Lapsat gati për nënshkrim

 

Administrata e Trump duket se është afër arritjes së qëllimit të saj afatgjate për të përmbyllur një marrëveshje të madhe në politikën e jashtme në formën e një lloj marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, pa ndonjë strategji të përcaktuar dhe me mungesën e Europës në këtë proces, një marrëveshje e tillë vetëm sa mund të bëjë dëm.

Me një qeveri të re, dhe të gjunjëzuar në Prishtinë e votuar gjatë këtij muaji, dhe me një rezultat të pritshëm të zgjedhjeve këtë të diele në Serbi, rruga drejt një marrëveshjeje të ndërmjetësuar nga Uashingtoni midis Kosovës dhe Serbisë tani është e hapur. I dërguari i Shtëpisë së Bardhë, Richard Grenell, ka harxhuar pak kohë në caktimin e një takimi të nivelit të lartë midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë në Uashington për 27 qershor për, siç e tha ai, “Diskutime për dialog”.

Në muajt e fundit, Grenell nuk ka lënë gur pa lëvizur për të siguruar që të gjitha pengesat për një “marrëveshje historike” janë larguar. Kjo përfshin ushtrimin e presionit ndaj koalicionit qeverisës paraprak, duke çuar në rrëzimin e saj, dhe duke siguruar që të hiqeshin jo vetëm tarifat e importit 100 përqind ndaj mallrave serbe, por edhe masat tregtare të reciprocitetit.

Çështja e tarifës midis Prishtinës dhe Uashingtonit krijoi një perceptim të atillë për shumë njerëz në Kosovë se duke bërë një kërkesë të njëanshme për udhëheqjen e tyre, Grenelli po përmbush vetëm kërkesat e Serbisë. Kjo ishte një kafshatë e vështirë për t’u kapërdirë për shumë kosovarë pasi që shumë prej tyre në masë të madhe i shohin Shtetet të Bashkuara si shpëtimtarin nga gjenocidi (shkaku i udhëheqjes amerikane të ndërhyrjes së NATO-s më 1999) e po ashtu edhe si fuqinë kryesore përgjegjëse për pavarësinë e Kosovës (me njohjen e Kosovës nga Uashingtoni në vitin 2008).

Mirëpo është e rëndësishme të hedhim një hap prapa dhe të shikojmë edhe kontekstin aktual të politikës së jashtme amerikane si dhe të marrim në konsideratë dinamikën diplomatike që e solli Kosovën dhe Serbinë në këtë pikë.

Uashingtoni nuk ka një strategji të qartë afatgjatë në bisedimet Kosovë-Serbi dhe as Grenelli e as shefi i tij, Presidenti Donald Trump, nuk e kanë një strategji qartësisht të artikuluar. Ajo që më shumë ka të ngjarë është se, pas zgjedhjes së tij, Trump ishte në kërkim të një arritjeje kryesore të politikës së jashtme si sukses i arritjeve të tij para fushatës së tij për një rizgjedhje.

Trump dhe ekipi i tij kanë trasuar globin në kërkim të pikave e nxehta që mund të shndërrohen në “marrëveshje” të shpejta. Në kohën e duhur, në administratën e tij u shfaq një lloj ndarje e punëve.

Fytyrave kryesore duket se u janë caktuar detyra të rëndësishme të politikës së jashtme: Përfaqësuesi i Tregtisë amerikane, Robert Lighthizer ishte i ngarkuar me një marrëveshje të re “të shkëlqyeshme” me Kinën, shefi i Departamentit të Shtetit, Mike Pompeo, ishte ngarkuar të merrej me Iranin, dhëndri i Trump Jared Kushner ishte i ngarkuar të përgatiste një zgjidhje për konfliktin izraelito-palestinez, ndërsa një besnik tjetër i tij, Grenell (në atë kohë ambasador amerikan në Gjermani) u caktua me çështjen e një marrëveshjeje Kosovë-Serbi. Në ndërkohë, Trump personalisht u mor me Korenë e Veriut.

Në secilin rast, administrata mbështetej në të njëjtën taktikë – përshkallëzimi, kërcënimi dhe më pas oferta për një “marrëveshje”. Kjo strategji doli të jetë një dështim konstant. Në asnjë rast Trump nuk ishte në gjendje të kishte sukses në “marrëveshjen” e tij.

Në rastin e Grenellit, megjithatë, doli të jetë ndryshe. Për dallim nga rastet e tjera, në Kosovë dhe Serbi të dy presidentët, Hashim Thaçi dhe Aleksandar Vuçiq ishin të gatshëm të përshtateshin me planet e Uashingtonit.

Të dy tashmë kishin negociuar për vite me radhë nën ombrellën e BE-së. Nën ndërmjetësimin e BE-së, të dy vendet kanë nënshkruar një numër “marrëveshjesh teknike” që nga viti 2011, në lidhje me çështje të tilla si njohja e ndërsjellë e targave dhe diplomave dhe administrimi i pikave kufitare. Krejt çfarë nevojitej ishte që Grenell të rrëmbejë procesin ekzistues të BE-së duke premtuar një marrëveshje që do të sigurojë “arritje” më të mira dhe të shpejta për palët në krahasim me procesin e ngadaltë dhe shumë burokratik të BE-së.

