Gjirokastra/ Foto ilustrim: kallxo.com/ Diar Vuçetaj

“Sokaku i të marrëve” në qytetin ku mbahet “peng” avioni ushtarak amerikan

Rrugët më kalldrëm që ndajnë shtëpitë e vjetra prej guri, me ballkone prej druri e të mbuluara me rrasa, ta ngjallin ndjenjën e të jetuarit në një kohë qindra vjet më herët. Mes maleve të larta, mbi të cilat madhërishëm ngrihet një kala, shtrihet Gjirokastra, qyteti që u përmend nga kronisti bizantin Johan Kantakuzeni në vitit 1336, veç me një emër pak më ndryshe- si Argyrokastron. Dhe, nëse dikur moti për romakët “të gjitha rrugët çonin në Romë”, në këtë qytet të gurtë të gjitha rrugët të çojnë te “Pazari i Vjetër”. Por, para se të arrish deri aty, mund të futesh në një rrugicë që nuk dallon shumë nga të tjerat. Në hyrje të saj bie në sy një pllakë e bardhë e metaltë mbi të cilën, me shkronja të zeza, shkruan “Sokaku i të marrëve”. Pakkush që kalon nëpër të ose përskaj saj, nuk ndalon për të bërë fotografi. Mbase emërtim të tillë rruge nuk kanë hasur gjëkundi nëpër botë.

“Nuk kanë qenë e as nuk janë të marrë ata që kanë jetuar dhe jetojnë në këtë rrugë”, thotë një gjirokastrit, teksa kalon atypari. “Është një legjendë që thotë se banorët e kësaj rruge i nxirrnin gurët dhe gjuanin me ta për të bërë qejf. Të tjerët, këtë veprim e shihnin si marrëzi dhe kështu ka nisur të quhet sokaku i të marrëve”, rrëfen ai buzagaz. Rrugica është bërë e famshme sa për emrin e çuditshëm aq edhe për faktin se e lidh lagjen ku gjendet shtëpia e shkrimtarit të madh Ismail Kadare, me lagjen ku gjendet shtëpia në të cilën ka lindur ish-udhëheqësi komunist Enver Hoxha, që shumica e shqiptarëve i referohen si diktator, e një pjesë brenda e jashtë Shqipërisë vazhdojnë ta lartësojnë figurën e tij.

Si shtëpia e shkrimtarit, si ajo e diktatorit, tash janë muze. Si njëra, si tjetra thuhet se në kohë të ndryshme janë djegur e më pas janë rindërtuar e restauruar. Shtëpia e Kadaresë u ndërtua më 1799, thotë një djalë i ri që punon aty. Shkrimtari me famë botërore kishte jetuar në këtë shtëpi deri në moshën 17-vjeçe, pastaj ishte zhvendosur në Tiranë. Shtëpia ishte shfrytëzuar nga anëtarët e tjerë të familjes së Ismailit deri në vitet ’70-ta të shekullit të kaluar. “Në kohën e komunizmit në këtë shtëpi u vendosën tri familje të pastreha dhe në vitin 1999 shtëpia u dogj aksidentalisht”, rrëfen djali që i orienton dhe u jep përgjigje vizitorëve. Shtëpia më pas është restauruar dhe në vitin 2016 është shpallur muze. Secila dhomë është me oxhak, e rrethuar me minder dhe e shtruar me qilim.

