Thirrje që Qendra e Shkupit të Emërtohet “Aleksandri”

Todor Petrov, kryesues i organizatës joprofitabile mbarëmaqedonase – Kongresi Botëror Maqedonas, u ka bërë thirrje autoriteteve që t’ia vënë emrin e mbretit të lashtë luftëtar, komunës së Shkupit, tani e quajtur Qendra.

Në revistën elektronike “Kombi Maqedonas”, gjatë fundjavës, Petrov ka thënë se do të ishte e logjikshme që Komuna të riemërtohet me emrin e Aleksandrit të Madh, pasi që ajo tashmë është pasuruar me një statujë gjigante të këtij luftëtari; dhe se shpejti do të ketë edhe një statujë po aq të madhe të babait të tij, Filipit të Maqedonisë.

Edhe pse nuk është zyrtarisht e lidhur me partinë në pushtet të qendrës së djathtë VMRO DPMNE, kjo OJQ konsiderohet si e afërt me qeverinë.

Zyrtarët e Komunës Qendër nuk kanë thënë nëse do të mbështesin idenë. “Deri tani ne nuk e kemi konsideruar një riemërtim të tillë. Ne vetëm kemi dëgjuar për të, nga mediat. Kur propozimi të arrijë zyrtarisht, do ta shqyrtojmë atë”, i tha zëdhënësi i komunës, Jovica Ackovski, Gazetës JnK.

Opozita Social-Demokrate e Maqedonisë tha se është kundër riemërtimit të Qendrës, duke thënë se ajo vetëm do të shkaktojë probleme të tjera me Greqinë.

Marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë dhe Greqisë janë të tensionuar, për shkak të grindjes qe dy dekada, për emrin e Maqedonisë. Duke përmendur çështjen e pazgjidhur, Greqia ka bllokuar përparimin e Maqedonisë drejt anëtarësimit në BE, si dhe në NATO.

Greqia këmbëngul se përdorimi i “Maqedonisë” nga fqinji i saj, nënkupton një pretendim territorial të vetë krahinës së saj veriore, me të njëjtin emër.

Origjina e Aleksandrit të Madh është gjithashtu pjesë e mosmarrëveshjes, pasi që dy vendet fqinje kanë pikëpamje të ndryshme mbi historinë e lashtë. Mbreti luftëtar është një nga shumë figura historike dhe simbolet e pretenduara nga të dy shtetet.

Verën e kaluar, zyrtarët grekë fuqimisht dënuan ngritjen nga Maqedonia të një statuje gjigante të Aleksandrit në zemër të kryeqytetit, duke e quajtur “provokative” dhe vendim “prapakthyes”.

Çështjet nuk u përmirësuan as kur Maqedonia zyrtarisht iu referua statujës si “Kalorësi Luftëtar”, për të shmangur grindjet shtesë.

Që nga koha kur Nikolla Gruevski erdhi në pushtet në vitin 2006, Maqedonia ka riemëruar aeroportin e saj kryesor në Shkup me emrin e Aleksandrit të Madh, ndërsa stadiumi i futbollit në kryeqytet u riemërua me emrin e Filipit.

Portali në internet SKY.mk, i konsideruar si i afërt me opozitën, shkruan se qeveria po shqyrton edhe disa qytete të tjera dhe riemërtimin e komunave në stilin e njëjtë, nëse vendi përsëri nuk arrin të bashkohet me NATO-n, për shkak të bllokadës greke. Samiti i ardhshëm i NATO-së mbahet në muajin maj, në Çikago.

Zëdhënësi i Qeverisë, Martin Martinovski, i hodhi poshtë këto pohime për Gazetën JnK, duke këmbëngulur se “emrat e komunave nuk kanë asgjë të bëjnë me përpjekjen e vendit për anëtarësim në NATO”.