MSH Gjobitet me 30 Mijë Euro

Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) e ka gjobitur me 30 mijë euro Ministrinë e Shëndetësisë për shkak të shkeljes së Ligjit të Prokurimit Publik, me rastin e një tenderi për furnizim me citostatikë.

Po ashtu, OSHP-ja ka urdhëruar për herë të fundit Ministrinë e Shëndetësisë që të zbatojë vendimet e këtij organi. Vendimi i OSHP-së i rekomandon zyrtarit kryesor administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë që të shqyrtojë përgjegjësinë eventuale të zyrtarit kryesor të prokurimit dhe anëtarëve të komisionit vlerësues/rivlerësues.

Në vendimin e OSHP-së thuhet se në tenderin “Furnizim me Citostatik – Ritenderim Lot 6”, kanë konkurruar tri kompani, ku dy prej tyre janë vlerësuar si të përgjegjshme, ndërkaq njëra e papërgjegjshme nga komisioni vlerësues, transmeton gazeta Zëri.

Komisioni i Ministrisë pas shqyrtimit të dy ofertave të përgjegjshme, ka rekomanduar që kontrata t’i jepet operatorit ekonomik “Rimed”, pasi që ka plotësuar kriteret e kontratës.

Por, si palë e pakënaqur operatori tjetër, “Redoni HM”, ka deponuar ankesën në OSHP, duke pretenduar se Ministria e Shëndetësisë ka bërë shkelje të nenit 59 dhe 61 të LPP-së.

“Paneli shqyrtues më 5 shtator të këtij viti ka marrë vendim që ankesa e OE ‘Redoni HM’ nga Prishtina të aprovohet si e bazuar për arsye se në bazë të provave të prezantuara në seancën dëgjimore u konstatua se Ministria e Shëndetësisë ka bërë shkelje, ndaj urdhërohet Ministria që aktivitetin ta kthej në rivlerësim”, thuhet në vendimin e OSHP-së.

Kryetari i panelit shqyrtues të OSHP-së, Hysni Hoxha, ka thënë se Ministria e Shëndetësisë nuk ka zbatuar vendimet e datës 5 shtator 2011, si dhe nuk ka zbatuar dy urdhëresat e nxjerra më 28 shtator dhe 17 tetor të këtij viti.

Sipas Hoxhës, “Rimed” ka qenë me licencë të skaduar dhe me gramaturë prej 480 miligramë të produktit medicinal, në kundërshtim me dosjen e tenderit.