Ilustrimi: Diellza Gojani për Prishtina Insight.

Takimi mes dy botëve

Përderisa bota po mahnitet nga versioni më i ri i inteligjencës artificiale, një platformë kosovare për identifikimin e plagjiaturës, Crossplag, lansoi një Detektor të Përmbajtjes së Inteligjencës Artificiale për të identifikuar plagjiaturën e shkruar me IA.

Nëse nuk keni qenë tashmë pjesë e zhurmës rreth ChatGPT-3, atëherë ndoshta është vetëm çështje kohe para se të jeni. Një gjuhë programimi që ka pushtuar botën, ChatGPT-3 mund të bëjë shumë, nga shkrimi i një poezie për Pikason në stilin shekspirian deri te shkrimi i një letre motivuese për punë.

Ky dhe programe të tjera gjuhësore prodhojnë ese origjinale për çdo temë, në pak sekonda. Kjo ka paraqitur një problem serioz për akademinë, pasi zbulimi i plagjiaturës është bërë shumë më i vështirë.

Kjo ka krijuar një nevojë të jashtëzakonshme për softuer që mund të zbulojë shkrimin e krijuar nga inteligjenca artificiale. Mësuesit dhe profesorët në shumicën e universiteteve kanë kërkuar mjete që mund t’i ndihmojnë ata të zbulojnë këtë plagjiaturë të avancuar.

Një sistem i tillë i quajtur Crossplag, i krijuar nga Besart Kunushevci, një djalë 28 vjeçar nga Prishtina, ka fituar shtrirje globale.

Tre muaj më parë, Crossplag lansoi një detektor që është i trajnuar saktësisht për të zbuluar nëse një artikull është shkruar me IA. Sot, mbi 5,000 pedagogë dhe pedagoge në mbarë botën po përdorin Crossplag, duke përfshirë universitetet më të mira në botë, si Harvard, Yale dhe Georgetown.

Kompania lansoi versionin e parë të sistemit anti-plagjiaturë në shqip dhe zbulimin ndër-gjuhësor në vitin 2018.

Themeluesi i Crossplag Besart Kunushevci.

Themeluesi i saj, Besart Kunushevci e ka nisur rrugëtimin drejt këtij qëllimi shtatë vite më parë. Me t’u kthyer nga Selaniku i Greqisë, ku kishte studiuar Financa dhe Kontabilitet në Universitetin e Sheffield, i riu ishte në kërkim të një pune në Kosovë. Pasi punoi për një vit në një zyrë kontabiliteti dhe më pas në një universitet privat, Besarti krijoi Crossplag, si një mjet për të identifikuar plagjiaturën në gjuhën shqipe në vitin 2016.

Tani Crossplag mbështet rreth 100 gjuhë dhe ka një arkiv prej rreth 100 miliardë tekstesh me të cilat krahason fjalitë për të identifikuar nëse ato janë plagjiaturë apo jo.

Kunushevci shpjegoi gjithçka për botën e IA detektorin e përmbajtjes së AI dhe shtrirjen globale të platformës së tij, në një intervistë për Prishtina Insight.

IA ka ngritur një pyetje brenda trurit të njeriut: Kush është e ardhmja?

Gjatë intervistës, Besarti ‘urdhëroi’ Chat GPT-3 që të shkruante një artikull për rininë dhe teknologjinë në Kosovë pa i dhënë asnjë kontekst. Më pas ai ngarkoi tekstin në Crossplag për zbulim dhe menjëherë pamë shigjetën të kthehej në të kuqe – që do të thotë se artikulli ishte shkruar nga IA.

“Pra, për të parë sa origjinal është një shkrim, ne bëjmë një analizë anglisht-anglisht, anglisht-shqip dhe në fund një analizë nëse është shkruar nga një njeri apo nga IA”, shpjegon ai.

Plagjiatura me IA quhet aigiarizëm. Sistemi madje zbulon rastet kur teksti i IA përzihet me punë autentike origjinale njerëzore. 

