Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi (majtas) i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak dhe kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq./Grafika:REL

Takimi në nivel kryenegociatorësh pas kushteve të vëna nga Kurti, skepticizëm për rezultate konkrete

Analistët politikë nuk presin rezultate konkrete nga takimi i kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësimin e BE-së. Ata vlerësojnë se tri kushtet e kryeministrit Albin Kurti për normalizimin e marrëdhënieve mund të jenë më tepër për qëllime elektorale

Ndonëse angazhimi i Kosovës në procesin e normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë u kushtëzua nga tri garanci që kryeministri Albin Kurti i kërkoi prej ndërmjetësve të Bashkimit Europian gjatë javës së kaluar, një takim në nivel kryenegociatorësh, me ndërmjetësim të emisarit Mirosllav Lajçak, megjithatë u planifikua që të mbahet të martën, më 02.07.2024.

Tri garancitë e Kurtit; nënshkrimi i marrëveshjes bazike për normalizimin e raporteve, tërheqja e letrës së ish-kryeministres serbe dërguar shteteve anëtare të BE-së dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit, pasuan me mosmbajtjen e një takimi trelateral me ndërmjetësit dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Këta të fundit, sipas ekzekutivit kosovar, nuk ishin të gatshëm t’i plotësonin këto kushte.

Për takimin në nivel kryenegociatorësh, në të cilin u paralajmërua se do të punohet për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes bazike për normalizimin e marrëdhënieve, njohësit e politikës së jashtme nuk presin ndonjë rezultat konkret.

Teksa komenton takimin e sotëm, analisti politik dhe njohësi i çështjeve evropiane, Dritëro Arifi thotë se pavarësisht kushteve të Kurtit për presidentin serb, pjesëmarrja e zëvendëskryeministrit Bislimi nuk e tejkalon takimin bilateral mes Kosovës dhe BE-së. Ai shton se mes këtyre dy të fundit, nuk duhet të ketë ksuhte.

Arifi konsideron se nëse Bislimi takohet me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, atëherë kushtet e Kurtit “janë për mbeturina dhe nuk kanë vlerë”.

“Nëse Bislimi takohet me Petkoviqin, atëherë kushtet e Kurtit janë për mbeturina, pra nuk e kanë asnjë vlerë. Atëherë, në njëfarë mënyre [Kurti] po e mashtron publikun me joparimin e tij kinse parimor. Do të ishte e turpshme nëse Bislimi do kishte takim me Petkoviqin, pikërisht për shkak të kushteve që i kemi dhënë javën e kaluar. Pra është non- sense në vete, një politike joshtetërore dhe palaço politikë. Prandaj nuk është dashur të folët nëse nuk e kanë seriozisht të bëjnë politikë”- është shprehur Arifi në një prononcim për KALLXO.com.

Ndërsa Abit Hoxha, ligjërues dhe hulumtues në Universitetin e Agder në Norvegji, vlerëson se kushtet simbolike ndaj Serbisë vetëm sa e vendosin Kosovën në një pozitë të pafavorshme me miqtë ndërkombëtarë.

“Këto kushtet simbolike ndaj Serbisë vetëm sa e vendosin Kosovën në pozitë të pafavorshme me miqtë ndërkombëtar dhe vështirësojnë punën”- ka theksuar Hoxha në një përgjigje për KALLXO.com.

Analisti Arifi thotë se nga takimi i sotëm në Bruksel nuk pret fare rezultat, megjithatë sipas tij, nëse Bislimi takohet shkelen të gjitha parimet.

Sipas Arifit, Kurti do ta përdorë si “kartelë të fortë”, çështjen e kushteve në fushatën zgjedhore, pasi siç thotë ai, “Kurti po kalkulon gjithçka për zgjedhje”.

“Nga ky takim i sotëm nuk pres fare rezultat edhe nëse ka takim trelateral, duke e ditur se Kurti po mendon vetëm për zgjedhje. Pra nëse takohet Bislimi shkelen të gjitha parimet … I bie që në zgjedhjet e ardhshme do ta nxjerrin si kartë të fortë që ja ne nuk i bëmë disa gjëra sepse ne besojmë në këtë apo në atë. Kështu që në njëfarë mënyre më shumë është politikë populiste se sa politikë shtetërore. Por, shpresojmë të mos ndodhë kjo e para”- nënvizon Arifi.

As Hoxha nuk pret ndonjë rezultat konkret nga takimet. Ai thotë se kjo ndodhë përderisa ka kushte nga Kosova, edhe pse sipas tij, është në interesin më të mirë të vendit që të përparojë agjenda e dialogut.

