kaluarën e saj të bujshme, s’do të kenë nevojë as të brengosen për anën materiale. Dhe kjo nuk kufizohet vetëm me akademikët gojëmjaltë. 

Lajmet vazhdojnë të japin paralajmërime se studimet e universiteteve prestigjioze po i hapin rrugë horizonteve të reja për njerëzimin. Një studim i ri do të lejojë shfrytëzimin e hapësirave të paprekura të trurit. Këto janë lajme të mira për një vend që ka investuar strategjikisht. Kosova ka të hapura 18 universitete publike e private. Me buxhetin e ri, 2,3 milionë janë ndarë për ndërtesën e agjencisë inteligjente që do të jetë garantues i mbrojtjes së trurit, një milion për ‘e-qeverisje’ që truri të mos pengohet nga jo-efektiviteti tradicional, një milion për ‘ndër-operacionalitet’ që pjesët e trurit të bashkërendohen mirë mes vete dhe një milion për ndërtesën e operës dhe teatrit ‘Ibrahim Rugova’ që truri të inspirohet e ndihet mirë. 

Gjeni ka pasur vetëm në mesjetë (“epokën e errët”) dhe një syresh paskësh thënë që mendja e shpirti gjithmonë jetojnë bashkë, në fund të fundit. Phd, kjo është inkurajuese për ju. Kështu, edhe Kosova reale ndërtoi më tutje në shpirtin e saj, edhe ashtu të madh e tredimensional. Pasi i kalli kishat e dala mode, i rinovoi ato dhe ua qepi me kujdes kornizat. Gati heshtazi ndërtoi jo më pak se 500 xhami, në çdo fshat e qytet, edhe atje ku fjala e Zotit mund të mos mbërrijë deri në vitin e kthesës – 2012. Sa për paratë, ajo edhe ka të ngjarë të mos ketë mundur t’i masë nga i vinin.  

Në këtë delir valleje me zota e çudira mendore, ajo ka harruar krejt trupin. Ku është më i parëndësishëm trupi e më i torturuar në tokën e dendur?

Një mjek domosdoshmërisht i mençur kosovar, në bashkëveprim me vjehrrit që thanë se kishin Zotin dhe dëshmitarë të tjerë me ta, i hoqi beben një gruaje të re në Gjilan, pa dijeninë e kësaj të fundit. “You don’t know Jack”? Atë, anën tjetër? Mjekësi e botës, çlirohu. Betimi i Hipokratit nuk ka ekzistuar kurrë.   

Ca X roje të trurit, që estetikisht edhe ato duhet të përfaqësojnë vullnetin e të madhit në tokë, kishin aq shumë dyshime në kualitetin e mendjes së një dëshmitari sa me tërë kujdesin e trajtonin spitaleve e kur ky nuk donte e frikësonin me lodra revolesh ose instalacione shpërthimesh. Ishin të bindur se një ditë X do vinte shëndet, e do tregonte historinë siç ishte. Mos vini bast në atë se rojet kanë llogaritur se X do t’i binte një ditë ‘exit-rrugës’. 

Gjyqtarë, zyrtarë qeveritarë, mjekë, ekonomistë dhe juristë – me një fjalë, profesionistët më të mirë që truri mund të nxjerrë – u bashkuan në Medicus për ta tallur trupin dhe për t’i hequr atij pjesë të panevojshme. Ata vërtetuan paradoksin teorik – njeriu është e vetmja krijesë që mund të shitet më shumë për pjesë (20,000 euro një veshkë). Phd, ju e keni nënvizuar këtë. 

Po a është Kosova e sotme reale aq e ndryshme prej Kosovës reale të dikurshme? Në stacionin e policisë në Gjakovë, mendja e shpirti mund të rrinë ku të duan, por trupi vazhdon të ketë përvojat e njëjta – të maltretimit. Vërtet, ku rron ti, trup?

Dhe, prapë, mendja vendosi që as buxheti i vitit 2012 nuk kishte vend për sigurime shëndetësore në një shtet real ku realisht, sipas Akademisë së Shkencave dhe Arteve (kryetrurit), vetëm Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) liron 5.8 milionë dioksid karboni, ndërsa në qytete si Vushtrria e Hani i Elezit përqindja e plumbit kap 0.32 mikrogramë për kub metër brenda 24 orësh. As këtu trurin nuk e ka ndihmuar logjika, pasi sistemit nervor i kërcënohet përmbajtja toksike. 

Truri sidomos hezitoi të jetë i gjerë ndaj sportit. Me përjashtim të disa palestrave sportive në Drenas, Skenderaj, Deçan, Istog etj., ai vendosi të mburrej me qëndrimin e “muskujve të tharë” (‘muscle drain’), njëjtë sikur bën gati e gjithë liga e të painkuadruarve, ani pse në botën e vet ‘mendore’, për ku liberalizim vizash nuk duhet, synon njëllojshmërinë me Perëndimin. Sporti duhet të presë mëshirë verat e tjera. Kosovari është shumë i mençur të ëndërrojë dhe të bëhet sportist. 

Sigurisht se të shumtë janë ata që njohin asi të mbërriturish për të cilët shoqëria kosovare s’meriton të respektohet. Se është thjesht një masë trupash të padallueshëm. Të cilët kënaqen me lëndime njerëzish dhe me jetë trupash të çoroditur. 

Por, jeta me siguri nuk vlen pa njerëz tjerë. 

Ajo duhet të ketë kuptim sa njeriu është gjallë.

Për dallim prej mendjes, trupi nuk gënjen, nuk është hileqar dhe është fisnik. Mendja e shpirti pa trup janë asgjë. Trupi është i shenjtë! Trupi kosovar ka të gjitha arsyet për të qenë i revoltuar.