Nga debati "Jeta në Komunë në asamblenë e Ferizajt | Foto: Atdhe Mulla

Sikur Mic Sokoli të Hante Karamele?

Jo fort larg nga Prishtina, mes rrugës që lidh kryeqytetin e Kosovës me Shkupin, gjendet Ferizaj. Arkitektura e ndërtesave në hyrje të qytetit të lë pa fjalë. Gërshetime të post-modernizmit me barokun sheh shpesh.

Një ndërtesë prej xhami duket sikur ka zbritur nga ndonjë planet tjetër, përreth me struktura hekuri që duken sikur e mbërthejnë dhe duan ta fusin në tokë. Mbase është një parapërgatitje e mirë për ata që janë nisur në Shkup, që të mos u bjerë pika nga super-gjetjet arkitektonike të “Shkupit 2014”.

Ferizaj ka diçka më shumë se 100 mijë banorë dhe sipas ligjit i ndahen diku rreth 25 milionë euro. Njihet për prodhuesit e shumtë të drurit e po ashtu, për eksportin e kuadrove të shoqërisë civile në Prishtinë. Nuk e di se si, por ka pasur një numër të madh njerëzish nga Ferizaj që janë angazhuar në OJQ, dhe me shumë gjasë është qyteti i dytë pas Prishtinës që ka organizim civil aq të fortë.

Arkitektura alla xhungël e qytetit nuk ta thotë këtë, por ndërtesa e periudhës austro-hungareze në mes të qytetit që është dhe biblioteka e qytetit të ndihmon ta gjesh arsyen.

Sallat e leximit janë plot me studentë kokulur që prisja të ngrinin vështrimet drejt meje siç shihet një i huaj, por që s’e bënin. Kisha harruar se ceremonialiteti që ndjeja tek hyja në këtë bibliotekë të ngrohtë ishte vetëm në kokën time. Për lexuesit, ishte rutina përditore me të cilën ata ishin mësuar.

Pastaj, dhomat që gjithsesi do t’i japin frymëzim secilit po ashtu janë plot me libra. Kishte edhe seksione në gjuhën angleze dhe frënge. E librat në shqip ishin dinjitozë. Kishte nga përkthimet e reja të filozofisë e shkencave politike e po ashtu, nga ato të vjetrat që dikur janë përkthyer shumë mirë.

Hapat duheshin shpejtuar se debati do të fillonte për pak e mua më duhet të shoh hyrjen e asamblistëve në sallë për të vërejtur dinamikat mes tyre.

S’ka diçka të jashtëzakonshme, përveç batutave “intime” mes asamblistëve që s’arrijmë t’i kuptojmë asnjë prej nesh, por që të gjithë i presim me një qeshje konstante. Do me thënë, as shumë për të mos dalë që s’e kemi kuptuar nëse qeshim me intensitet më të madh nga sa duhet, as pak për të mos u dukur sikur po i përçmojmë. Ashtu, me qeshje konstante fytyrës përcjellim fjali pakuptim dhe kam përshtypjen se dukemi si robotë të lumtur.

Komuna e Ferizajt e ka në logon e saj Mic Sokolin, serioz e i mërrolur. Për ata që s’e dinë, Mici ishte një luftëtar i kohës së Lidhjes së Prizrenit (1878). Ai njihet për aktin e tij heroik në Ferizaj kur e vë gjoksin në gojën e një topi osman.

Këtë motiv e mbaj mend që nga fëmijëria. Nëpër shumë shtëpi shqiptare para vitit 1999 mbahej nëpër mure si punim bakri. Ne nuk e kishim një të tillë, por kushërinjtë e mi pothuajse të gjithë.

Mici që ka hapur duart, dhe gjoksin gati të karikaturuar se është në disproporcion me madhësitë tjera të trupit, mustaqet dhe mërrolet në vetulla, të mbështjellin me një ndjenjë të të ndjerit i vogël. E krejt kjo do me thënë se ferizajasit janë ndjekësit më besnikë të Micit.

Për pak fillon të ulet zhurma disi natyrshëm në sallë dhe shenjat tregojnë se debati po fillon. Kryetari nga LDK, Muhamet Sfarqa përballet me akuza. Nepotizmi dhe punësimi i militantëve si askionarë qenë gjërat e para që u artikuluan. Një asamblist nga komuniteti ashkali ngriti një çështje interesante.

Në fshatin e tij ai tha se kishte një stomatolog të diplomuar nga komuniteti ashkali, por si stomatologe në atë fshat kishte filluar të punojë gruaja e kryetarit. Dhe e dini cila është përgjigja që tashmë po e përdorin gati në të gjitha komunat kur akuzohen për nepotizëm? – Shkon pak a shumë kështu siç u përgjigj kryetari i Ferizajt: “S’ka ligj që thotë se gruaja e kryetarit nuk duhet të punojë”.

