Blodin Ukella. Fotografi nga kortezia e Blodin Ukellës.

Çaji ‘i ftohtë’ i refugjatit nga Kosova në Amerikë

Pas më shumë se dy dekada ritualin e çajit në familjet shqiptare, refugjati i luftës së Kosovës, Blodin Ukella e ka rijetësuar në industri të çajit të ftohtë antioksidant – pije që shitet në zinxhirët ushqimorë të Amerikës.

Blodin Ukella nuk e ka harruar shijen e çajit të fëmijërisë. Gotën e lënë në gjysmë në Prishtinë për të marrë rrugën e refugjatit, pas më shumë se dy dekadave, ai e ka ‘rimbushur’ në kanaçe të riciklueshme – çaj që shitet në të gjithë zinxhirët ushqimorë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pija që pinte tre herë në ditë si më i vogli i shtëpisë, qoftë si ritual, kur ishte i sëmurë ose për argëtim me prindërit dhe dy motrat e tij në Prishtinë, është arsyeja që në vitin e kaluar, Ukella ka hapur kompaninë e tij të çajrave antioksidantë The Ryl Company në New Jersey.

Kur gjendja në Kosovë ishte në kulmin e tensioneve të luftës në fundin e viteve të 90-ta, si mijëra familje tjera edhe Ukella ishin detyruar të marrin rrugën e vështirë të refugjatit për të gjetur një strehë të sigurt diku në botë.

Pas largimit nga Kosova për disa muaj kishin qëndruar si refugjatë në Maqedoninë  e Veriut për të marrë më pas rrugën e migrimit për në Amerikë. Të panjohur në një shtet të ri, Blodini dhe familja e tij kishin jetuar në në Jug të New Jersey për shumë vite. 

“Të jesh një familje refugjatësh nuk ishte e lehtë. Nuk do ta uroja për askënd. Nuk ka rëndësi se nga vini, të qenit refugjat larg shtëpisë për këdo është një nga gjërat më të vështira me të cilën mund të përballet çdo person apo familje”- rrëfeu Ukella në një intervistë për BIRN.

Mbi 800 mijë shqiptarë të Kosovës u dëbuan nga shtëpitë e tyre nga forcat serbe. Ndërkohë, Amnesty International në raportin e saj thekson se “deri në fund të luftës në Kosovë në qershor të vitit 1999, më shumë se gjysma e popullatës civile të Kosovës jetonin në kampe refugjatësh në Shqipëri dhe Maqedoni.

Për familjen e tij kishte qenë shumë e vështirë të ambientohen në një vend të ri e të panjohur, shtet në të cilin nuk kishin asnjë të afërm dhe nuk e njihnin mënyrën e jetesës. Vuajtjet si refugjat, ai është munduar t’i kthej në suksese në vendin ku jeton, në New Jersey-n Verior afër New York-ut.

Ukella beson që të jesh refugjat është shumë e vështirë, por një gjë pozitive që mund ta nxjerrësh nga përvuajtja është ambicia për të arritur më shumë, për shkak se “si refugjat keni urinë dhe shpirtin që duhet për të qenë i suksesshëm”.

“Kur familja ime erdhi në Amerikë, nuk e lamë traditën shqiptare të na braktiste. Gjithçka që bënim ishte njësoj si kur jetonim në Prishtinë. Një nga ato tradita është që ne pinim çaj çdo ditë, për argëtim dhe kur ishim të sëmurë”- tregoi Ukella.

 Çaji edhe sot e kësaj dite është pjesë e pandashme e tavolinës në familjet shqiptare. Një gotë çaj për qejf, një gotë çaj për mysafir, një gotë çaj për çfarëdo dhimbje. Shpeshherë rituali i çajit fillon me një gotë, por përfundon me numër dyshifror.

Por, këtë pije ai është munduar ta sjellë në një version tjetër në treg, si një çaj i ftohtë amerikan i cili mund të porositet apo të blihet nëpër marketet e SHBA-së.

“Prindërit e mi më tregonin histori kur shkonin dhe mblidhnin barishte në mal dhe gjyshërit e përdornin si ilaç. Doja ta sillja atë vlerë të kulturës së çajit në tregun amerikan. Nga këtu lindi ideja për Ryl”- ndau Ukella një kujtim nga fëmijëria e tij.

Përderisa kishte menduar për konceptin e tij të ardhshëm të biznesit, Ukella donte të kishte bazë diçka që mund “të përfaqësonte kulturën time, kulturën shqiptare”. Ideja e tij ishte që të sillte në treg një çaj natyral, pa përmbajtje artificiale dhe me paketim që nuk e dëmton as shijen e pijes e as natyrën.