Nga ballkoni i shtëpisë shihet një pjesë e madhe e qytetit të vjetër dhe të ri. Shtëpia është e mbushur me fragmente nga libri “Kronikë në gur” dhe me gjësende personale dhe familjare të Kadaresë. E mbyllur me xham shihet edhe një helmetë gri që thuhet të jetë nga Lufta e Vietnamit ku shkrimtari asokohe kishte qenë reporter. Një pus që grumbullon ujërat e shiut dhe një dhomë që ishte përdorur si vendstrehim gjatë Luftës së Dytë Botërore, po ashtu, zgjojnë vëmendjen e vizitorëve. Kadare është në moshën 88-vjeçare. Nga Shqipëria u largua në vitin 1990 dhe u vendos në Francë. Në të ri, ai ka shkelur nëpër rrugët e njëjta nga ka shkelur edhe diktatori, i cili ka vdekur në vitin 1985. “Armiqësia midis letërsisë dhe tiranisë buron natyrshëm nga natyra e të dyjave. Dihet se letërsia e ka në thelbin e saj lirinë, emancipimin, demokracinë, ashtu sikurse tirania ka të kundërtën”, ka thënë në një rast shkrimtari i nominuar disa herë për Çmimin Nobel për Letërsi dhe është nderuar me shumë tituj gjithandej nëpër botë.

Djepi i diktatorit dhe xhamia që ishte shndërruar në cirk

Shtëpia ku ka jetuar Enver Hoxha tash është Muze Etnografik i Gjirokastrës. Brenda muzeut, në një dhomë të vetme, ruhen edhe kujtimet për të. Një djep, një sënduk, një tangar dhe një pllakë e bardhë mermeri në të cilën shkruan: “Në këtë dhomë lindi më 16 tetor 1908 Enver Hoxha”, janë gjërat e vetme që lidhen me Hoxhën – gjithçka tjetër pasqyron kulturën dhe traditën e Gjirokastrës. “Shtëpia e Enver Hoxhës është djegur njëherë dhe në vitin 1966 është rindërtuar. Nga ai vit e deri më 1991 shfrytëzohej si Muze Antifashist”, shpjegon nëpunësja e muzeut. “Ndërsa dhoma e Enverit është ashtu siç ai vetë e kishte ideuar”, thotë ajo.

Jo shumë larg dy shtëpive muze, gjendet edhe shtëpia e Familjes Fico, si një ndër familjet më të vjetra e më të njohura në Gjirokastër. Shtëpia e ndërtuar rreth fundit të shek. XVIII është një rast i pazakontë me fasadën e lyer me ngjyrë të verdhë dhe zbukurimet e veçanta në dru. “Gjatë Luftës së Dytë Botërore shtëpia ka qenë bazë për partizanët, ndërsa në kohën e komunizmit familja u largua dhe ndërtesa u përdor si shtypshkronjë e si apartament për qiraxhinj. Familja u kthye në këtë shtëpi në vitin 1970”, shënon në hyrje të kësaj shtëpie. Për tetë breza, thuhet se Ficot janë shquar për karrierë në drejtësi, mjekësi, inxhinieri dhe politikë. Rauf Fico (1881-1944) ishte ministri i parë i Punëve të Brendshme në qeverinë shqiptare të krijuar pas shpalljes së Pavarësisë më 1912.

Pasi ta kesh lënë edhe këtë shtëpi dhe të kesh marrë rrugën përpjetë, para se të hysh në zonën ku është i ndaluar qarkullimi i makinave, do hasësh në një xhami të madhe. I thonë “Xhamia e Pazarit”. Është e vetmja nga 13 xhamitë që i kishte dikur Gjirokastra e që i ka shpëtuar shkatërrimit gjatë regjimit komunist. Siç thuhet në historikun e saj, objekti i xhamisë për një kohë të gjatë është përdorur si sallë trajnimi për akrobatët e cirkut, të cilët e shfrytëzonin lartësinë e tavanit për të varur trapezet e tyre.

Bazuar në shkrimet e kronistit turk Evlia Çelebi, i cili e kishte vizituar Shqipërinë tri herë, Xhamia e Pazarit është ndërtuar në fillim të viteve 1600. Kësaj xhamie, asokohe Çelebi iu kishte referuar si Xhamia e Memi Pashës. Në dokumentet arkivore thuhet se kjo xhami kishte 25 dyqane vakëf të cilat gjatë regjimit komunist u konfiskuan dhe pjesa më e madhe e tyre nuk është kthyer ende. Gjatë regjimit komunist në Shqipëri ishte ndaluar feja. Xhamia është fare pranë zonës ku nuk mund të futesh me makinë. Një polic qëndron te kunjat që bllokojnë qarkullimin e mjeteve motorike në “Pazarin e Vjetër”, i gatshëm për t’i orientuar turistët dhe këdo që është në kërkim të ndonjë adrese.

