Foto: Ilustrim

Vdiq nga një hemorragji në tru, 27-vjeçari shpëtoi jetën e gjashtë personave si dhurues i organeve

27-vjeçari Alex Newlove që vdiq papritur nga një gjakderdhje në tru në Mançester në vitin 2020, si dhurues organesh, ndihmoi në shpëtimin e jetëve së gjashtë personave, raporton BBC.

Nëna e Alex, Judy Coutinho, u ka kërkuar familjeve që të përkrahin dhurimin e organeve me të dashurit e tyre, në mënyrë që të shpëtohen më shumë jetë.

Newlove, me origjinë nga Tarleton, Lancashire, ishte zhvendosur në Shtetet e Bashkuara për të ndjekur karrierë në kontabilitet dhe financa.

Coutinho, 59 vjeçare, tha se djali i saj po jetonte “jetën e ëndrrave” në Çikago përpara se të sëmurej në fillim të vitit 2020.

“Nuk kishte asnjë paralajmërim. Ai vdiq nga një hemorragji masive në tru derisa ishte në shtëpi për Krishtlindje. Kjo ndodhi si një rrufe në qiell, e papritur për ne”- tha ajo.

Coutinho tha për BBC se, edhe pse nuk kishte diskutuar për dhurimin e organeve me djalin e saj, “instinktivisht e dinte” se çfarë do të dëshironte ai.

“Kisha të drejtë, sepse me sa duket ai nënshkroi katër herë regjistrin e dhuruesve të organeve. Thjesht ndjeva se ai nuk do të donte që organet e tij të mos ndihmonin njerëzit e tjerë. Ç’kuptim ka që të mos ndihmohen njerëzit e tjerë, Aleks nuk do kthehej tek ne” – shtoi ajo.

Në vitet që pasuan, nëna e të ndjerit ka qenë në kontakt me disa nga familjet e atyre që ai ndihmoi për të shpëtuar.

“Jam në kontakt me një mama, vajza e së cilës u ndihmua. E di se si po ia del, ajo sapo ka marrë rezultate të mahnitshme, ishte bukur ta shohësh me fustan mature dhe gjëra të tilla. Është emocionuese dhe thjesht përforcon ndjenjën se ishte gjëja e duhur për t’u bërë” – shtoi ajo.

“Kam marrë gjithashtu disa letra nga nëna e një djali të vogël që mori një pjesë të mëlçisë së Alex. Vetëm të dëgjosh se sa mirë po ecën, është vërtet ngushëlluese.”

Judy tani po mbështet një fushatë të infermierëve e cila po u kërkon njerëzve të flasin me familjen dhe t’i “sigurojnë” për dhurimin e organeve.

“Nuk e kam ëndërruar kurrë se do të isha në atë pozicion, se do të vinte ajo ditë. Mendoj se është një bisedë e rëndësishme për t’u bërë” – shtoi tutje.

Hulumtimi i Sherbimit Spitalor tregoi se 80% e njerëzve janë të gatshëm të dhurojnë organet në raste kur nuk kanë më jetë, derisa vetëm 39% thonë se kanë ndarë mendjen.