Kalimi nga një shoqëri që rregullonte raportet kryesisht përmes moralit (kombëtar) në një shoqëri që mundohet të dëshmohet rrejshëm para botës se do të funksionojë përmes ligjeve, sjell krizë të moralit e moszbatim të ligjeve.

Por debati merr kahje tjetër. U përmend shpesh Caritas-i. Doli se gruaja e kryetarit punonte përmes Caritas-it, madje u tha se u punësuan edhe disa asamblistë.

Në Ferizaj nuk na ra të dëgjonim për TIKA-n turke. Një fondacion që po ndihmon shumë komuna në çështje të ndryshme, kujt me ndonjë ndërtim aneksi a ndërtese, kujt me shporta, kujt me renovim xhamish.

Në Ferizaj qenka Caritas-i, një organizatë bamirëse e krishterë. Tani merrte edhe më shumë kuptim “eksporti” i shoqërisë civile në Prishtinë. Ferizaj është përcaktuar me oksidentin ashtu siç është përcaktuar shoqëria civile në Kosovë me oksidentin, pavarësisht përmbajtjes së kërkesave të tij.

Por debati vazhdoi. Karamelet ishin tema e re. Bëhej fjalë për kalimin e asambleistëve nga PDK e LVV në LDK me ç’rast edhe ishin punësuar nëpër punë të tjera publike, ata vetë ose të afërmit e tyre. Natyrisht që të akuzuarit kishin shpjegime tjera – ata insistonin që ishin parimet ideo-politike ato që i kishin detyruar ta ndërronin partinë.

Një rast ishte asamblistja Arta Tahiri që nga Vetëvendosje kishte kaluar në LDK, e cila tani punonte edhe si menaxhere projekti, por që këtë e arsyetonte duke thënë se ka certifikata që e cilësojnë atë profesioniste për këtë punë. E asamblisti i PDK-së z. Grainca, kur u pyet nga kryesuesja “Ku ju kanë humb asambleistët”, ai u përgjigj “Nuk kanë humbë, janë këtu në sallë”.

Karamele këtu, karamele atje. Këtë koncept të zgjeruar të karameles e kishte dhënë një asamblist i AAK-së në Vushtrri i cili kur u pyet se pse bashkëpartiakët e tij kishin dalë nga partia, ai pati thënë se i hanin karamelet.

Pasi e prezantoi kryesuesja Jeta Xharra, ky koncept që duket se u pëlqeu të gjithëve, s’u hoq nga diskutimi që vazhdonte. Ama një gjë dilte e sigurt, se politika e karameleve e LDK-së kishte pasur sukses.

Krejt kjo ndodhte në komunën e “pasuesve” të Mic Sokolit, i cili ia kishte vënë gjoksin në top një nga perandorive më të mëdha të kohës së vet. Po sikur Mici dhe ata si ai t’i hanin karamelet, çfarë do t’i ndodhte përpjekjes për liri të popullit shqiptar?

E kështu afrohej edhe fundi i debatit. Akuzat e PDK-së për zonat e ndërtimit dolën qesharake kur regjia solli përpara asamblistëve një ndërtesë fort të lartë të asamblistit të PDK-së në një zonë ndërtimi të ulët. Pronësia u pranua, por zona e ndërtimit u kontestua.

Po një pyetje është me rëndësi: Ç’kërkon në bankat e asamblesë komunale ku merret një rrogë shumë e vogël një pronar i një ndërtese të tillë? I shtyrë nga idealizmi? Ku i dihet, mund të ketë edhe idealistë milionerë, madje nga radhët e PDK-së.

Xhirimet u ndërprenë, formalisht debati përfundoi. Asamblistët vazhduan debatet tani më rrjedhshëm, më ashpër. Kjo ndodh gatise gjithnjë. Në secilën komunë. Po ajo që ndodhi këtu s’ishte e zakonshme. Kryesuesi ‘në ardhje’ i LDK-së, Faruk Guri, iu afrua kryesueses ‘në ikje’ Jeta Xharra me njëfarë qetësie. Pastaj ia zgjati dorën dhe kur hapi grushtin aty kishte një karamele që ia ofronte asaj.

Kryesuesja në ikje e mori karamelen se nuk donte ta ofendonte të zotin e shtëpisë, dhe pak e kërrusur meqë ndodhej në podiumin e foltores që ishte diçka më lart se niveli i podiumit të asamblesë e me një qeshje gati cinike iu drejtua: “Unë s’ha karamela”.