Numri i telefonit i qendrës telefonike për parandalimin e vetëvrasjeve "Linja e Jetës", Foto: KALLXO.com
Qe një vit “Linja e Jetës” punon me orar të shkurtuar për shkak të problemeve me financimin
Thirrjet në qendrën telefonike të parandalimit të vetëvrasjes “Linja e Jetës”, që nga 8 gushti i vitit 2022 realizohen me orar të shkurtuar. Kjo për shkak të problemeve me financimin. Thirrjet në këtë qendër mund të bëhen nga ora 14:00 deri në orën 02:00.
Themeluesi i kësaj linje, Bind Skeja, ka treguar se ata kanë pranuar mbështetje financiare nga Ministria e Shëndetësisë, në vlerë 9 mijë euro. Përkrahje të ngjashme tha se ka pasur edhe nga disa donatorë dhe nga Komuna e Prishtinës. Por, sipas tij, në krahasim me nevojat financiare që ata kanë, kostoja është e pamjaftueshme.
Skeja, themelues i kësaj linje, ka treguar se ka pasur disa momente kur ata kanë menduar të dorëzohen. Ndër to, thekson periudhën, kur ata po përballeshin me krizë financiare.
“Para një viti, këtë ditë kur e kemi shkurtu orarin, domethënë thjesht nuk e dinim, çka është ka bëhet me neve, a kemi me pas mundësi me dalë deri në tetor a jo, a është ky momenti që kemi me u dorëzu para presionit dhe para mungesës së mbështetjes” – ka thënë ai.
Më tej Skeja ka treguar se që nga formimi i kësaj linje ata kanë bërë përpjekje për të treguar rëndësinë e kësaj iniciative. Ata qe një kohë janë duke kërkuar që ky shërbim të jetë nën mbikëqyrjen e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Çdo ministër i Shëndetësisë që ka qenë, na kemi tentu me u taku me ta edhe me ia shpjegu. Kemi tentu me ia shpjegu rëndësinë e këtij projekti edhe pse duhet me ekzistu, 3 vjet kanë shkuar, domethënë t’u mundu me i bind, pa sukses. Na po dojmë që ky shërbim me qenë shërbim legjitim, shërbim që funksionon ashtu siç duhet” – ka shtuar ai.
Ndërsa nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë se ekziston “Linja e Ankesave” në kuadër të kësaj Ministrie, ku drejtohen çështje të ndryshme.
“Qytetarët adresojnë ankesat, shqetësimet të natyrave të ndryshme, të cilat trajtohen nga institucionet shëndetësore dhe inspektorët shëndetësor. “Linja e Ankesave” ndër vite ka trajtuar shqetësime nga më të ndryshmet përfshirë këtu edhe çështjet që lidhën me shëndetin mendor të cilat janë trajtuar në institucione shëndetësore”- thanë ata.
Ata kanë treguar se shërbimet e shëndetit mendor ofrohen në institucionet e nivelit parësor, dytësor dhe nivelit tretësor të kujdesit shëndetësor që trajtojnë shqetësimet dhe çrregullimet lidhur me shëndetin mendor.
“Ministri i Shëndetësisë në kuadër të politikave shëndetësore, në vitin 2022 ka aprovuar Udhërrëfyesin Klinik “Trajtimi i Sjelljeve Suicidal“, të cilin mund ta gjeni në web faqe të MSH-së, ku u dedikohet të gjithë drejtuesve dhe profesionistëve shëndetësorë që janë të punësuar në tri nivelet e kujdesit të shërbimeve shëndetësore për trajtimin e sjelljeve suicidiale”-treguan ata.
Themeluesi i “Linja e Jetës”, Bind Skeja, ka thënë se është synuar që linja për parandalimin e vetëvrasjeve të përfshihet në Ligjin për shëndetin mendor, por që nuk kanë arritur ndonjë rezultat.
“Tash është ligji për shëndet mendor, kemi kërku që çështja e linjës për parandalimin e vetëvrasjes të jetë në ligj, jo domosdoshmërisht “Linja e Jetës”. Bëni ju diçka, veç le të jetë ky shërbim i sigurt edhe kjo është refuzu, nuk është vendos as në diskutim të mirëfilltë, veç 10 minuta kemi folë” – ka treguar ai.
Skeja ka treguar se 150 qytetarë kanë dërguar komente gjatë diskutimeve publike që “Linja e Jetës” të përfshihet në ligj.
“Kjo e ka tejkalu edhe numrin e personave që kanë komentu për Ligjin për paga, kështu që është arritje për neve. Një prej numrave më masiv që kanë qenë, që e ka pa kjo platformë për një kohë të gjatë” – shtoi ai.
Edhe nga Ministria e Shëndetësisë e konfirmuan që përfaqësuesi nga “Linja e Jetës” është pjesë e grupit punues për hartimin e Ligjit për shëndet mendor dhe se ky grup është duke e vazhduar punën. Por sipas vendimit për themelimin e Grupit Punues, afati kohor për përfundimin e draftit të projektiligjit ka qenë 30 qershori 2023.
Po ashtu, nga Ministria kanë thënë se në shkurt të këtij viti, është hapur një thirrje publike për ofrimin e mbështetjes financiare të projekteve të organizatave joqeveritare.
“Bazuar në Rregulloren MF- 04/2017 në shkurt të vitit 2023 është hapur thirrja publike për ofrimin e mbështetjes financiare publike për financimin e projekteve të OJQ-ve, ku njëra ndër objektivat specifike ka qenë edhe “Promovimi i Shëndetit Mendor dhe Parandalimi i çrregullimeve mendore”-shtuan ata.