Hyrja në njërin prej hoteleve që gjenden në këtë zonë të dërgon tek obelisku dhe te shkolla e parë në Gjirokastër. Obelisku shtatë metra i lartë u kushtohet “pionierëve të gjuhës shqipe që në vitet e errëta të robërisë mbajtën gjallë dashurinë për liri, arsim e kulturë”. Një grup turistësh që kanë zgjedhur për ta vizituar këtë qytet të jugut të Shqipërisë, i sillen përreth, bëjnë fotografi dhe më pas orientohen nga shkolla që është vetëm pak metra larg. Por, zhgënjehen kur shohin se dera është e mbyllur. Para se të largohen përpiqen të lexojnë se çfarë shkruan në pllakën e vendosur në pjesën ballore të saj. “Në këtë godinë në shtator të vitit 1908 pas përpjekjeve të shumta të mësonjësve e patriotëve gjirokastritë u çel shkolla e parë shqipe për qytetin me emrin ‘Liria’”- shkruan vetëm shqip në këtë pllakë dhe të huajt vetëm mund të hamendësojnë vitin e hapjes së shkollës, asgjë tjetër. Gjatë kohës së Mbretit Zog (1928-1939), thuhet se Gjirokastra u bë një nga qendrat më të rëndësishme kulturore dhe ekonomike të vendit.

Kulla e Sahatit dhe avioni i forcave ajrore amerikane

Obelisku dhe shkolla e parë i qëndrojnë karshi Kalasë së Gjirokastrës e cila për disa metra qëndron më lart. Kjo kala konsiderohet ndër më të mëdhatë në Ballkan. Për t’u ngjitur te kalaja duhet kaluar nëpër pazar. Turma të huajsh por edhe shqiptarësh i sheh të shpërndarë nëpër rrugë, dyqane e restorante. “Sivjet, si asnjëherë tjetër, Gjirokastra është e mbushur me turistë”, thotë pronari i njërit prej hoteleve në Pazarin e Vjetër. E kënaqur me numrin e madh të vizitorëve shprehet edhe një shitëse suveniresh e qilimash në sheshin e Pazarit të Vjetër. Ajo tregon se të huajve u bëjnë përshtypje punimet e dorës e veçmas qilimat. Po pse secili dyqan është i mbushur me qilima? “Gjirokastra njihet për qilima. Edhe kalldrëmet janë si mozaikë që ngjajnë me qilima”, thotë shitësja.

Shkallëve të gurta që e lidhin pazarin me kalanë nuk rreshtin vizitorët. Sa duke u zhdjergur e sa duke u ngjitur. Muret e gjera krijojnë freski brenda kalasë. Pasi të kalosh nëpër zonën e mbushur me artileri ushtarake – topa të kalibrave të ndryshëm të përdorur në kohën e Perandorisë Osmane, dhe para se të arrish te një tank nga Lufta e Dytë Botërore, e sheh statujën e Princeshës Argjiro. Legjenda thotë se për të mos rënë në duart e turqve, princesha ra nga maja e kalasë dhe u bë copë.

Në historikun e qytetit thuhet se Gjirokastra ra në duart e Ali Pashë Tepelenës më 1811. Ai u kujdes që të kryheshin punime të reja fortifikuese në kala, si dhe të ndërtohej një ujësjellës 12 km i gjatë, që merrte ujë në malin e Sopotit. Ujësjellësi prej guri thuhet se u vizatua nga piktori i famshëm britanik Eduard Lear, i cili udhëtoi nëpër këtë krahinë. Ujësjellësi u shemb më 1932, por mbi lagjen “Dunavat” ka mbetur ende një hark i tij, që njihet me emrin “Ura e Ali Pashës”.