E ardhmja me IA

“ChatGPT-3 është i mrekullueshëm për të ndihmuar njerëzit të shkruajnë, por jo që njerëzit të rrinë dhe ta lënë AI të bëjë të gjithë punën, sepse ashtu qenia njerëzore degradohet”, tha ai për PI.

Është krijuar një frikë kolektive për rrezikun që teknologjia të zëvendësojë njerëzit.

“Nuk ka logjikë të shkruash me inteligjencë artificiale dhe ta prezantosh atë si punë tonën, por mund të përdoret për të dhënë ide ose për të komentuar mënyrën se si është shkruar diçka”, shtoi ai.

Edhe pse çdo ditë përballemi me përparime teknologjike, ideja që një pajisje e krijuar nga dora e njeriut sfidon inteligjencën e trurit të njeriut, ngre pikëpyetje.

Përpunime të tilla i ndihmojnë njerëzit të jetojnë më lehtë. Ndërsa njerëzit nuk mund të ndalojnë evolucionin e teknologjive për të përmirësuar jetesën e tyre.

Kunushevci dha disa shembuj se si IA, kur përdoret për mirë, e ka bërë jetën e njeriut më të lehtë.

IA mund të identifikojë kancerin në imazhet e skanerit më mirë se njerëzit. Nëse nuk do të ekzistonte AI, nuk do të kishte vaksina anti-COVID-19; Raketat e ripërdorshme të SpaceX as nuk do të ekzistonin; nuk do të kishte makina elektrike.

Sipas tij, do të vijë një kohë kur do të përjetojmë ‘singularitetin’: pika kur IA performon më mirë se njerëzit në çdo fushë.

Ky singularitet do të përfshinte që programet kompjuterike të bëhen aq të avancuara saqë IA tejkalon inteligjencën njerëzore, duke mjegulluar potencialisht kufirin midis njerëzimit dhe kompjuterëve.

 

Profesionet e së ardhmes

Profesionet e së ardhmes janë ato brenda industrisë së teknologjisë, duke përfshirë programuesit kompjuterikë, analistët e sigurisë së informacionit, specialistët e mbështetjes kompjuterike, zhvilluesit e programeve kompjuterike, administratorët e rrjeteve dhe sistemeve kompjuterike.

Si zgjidhje për zvogëlimin e frikës teknologjike, Kunushevci sheh trajnimin e njerëzve në profesionet e së ardhmes, e jo të së kaluarës, sepse të gjithë janë duke u automatizuar.

“Shumë gjëra që sot nuk do ta imagjinonim jetën pa, IA i ka bërë të mundur. Ky duhet të jetë fokusi ynë. Inteligjenca artificiale është udhërrëfyesi ynë për të jetuar jetën tonë”, shpjegoi ai.

“Që nga fillimi i gjenezës njerëzore, njerëzit vazhduan të krijonin mjete që do të ishin të dobishme për ta. Që atëherë ne kemi evoluar deri në pikën që na duhet vetëm të mendojmë dhe gjërat do të ekzekutohen. Kjo nuk është e frikshme, por është evolucioni i vetë njerëzve”, tha ai.

I pyetur nëse ekziston mundësia që një ditë të zhduket profesioni i gazetarisë, Kunushevci është kundërpërgjigjur se IA ka nevojë për kontribut njerëzor.

“Mediat përsëri do të kenë ende nevojë për një gazetar që interviston Besartin. Megjithatë, nuk përjashtohet fakti që IA mund të përgjysmojë numrin e gazetarëve në redaksi”.

 

Universitetet e Kosovës nuk përdorin asnjë platformë kundër plagjiaturës

Për disa ditë rresht u përpoqa të zhytem në ‘botën e plagjiaturës kompjuterike’ duke lexuar disa raporte për Crossplag.

Pashë tekste të gjata që në pamje të parë dukeshin origjinale, por të mbushura me fjali të ngjyrosura me ngjyra blu, gri dhe rozë për të nxjerrë në pah plagjiaturën. Me një prekje të lehtë në një nga fjalitë me hije, arrita të shihja burimin e saktë të fjalisë.