Bazuar në këtë thirrje, sipas tyre, është përkrahur financiarisht “Linja e Jetës”.
“MSH ka mbështetur financiarisht edhe OJQ “Qendra për Informim dhe Përmirësim Social” në kuadër të cilës funksionon edhe Linja e Jetës. Mbështetja financiare e ofruar për këtë OJQ është në vlerë prej 9,400.00 euro, projekti është 10 mujor dhe për këtë projekt është lidhur kontratë në mes të MSH-së dhe OJQ-së “Qendra për Informim dhe Përmirësim Social”, kontratë e cila monitorohet nga ana e MSH-së gjatë periudhës së zbatimit” – thuhet në përgjigjen me shkrim nga MSH-ja.
“Mbështetja e linjave për parandalimin e vetëvrasjeve është e domosdoshme”
Vetëm në gjashtëmujorin e parë të vitit 2023, “Linja e Jetës” ka pranuar 2 mijë telefonata.
“Çdo thirrje është anonime edhe konfidenciale, as ne nuk e dimë kush na telefonon edhe çkado që bisedohet, mbetet veç mes nesh” – tregoi Skeja nga “Linja e Jetës”.
Psikologu Leutrim Edipi e konsideron të domosdoshme përkrahjen financiare të këtyre qendrave telefonike.
“E pashmangshme nevoja për investim nga institucionet relevante në hapje dhe monitorim/licencim të qendrave të tjera që ofrojnë shërbime të tilla specifike, përmes linjave telefonike apo modalitete të ngjashme, ku ofrohet mbështetje psiko-sociale dhe ruhet konfidencialiteti” – ka thënë ai.
Ai thotë se këto linja mund të kenë një ndikim pozitiv.
“Për shumë individë, fuqimisht besoj që mundësia për të zhvilluar një bisedë me një profesionist të kualifikuar, në qendrat e shëndetit mendor, i cili kombinon komponentët e sinqeritetit, pranimit, empatisë dhe trajnimit profesional, ka potencialin për të ndikuar në minimizimin e mundësisë së marrjes së një vendimi të pakthyeshëm” – ka thënë ai.
Edipi thotë se ky ndërveprim shërben si dritare e shpresës, duke hapur një perspektivë të re për ata që ndjehen të mbyllur në një rrugë ku duket se nuk ka dalje.
Psikologu Leutrim Edipi, ka thënë se çdo vetëvrasje në thelb është një tragjedi dhe deri në një masë një mister.
“Vetëvrasja shpesh ndodh nga një ndjenjë e thellë e pashpresës, pamundësia për të parë zgjidhje për problemet ose nga mungesa e mekanizmave ballafaques në raport me situatat e vështira të jetës, apo përvojat e pakëndshme/traumatike që secili person rëndom i përjeton apriori së paku një herë në jetë” – sqaroi ai.
Sipas tij, studimet tregojnë që aspekti gjenetik mund të luaj një rol në prirjen drejt vetëvrasjes, por edhe mjedisi dhe ngjarjet jetësore thotë se kanë një ndikim të rëndësishëm.
Edhe sociologu Labinot Kunushevci konsideron se shërbimet profesionale nga qendrat e tilla janë të dobishme.
“Krijojnë infrastrukturë për një mekanizëm që njerëzit i shkarkon nga energjia e vetëvrasjes: rrëfimi. Pra, njerëzit kanë nevojë të rrëfehen, të kenë një adresë ku resurset profesionale të saj i shërbejnë zgjidhjes së nyjave, konfuzioneve, dilemave, krizave dhe përplasjeve emocionale që ndodhin në jetën e tij” – ka shtuar Kunushevci.
Ai ka thënë se vetëvrasja është fenomen dhe akt që ndodhë kur personi humbë kuptimin mbi ekzistencën e tij.
“Ka shumë faktorë social, kulturor, psikik, emocional, ekonomik, që krijojnë predispozita depresive që përfundojnë me vetëvrasje. Zakonisht personat me mungesë të inteligjencës emocionale janë më të rrezikuar pasi paaftësia e tyre në përballje me krizat e ndryshme u krijon iluzionin se vetëvrasja është zgjidhje. Pra, mungesa e mirëqenies është faktori kryesor” – shpjegoi ai.
Tutje, sociologu ka thënë se njeriu para se të bëjë vetëvrasje fizike, ai bën vetëvrasje emocionale.
“Mungesa e ekuilibrit ekonomik dhe emocional ndikon që problemet familjare, dështimet në lidhjet e dashurisë, humbja e vetëbesimit, krizat ekonomike, përjetimi i bullizmit, paaftësia e zgjidhjes apo menaxhimit të problemeve, mungesa e mbështetjes profesionale, morale e emocionale, të shndërrohen në faktorë depresivë drejt vetëvrasjes” – tha ai.
Nga Zyra për Informim në Policinë e Kosovës kanë thënë se gjatë vitit 2021 kanë qenë 53 raste të vetëvrasjeve dhe 132 raste në tentativë. Në vitin pasardhës, në vitin 2022, kanë treguar se 137 persona kanë tentuar të kryejnë një akt të tillë dhe 43 e kanë kryer atë. Kurse, gjatë periudhës janar-korrik të vitit 2023, 83 persona kanë tentuar dhe 21 raste janë vetëvrasje.
“Linja e Jetës” është themeluar në vitin 2019. Njerëzit që kanë nevojë për shërbimet e tyre mund të telefonojnë në numrin 080012345.