Puna me Shqiptarët

Fillimisht më lejoni të shpreh mllefin ndaj shprehisë që kemi krijuar – e këtë shprehi e kam edhe vetë – që ta shohim veten si popull më pak të aftë se të tjerët për të bërë çkado përparimtare dhe kualitative. Vështrimi i tillë është në tërësi racist dhe s’do mend që është arsyeja kryesore pse shumë prej bashkatdhetarëve tanë kanë filluar të struken në nacionalizëm. Është tenda më e ngrohtë ndaj sulmeve që ia bëjmë vetvetes.

Përveç nëse jemi në gjendje ta pranojmë idenë se një popull ose racë është inferiore ndaj tjetrës, duhet të pajtohemi që fajet për zhvillimin e ngadaltë të shqiptarëve nuk e kanë gjenet, por rrethanat.

Nëse e shikojmë pak nga afër krizën ekonomike, e cila ka kapluar shumicën e vendeve të zhvilluara, e shohim që ajo ka shtyrë këto shtete të investojnë në infrastrukturë (rrugë, hekurudha, ndërtimtari etj. Shikoni raportin e OECD faqe 22). Shtetet investuakan në infrastrukturë gjatë kohës së krizave, kryesisht për të rritur punësimin dhe me këtë edhe qarkullimin e parasë në treg (konsumin). Që është zgjidhje gjithmonë e përkohshme. Megjithkëtë, paratë e investuara, kryesisht mbesin në vend.

Prandaj, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) rëndom këshillon shtetet në zhvillim (si Kosova e Shqipëria) që të bëjnë investime kapitale. Kosova dhe Shqipëria, duke e ndjekur këtë logjikë kanë kanë ndërtuar rrugë e shkolla, por (e ky është një “por” i madh) duke u dhënë tenderë – dhe me këtë para të mira – kompanive ndërkombëtare. Çka po na duhen investimet kapitale, nëse kapitali del jashtë vendit?

Tash, është shumë e vërtetë që cilësia e punimeve nga kompanitë vendore është me kilometra larg. “Rruga e Kombit”, për shembull, që është ndërtuar nga Bechtel-Enka duket (dhe s’do mend, është) dukshëm më kualitative sesa rrugët e segmentet tjera të ndërtuara nga kompanitë lokale. Ndërtimtarëve vendorë, nëse habitesh dhe ua përmend standardet të përqeshin, të bëjnë për pesë pare. Të gjitha këto janë gjëra që i dimë tashmë.

Në thelb problemi është si të zhvillojmë kompani vendore sa më të fuqishme, të cilat një pjesë të kapitalit e mbajnë brenda.

Nuk është mbase ideja që shteti të formojë kompani të mëdha shtetërore (ose të formojë vetë konsorciume kompanish) në rastin e projekteve të mëdha e të kushtueshme. Edhe pse edhe një zgjidhje e tillë do të mund të ishte shumë e dobishme, veçanërisht në rastin e Kosovës C.

Sidoqoftë, me rëndësi është të shihet paradoksi i investimeve kapitale, ku kapitali del jashtë. Për më shumë, është për të luajtur mendsh, logjika e kësaj Qeverie që të shesë edhe ato pak kompani publike që kemi, për të financuar projekte prej të cilave kapitali shkon te kompani ndërkombëtare.

Kjo është arsyeja pse është bërë kaq shumë zhurmë (jo mjaftueshëm!) kundër privatizimit të Postës, ndërtimit të Kosovës C nga kompani të huaja dhe kundër privatizimit të rrjetit të distribucionit të KEK-ut (sipas ministrit Beqaj ky do të jetë vit i privatizimeve). Nga përvoja në Shqipëri, ky privatizimi i fundit në veçanti është treguar thellësisht i gabuar.

E ironia më e madhe është, që e tërë strategjia e zhvillimit ekonomik të këtij vendi është e bazuar në investime të gabueshme kapitale dhe privatizime me përfitime afatshkurta.

Nëse diçka duhet gjithsesi të dalë në tender, le të jetë kjo Qeveria.