“Përkthimet janë problemi më i madh. Këtu gjendet më së shumti plagjiaturë”, tha Kunushevci duke demonstruar me shembuj.

Por, del të jetë paradoksale që asnjë nga universitetet publike në Kosovë, përfshirë edhe Universitetin e Prishtinës, UP, nuk përdorin platforma kundër plagjiaturës.

“Kur shohim profesorë të universiteteve botërore duke përdorur sistemin tonë është suksesi kryesor për ne sepse kemi zhvilluar një produkt që po zgjidh problemet edhe të universiteteve më të mëdha në botë. Kur e shoh UP-në që nuk e përdor, është zhgënjim”, është shprehur ai me shqetësim.

Sipas tij, UP-ja kanë humbur dy vite nga koha e tyre duke thënë vazhdimisht se do ta marrin platformën në përdorim, por asnjëherë nuk e mbajtën fjalën.

Një vlerësim i Rrjetit Evropian për Integritet Akademik (ENAI) tregon se Crossplag performoi më së miri në zbulimin e kopjimit, me një vlerësim prej 2.8 pikësh dhe më të ulëtin në zbulimin e parafrazimit, me një vlerësim prej 1.9 pikësh. Renditja u përmirësua në mënyrë drastike, ku Crossplag renditet i pari në një burim dhe i 5-ti në shumë burime.

GIF për Prishtina Insight nga Diellza Gojani.

 

“Nëse ia dalim këtu, mund të bëjmë kudo”

Pas shumë ulje-ngritjeve për një startup të ri në një vend me një sektor të ri teknologjik, Besarti dhe ekipi i tij arritën të depërtojnë në tregun botëror.

Ai tha se në fillim ishte shumë e vështirë operimi në treg, deri në atë pikë sa tre herë ishin në prag të mbylljes së kompanisë.

Kosova është një treg i vështirë për të operuar startup-et teknologjike për shkak të BPV-së së ulët, interesimit të pakët për shërbimet teknologjike dhe mungesës së një fondi të veçantë investues për këtë fushë.

“Siç tha Frank Sinatra, ‘Nëse mund t’ia dalim këtu, mund t’ia dalim kudo!’ E nisëm me këtë logjikë; Kosova na kaliti, ndoshta na dha disa aftësi që askush tjetër nuk mundi. Por kjo po e vështirëson procesin dhe po rrit mundësinë e dështimit”, tha Kunushevci.

Sipas tij, i vetmi laborator i inovacionit në vend që i ndihmoi ata të zhvillohen, si dhe pothuajse të gjitha start-up-et e tjera të teknologjisë, ishte Qendra e Inovacionit të Kosovës.

“Mbijetesa e startup-eve në Kosovë varet nga grantet, që është absurdi më i madh i mundshëm. Askund në botë asnjë biznes nuk është rritur me grante. Kjo e bëri punën tonë dhjetë herë më të vështirë se kompanitë e tjera në botë”, tha ai.

Sipas tij, Crossplag arrin të eksportojë më shumë shërbime në tregjet e jashtme për shkak se nuk ka hapësirë për të zhvilluar produkte të reja për konsum të brendshëm në Kosovë dhe njerëzit ende kanë probleme jetese.

“Produktet dixhitale nuk janë aq shumë nevojë, sa një përmirësim i diçkaje që tashmë ekziston”, tha ai.

Kompania ofron shërbime për tregun e huaj sepse teknologjia nuk krijon asnjë kufizim gjeografik.

IA është realiteti teknologjik që shënon fillimin e një epoke të re njerëzore. Nëse njerëzit do të jenë në shërbim të kësaj teknologjie, apo anasjelltas, mbetet për t’u parë. Por një gjë është e sigurt, sa më shumë burime që i kushtojmë krijimit të AI, aq shumë duhet t’i kushtohen kontrollit dhe rregullimit të saj.

Ky artikull fillimisht u publikua në Prishtina Insight.