Në një pjesë të oborrit të Kalasë bie në sy vendi ku prej dekadash mbahet festivali i këngës popullore. Ky festival ndiqej fshehurazi edhe në Kosovë, në zonat ku kapeshin valët e televizionit shtetëror shqiptar. Për shkak të përbashkëtave në veshje e instrumente, kosovarët mezi prisnin për t’i dëgjuar këngët me motive nga veriu i Shqipërisë, të interpretuara nga ansamblet e Tropojës, Mirditës, Kukësit, Pukës, Lezhës e Bajram Currit. Pak metra tutje nga platoja ku janë të ngrehura harqet e metalta të vendit ku mblidheshin këngëtarët dhe valltarët nga të gjitha viset e Shqipërisë, është Kulla e Sahatit. E ndërtuar nga Ali Pashë Tepelena në fillim të shekullit të XIX, ajo ka një lartësi prej 30 metrash. Thuhet se ora nuk ka punuar që pas Luftës së Parë Botërore për shkak të dëmtimit të mekanizmit, i cili më pas ishte hequr tërësisht nga vendi. Nga muret rreth kësaj kulle shihet Gjirokastra si në shuplakë të dorës.

Ndonëse gjithçka i përket periudhës së vjetër, në hapësirën e Kalasë zë vend një aeroplan i shkatërruar i forcave ushtarake amerikane. Për rrëzimin e tij ekzistojnë dy versione: njëri i SHBA-së e tjetri i regjimit komunist shqiptar. Sipas njoftimeve të shtypit amerikan të janarit 1958, piloti po fluturonte nga baza ajrore e SHBA-së në Shatoru të Francës drejt Napolit në Itali. Gjatë fluturimit, ai e humbi kontrollin në mjegullën e dendur dhe doli nga kursi. Me karburant në mbarim e sipër, ai kreu një ulje të detyruar në Shqipëri. Por, ndryshe e transmetonte Radio Tirana këtë ngjarje. Kjo radio raportonte se pilotët e Ushtrisë Popullore Shqiptare kishin diktuar një avion spiun të SHBA-së në territorin ajror shqiptar dhe e detyruan të ulej në Aeroportin e Rinasit. E faktet janë se “Lockheed T-33 Shooting Star”, është aeroplan që përdorej për stërvitje dhe zbulim nga Forcat Ajrore Amerikane. Në dhjetor të vitit 1957, ai u ul në Rinas. Pas disa javësh piloti u kthye në SHBA, por avioni mbeti në Shqipëri. Në Kalanë e Gjirokastrës thuhet se u vendos nga mesi i viteve ’70-të.

Gjirokastritët i presin mirë të huajt. Me plot mirësjellje janë të gatshëm për të ofruar ndihmë, për të sugjeruar, orientuar, ose edhe për të dhënë shpjegime rreth ndonjë shtëpie karakteristike ose çfarëdo objekti tjetër. Përveç se e kanë traditë mikëpritjen, janë edhe të vetëdijshëm se vetëm kështu mund të lënë përshtypje të mira te vizitorët dhe të krijojnë shanset që të njëjtët të kthehen sërish në qytetin e tyre. Dhe jo vetëm ata. Sepse kushdo që ka kaluar mirë kur kthehet në vendin e tij, u rrëfen të tjerëve se si ka kaluar në “qytetin e gurtë” shqiptar. Kështu zgjerohet rrethi i vizitorëve. Por kjo nuk mjafton! Kërkohet edhe dora e pushtetit. “Mua nuk më intereson nëse Gjirokastrën e udhëheq e majta apo e djathta. Për mua ka rëndësi që ai që e udhëheq, të krijojë politika të mira që e nxisin turizmin, e rrisin ekonominë dhe krijojnë mirëqenie”, thotë pronari i një lokali afarist. Dhe po, kështu duhet. Sepse, Gjirokastra është pasqyrë e gjallë e së kaluarës dhe shembull i qëndrueshmërisë kulturore. Prandaj, jo më kot, UNESCO e ka futur në mbrojtje “qytetin e njëmijë shkallëve”.