I frymëzuar nga përditshmëria e fëmijërisë së tij, por jo tre gota në ditë, por industri me shumicë, biznesi i Ukellës përmban çajrat Ryl me shije të ndryshme bimore me zero sheqer, zero kalori, i ëmbëlsuar në mënyrë natyrale dhe i paketuar në mënyrë të qëndrueshme me 100 përqind alumin të riciklueshëm.

Teknologjia e polifenolit të Ryl është një proces hibrid që e përdorin për të siguruar që doza e pritur e polifenoleve në çdo kanaçe është e qëndrueshme.

Polifenolet janë përbërës natyralë që gjenden në shumë fruta, perime dhe barishte. Shumë polifenole janë antioksidantë të fuqishëm që mbrojnë indet kundër toksinave. Konsumimi afatgjatë i dietave të pasura me polifenole bimore mund të parandalojë trupin e njeriut nga zhvillimi i kancerit, diabetit dhe sëmundjeve të tjera.

Foto nga galeria e Ryl Company.

Sipas Ukellës, çfarë e bën të veçantë këtë çaj është aroma dhe shija e çajit të ftohtë amerikan, i cili i përmbahet cilësive të shëndetshme të çajrave ndërkombëtarë.

“Ne jemi një popullatë e fortë, [shqiptarët] e cila përdorë metoda të vjetra për gjëra të tilla si shëndeti dhe mirëqenia”- shtoi ai, duke përmendur veçantitë e çajrave që konsumohen në Kosovë.

Për një të ri, i cili fëmijërinë e ka lënë të cunguar në lagjet e Prishtinës, gjëja më e vështirë si refugjat ishte të rifilloj jetën për të ndërtuar një të ardhme të sigurt. Prindërit e tij, kishin sakrifikuar duke punuar 24 orë në javë për t’i dhënë një mundësi të rifillojnë jetën atij dhe dy motrave të tij më të mëdha, Doruntinës dhe Harietës.

“Nëna ime dhe babai im kurrë nuk na treguan si fëmijë se sa të vështira ishin kohët dhe nuk na lejuan të trembemi, ata na e morën atë frikë dhe na mbajtën të emocionuar për jetën”- rrëfen Ukella.

“Asgjë nuk ishte e pamundur në mendjet tona, dhe kjo sepse prindërit e mi na mësuan se si të ëndërrojmë dhe si të ëndërrojmë ëndërra të mëdha”- shtoi ai.

Plani i tyre si kompani është të bëhen lider në treg në Shtetet e Bashkuara në industrinë e çajit. Anipse, ky çaj gjendet në zinxhirët e mëdhenj të ushqimeve në të gjithë Amerikën, Ukella shpreson që ta arrijë ta sjellë në Kosovë dhe Shqipëri.

Rruga deri në hapjen e kësaj industrie për të ishte e vështirë, pasi që për 9 muaj kishin zhvilluar produktin e tyre duke punuar me zinxhirët kryesorë të shitjes me pakicë në Amerikë, përpara se të lansojnë në treg në janar të këtij viti.

“Qëllimi ynë është të sjellim shije të mrekullueshme çaji dhe përfitime të shkëlqyera shëndetësore për konsumatorët kudo. Por më e rëndësishmja, qëllimi im personal është të frymëzoj emigrantët nga të gjitha pjesët e botës që ëndrrat tuaja mund të jenë të mundshme, dhe unë dua të përfaqësoj popullatën shqiptare duke ndërtuar një kompani e suksesshme e pijeve e frymëzuar nga kultura jonë”- shpalosi Ukella dëshirën e tij.

Karriera e Ukellës filloi si person i cili merrej me të dhëna për një kompani të madhe të pijeve të quajtur Bai. Nga atje, ai ishte lidhur në rrjet dhe ishte bërë drejtues biznesi në një kompani të quajtur OWYN [Only What You Need] që ishte në fillimet saj të një kompanie pijesh me proteina. Më pas, për rreth 5 vjet, kjo kompani ishte bërë pija numër një e proteinave me bazë bimore në Amerikë. Si përfundim, ai kishte vendosur që ta hap kompaninë e tij, The Ryl Company.

Një meritë të veçantë për suksesin e tij, Ukella ia atribuon kulturës së tij shqiptare, që sipas tij duke qenë një popull shumë miqësor i ka ndihmuar atij që të takojë shumë njerëz dhe të krijojë marrdhënie të mira me njerëz të ndryshëm.

“Është ajo [kultura shqiptare] aftësi që më dha suksesin tim në biznes në fillim të karrierës sime”- përfundoi Ukella.