Qeveria Pagoi për Takimet e Presidentes

Një kompani lobimi me bazë në Washington ka raportuar para autoriteteve amerikane se është paguar nga Qeveria e Kosovës për të ndihmuar në aranzhimin e takimeve të Presidentes Atifete Jahjaga me zyrtarë të qeverisë së SHBA-së.

Në raportin e dorëzuar tek Departamenti Amerikan i Drejtësisë, “Patton Boggs” tregon se përfitoi 191 mijë e 753 dollarë për një përiudhë gjashtë muajshe të lobimit.

Gjatë kësaj përiudhe, bazuar në këtë raport, lobistët kontaktuan zyrtarë të qeverisë amerikane dhe anëtarë të kongresit amerikan në lidhje me marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Gjithashtu (Patton Boggs) mbështeti vizitën në Washington të Presidentes së Kosovës dhe ndihmoi në aranzhimin e takimeve me zyrtarët e Qeverisë së SHBA-së”, thuhet në raport.

foto  
Raportimi i “Patton Boggs” në Departamentin amerikan të Drejtësisë  

 

Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi në qërshor të këtij viti raportin që i referohen përiudhës qërshor-dhjetor të vitit 2011. Ky institucion publikon rregullisht raportimet që bëhen nga kompanitë e lobimit rreth aktivitet të tyre gjashtëmujor. 

Dhjetëra kompani kanë deklaruar lobime të kësaj natyre për shumë kompani dhe shtete të botës duke ua lehtësuar zyrtarëve përkatës takimet me zyrtarë amerikanë. Madje, sipas raportit, ka kompani që shërbime të kësaj natyre kanë deklaruar deri edhe për një universitet japonez.

Kompania “Patton Boggs” nuk i është përgjigjur Gazetës Jeta në Kosovë e cila ishte e interesuar për të sqaruar më hollësisht raportimin e saj para autoriteteve amerikane.

As qeveria e Kosovës nuk ka dashur të komentojë raportin e lobistëve amerikanë.

Ministria e Financave nuk ka pranuar të japë përgjigje se sa është shuma që thesari i shtetit ka paguar për lobim në SHBA. Menderes Ibra, këshilltar për media i ministrit Bedri Hamza, i tha gazetës se përgjigje për këtë mund të japë vetëm Zyra e Presidentit.

Presidenca mohon se ka paguar vetë ndonjë kompani.

“Ne nuk kemi paguar asnjë kompani për aranzhimin e takimeve të Presidentes Jahjaga për cilindo takim gjatë të gjitha vizitave në SHBA”, tha Arbër Vllahiu, këshilltar politik për marrëdhënie me publikun i Presidentes Jahjaga.

Vllahiu shtoi se vizitat e presidentes së shtetit zhvillohen sipas protokollit zyrtar në të cilin janë të angazhuara ambasadat përkatëse.

Ambasada e Kosovës në SHBA nuk ka kthyer një përgjigje kur është pyetur për raportimin që kanë bërë lobistët amerikanë. Njejtë ka bërë edhe Ministria e Punëve të Jashtme e cila është nënshkruese e kontratës me kompaninë e lobimit “Patton Boggs”.

Patton Boggs ka kontratë 600 mijë dollarëshe me Qeverinë e Kosovës

Përfaqësuesi special i SHBA-së në bisedimet për statusin e Kosovës 2005 – 2008, ambasadori Frank Wisner, tash është këshilltar i çështjeve të jashtme në kompaninë “Patton Boggs”.

Gazeta Jeta në Kosovë pati zbuluar se Kryeministri Hashim Thaçi u takua me këshilltarin e çështjeve të jashtme të Patton Boggs, Frank Wisner, në SHBA vetëm dy muaj para se Thaçi të bënte marrëveshje me lobistët para kabinetit të tij, për herë të parë në shtator 2010’es.

Qeveria u detyrua më pas të anulojë këtë vendim, pasi u zbulua se nuk kanë ndjekur asnjë procedurë të prokurimit publik para se të nënshkruajë marrëveshjen.

Por, vitin e kaluar, në muajin korrik, Ministria e Punëve të Jashtme pati kërkuar nga Agjencia e Prokurimeve Publike që të lejojë tender një-burimor për të angazhuar këtë kompani.

MPJ-ja arsyetohej se tenderi nuk mund të ishte publik pasi që natyra e shërbimit ishte asisoj që duhej të kryhej në konfidencialitet.

Por, kompania amerikane ka bërë publike marrëveshjen me Qeverinë e Kosovës pasi për këtë ka raportuar në Departamentin Amerikan të Drejtësisë. (shih raportin)

MPJ dhe Patton Boggs kanë nënshkruar një kontratë një-vjeçare më 29 gusht të vitit të kaluar e cila ka një vlerë prej 600 mijë dollarësh. 

Kompania do të jetë e angazhuar në nxitjen e investimeve dhe mundësitë tregtare për Kosovën, si dhe për të mbledhur fonde nga programet e ndihmës së huaj. Po ashtu kompania do të jetë e angazhuar që t’i ndihmojë Kosovës në zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Wisner ishte aty

Presidentja e shtetit Atifete Jahjaga realizoi dy vizita në SHBA në gjashtë mujorin e dytë të vitit të kaluar. Njëra ndodhi në shtator ndërsa tjetra në muajin dhjetor.

Gjatë vizitës së dytë sipas njoftimit zyrtar të presidencës Jahjaga u takua me sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, me nënsekretaren amerikane të mbrojtjes, Michele Flournoy, me kryeprokurorin e SHBA-ve, Eric Holder, me drejtorin e Byrosë Federale të Hetimeve (FBI), Robert Mueller, pastaj me senatorët Mark Kirk dhe Ross Johnson si dhe me ish-sekretaren amerikane te shtetit, Madeleine Albright.

Ndërkohë në shtator Jahjaga u prit nga presidenti amerikan Barack Obama në pritjen vjetore për liderët botërorë. Po ashtu Jahjaga takoi sekretaren amerikane të shtetit Hillary Clinton si dhe ish-presidentin amerikanë Bill Clinton në takimin e organizuar nga ai në kaudër të  aktiviteteve të “Clinton Global Initiative”.

foto  
Presidentja Jahjaga dhe ambasadori Frank Wisner  

 

Por, Jahjaga gjatë turneut të saj pati takim edhe me Frank Wisnerin, këshilltarin e “Patton Boggs”.

“Presidentja Jahjaga e njoftoi ambasadorin Wisner për idenë e krijimit të iniciativës ‘Miqtë e Kosovës’ dhe e ftoi atë të jetë pjesë e rrjetit që ka për qëllim shtrirjen e përpjekjeve diplomatike në vendet me të cilat Kosova nuk ka ende marrëdhënie zyrtare”, theksohet në njoftimin publik të presidencës të lëshuar më 23 shtator të vitit të kaluar.

Wisner , bazuar në këtë njoftim, ka pranuar ftesën e Jahjagës që të jetë pjesë e kësaj iniciative.