“Nuk pres ndonjë rezultat konkret përderisa kemi retorikë të tillë, pra kushte nga Kosova, edhe pse është në interesin më të mirë të Kosovës që të përparoj agjenda e dialogut”- deklaron Hoxha.

Me ndërmjetësimin e emisarit të Bashkimit Europian, Mirosllav Lajçak, kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, pritet që të takohen sot më 02.07.2024 në Bruksel në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve.

Radio Evropa e Lirë raporton se takimet ndaras vetëm se kanë filluar, dhe se varësisht nga rrjedha takimeve dypalëshe dhe nga gatishmëria e palëve, Lajçak mund t’i takojë Bslimin dhe Petkoviqin në një takim trepalësh.

Nga BE-ja kanë bërë të ditur se palët do të diskutojnë për “nisjen urgjente me zbatim të Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të marrëdhënieve”.

Ndërsa emisari Lajçak ka paralamëruar se në takimin me kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, do të punojnë për hapa konkret për zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes bazike.

Diskutime sfiduese “si kurrë më parë”, i ka cilësuar Lajçak takimet më 26.06.2024, kur ai me Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Josep Borrell zhvilluan takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Javën e kaluar, Borrell dhe unë pritëm Presidentin Vuçiq dhe Kryeministrin Kurti në Bruksel për një tjetër takim të Dialogut Beograd-Prishtinë. Fatkeqësisht, nuk kemi parë ndonjë përparim në zbatimin e Marrëveshjes për Rrugën e Normalizimit. Diskutimet ishin sfiduese si kurrë më parë. Megjithatë, puna jonë vazhdon nesër kur do të mbledh Kryenegociatorët për të përpunuar hapat konkretë për zhbllokimin e zbatimit të Marrëveshjes”- ka shkruar Lajçak në Facebook.

Takimi mes dy kryenegociatorëve u paralajmërua edhe javën e kaluar në Bruksel nga Borrell.

Në anën tjetër, më 26.06.2024, shefi i diplomacisë së BE-së bashkë me Lajçak, zhvilloi takime të ndara me kryeministrin Kurti dhe me presidentin Vuçiq, porse një takim trepalësh nuk ndodhi.

Kjo, pasi Kurti kishte prezantuar tri kushte për angazhimin e tyre të mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve.

Kryeministri theksoi se përmes tri kërkesave ka kërkuar garancion për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilët, sipas tij, mundësojnë zbatimin e marrëveshjes.

“Siç e tha edhe vetë Borrell, unë kam kërkuar garanci për mirëbesim dhe vullnet të mirë të cilat mundësojnë zbatimin e marrëveshjes. Nuk mund të ketë zbatim të marrëveshjes pa mirëbesim dhe pa vullnet të mirë dhe këto vijnë nëpërmjet tri garancive që kam theksuar. E para është nënshkrimi i marrëveshjes bazike. Vetëm nënshkrimi  marrëveshjes sjell sigurinë ligjore juridike dhe anulon shkeljet e mëhershme”- u shpreh ai.

“Garancia e dytë është tërheqja e letrës së Bërnabiq sepse aty thotë që nuk pranohet pavarësia e Kosovës, ulësja në OKB dhe integriteti territorial … Kurse garancia e tretë që kam kërkuar është dorëzimi i kryekriminelit Milan Radoiçiqit dhe i bandës së tij terroriste autoriteteve të Kosovës. Ne nuk mund ta ngjallim rreshterin e vrarë Afrim Bunjakun, por Serbia duhet të na dorëzojë Millan Radoiçiqin”- shtoi Kurti.

Kryenegociatorët Bislimi dhe Petkoviq kanë mbajtur një sërë takime trepalëshe me ndërmjetësim të Lajçak, porse shumica prej tyre si fokus kanë pasur çështjen e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, e cila parasheh euron, si valutën e vetme në vend.

Edhe pas shtatë takimeve, palët nuk kishin arritur pajtim për ndonjë zgjidhje kompromisi.

Ndërkaq, Kurti dhe Vuçiq për herë të fundit u takuan më 14.09.2023, kur diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit të raporteve, por ky takim rezultoi pa ndonjë përparim, për shkak të qëndrimeve kontradiktore të palëve.

Në mars të vitit 2024, u shënua një vit qëkur në Ohër të Maqedonisë së Veriut, kryeministri kosovar dhe presidenti serb, ranë në ujdi që të zbatojnë Aneksin e Marrëveshjes Bazike që ishte arritur në Bruksel, në ditët e fundit të shkurtit 2023.

Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore.

Kosova merrte obligime për t’i zbatuar marrëveshjet e arritura më herët, përshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare.

Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E marrëveshja mbeti vetëm në letër.