Ta Pastrojmë Kosovën më 24 Maj (Video)

“Let’s Do It World”, një iniciativë që ka nisur në Estoni në vitin 2008 dhe është shtrirë në më shumë se 85 vende të tjera të botës, synon të mobilizojë edhe në Kosovë shoqërinë civile, grupet vullnetare dhe qytetarët që për një ditë – 24 maj, të dalin dhe të mbledhin mbeturinat në vendin ku jetojnë.

Aksioni do të organizohet nga ekipi i “Let’s do it Kosova”, në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, si dhe shumë organizata joqeveritare të cilat i janë bashkuar kësaj iniciative.

Në promovimin e këtij projekti qytetar, zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, njoftoi se të gjitha shkollat do të mobilizohen për 24 maj. “Do të jenë rreth 30 000 nxënës duke ndihmuar në mbledhjen e bërllokut”.

Zëvendësministri i FSK-së, Shemsi Veseli, gjithashtu ofroi mbështetjen e kësaj force me të gjitha “kapacitetet teknike dhe profesionale”.

Projekti ka pasur mbështetje nga Ambasada e Norvegjisë dhe Zyra e Komisionit Evropian në Kosovë. 

Gjatë konferencës u shfaqën edhe disa video që portretizojnë gjendjen e mjerueshme të deponive të mbeturinave në Kosovë. Në video-incizim, foli Ulrike Lunacek, raportuese e Kosovës në Parlamentin Evropian e cila është ambasadore e vullnetit të mirë për këtë fushatë.
 
“Ju keni një Kosovë të bukur. Të punojmë të gjithë që ajo të jetë edhe një Kosovë e liruar nga hedhurinat. Lus të gjithë që më 24 maj të dalin dhe të pastrojnë lagjet e tyre, qytetin e tyre dhe gjithë Kosovën”, tha Lunacek.

Fushata synon që të shtrihet në të gjitha 37 komunat e Kosovës, duke mobilizuar së paku 50 000 vullnetarë.

Luan Hasanaj, iniciues dhe Koordinator i “Let’s do it Kosova 2012” foli për përvojën e vendeve te tjera me këtë projekt.

“Ne e shihnim Slloveninë gjithmonë si vend ideal. Si vend shumë të pastër. Ata bënë të njëjtën kampanjë dhe arritën që brenda një dite të mbledhin 7,000 tonelata mbeturina. Tani Sllovenia është vendi më i pastër në Evropë”, u shpreh Hasanaj.

Kurse Kosova ka më shumë bërllok dhe synon të mbledhë 10 000 tonelata mbeturina për një dite. Për t’u regjistrua si vullnetar mund te shkruani në [email protected]

<iframe width=”560″ height=”315″ src=”http://www.youtube.com/embed/QaDVqxJwUxM” frameborder=”0″ allowfullscreen></iframe>