Thaçi ka qenë shumë i zëshëm në faktin se përkundër pjesëmarrjes së Kosovës në negociatat e sponsorizuara nga BE, kjo e fundit për gati një dekadë tani nuk ka arritur të përmbushë premtimin e saj për liberalizimin e vizave për Kosovën. Në Kosovë, zhgënjimi me BE është real dhe është pikërisht ky zhgënjim të cilin Grenell po e përdorë me plot kënaqësi.

Për Serbinë, nga ana tjetër, një marrëveshje e shpejtë me Kosovën dhe ndërmjetësuar nga SHBA, do të ndihmonte në të vërtetë procesin e pranimit të saj në BE. Përmirësimi i marrëdhënieve me Kosovën është një nga kushtet që Brukseli i ka vendosur Beogradit si një kriter kryesor për pranimin. Vuçiq gjithashtu ka shprehur interesim të madh për të përmirësuar marrëdhëniet me SH.B.A., duke përfshirë heqjen dorë nga kërkesa për të mos blerë edhe më tej pajisje ushtarake ruse. Marrë parasysh këtë, duke bashkëpunuar me Uashingtonin, Serbia ka pak për të humbur dhe shumë për të fituar.

Në fund të vitit 2018, bisedimet për shkëmbim territoresh midis Kosovës dhe Serbisë, si pjesë e një “marrëveshjeje historike”, të bëra publike nga Thaçi dhe Vuçiq, kërcënuan se do të pengonin procesin. Ideja e rivizatimit të kufijve midis Kosovës dhe Serbisë hasi në rezistencë të madhe në Kosovë, si dhe në kryeqytetet kryesore evropiane, përfshirë Berlinin.

Ky refuzim duket se e zuri Thaçin në befasi, dhe ai ka bërë çmos për të turbulluar kujtesën për sa i përket mbështetjes së tij të mëparshme për korrigjimin e kufijve. Në anën tjetër, Vuçiq ka argumentuar se vetëm me një pazar/marrëveshje shumë të madhe, në të cilën “Serbia merr diçka” (d.m.th., territor), ai do të mund të bënte ndonjë koncesion për ta njohur pjesën e mbetur të Kosovës si shtet sovran.

Porositë publike të Vuçiq për atë çështje janë formuluar me kujdes, por janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Kohëve të fundit, ai ka dhënë shenja se perspektivat e një “pazari të madh” duken të zbehta dhe ka përsëritur qëndrimin e tij se Beogradi nuk do ta njohë Kosovën. Marrë parasysh deklaratën e Thaçit këtë javë ku përjashtohet mundësia e korrigjimit të kufijve, do të ishte befasi nëse një shkëmbim territoresh mbetet akoma në tavolinën e bisedimeve. Do të thotë gjithashtu se njohja e Kosovës nga Serbia nuk do të jetë një rezultat i mundshëm.

I shpëtuar nga debakli në të cilin çështja e territorit mund të ketë rezultuar me nisjen e bisedimeve, muajt e fundit janë shpenzuar nga palët për të ri-kapur momentin, ribërjen e agjendës dhe angazhimin në atë që shkencëtarët politikë i quajnë akte të sinjalizimit si një prelud i një marrëveshje më të madhe. Kjo përfshin nënshkrimin e ‘marrëveshjeve’ të janarit për transportin ajror dhe hekurudhor midis Prishtinës dhe Beogradit, ndjekur nga vizitat pasuese nga Thaçi dhe Vuçiq në Uashington.

Qëllimet simbolike të këtyre marrëveshjeve e tejkalojnë gjerësisht rëndësinë e tyre politike. Ata shërbyen për ta bërë të ditur seriozitetin e palëve në dialog me Grenellin dhe njëri-tjetrin, për ta alarmuar BE-në se është përjashtuar në mënyrë efektive nga procesi, dhe për Thaçin që ta bëjë të ditur aftësinë e tij që të ofrojë diçka politikisht përtej mandatit të tij ligjor dhe kushtetues (sipas kushtetutës, Presidenti i Kosovës është një figurë pa autoritet ekzekutiv).

Afera me reciprocitetin gjithashtu mund të kuptohet në kontekstin e asaj loje sinjalizuese – në këtë rast, një sinjal nga Grenelli në Beograd, se Prishtina është plotësisht nën ndikimin e tij dhe do të zbatojë gjithçka që kërkohet prej saj nga Uashingtoni. Sapo Beogradi e kuptoi porosinë e tij, atëherë gjithçka ishte në vendin e duhur.

Krejt kjo na sjell tek mbledhja e planifikuar të datës 27 qershor. Për dallim nga historia e bisedimeve Kosovë-Serbi të ndërmjetësuara nga SHBA, të cilat datojnë që nga vitet 1990, këtë herë publiku është tërësisht në terr informativ, jo vetëm në lidhje me përmbajtjen, por edhe me kornizën e negociatave dhe parimet e tij të përgjithshme. Përveç kësaj, ndryshe nga bisedimet e kaluara, në këto bisedime nuk ka asnjë pjesëmarrje domethënëse të aleatëve kryesorë evropianë të Amerikës.

Është e qartë se një marrëveshje ka qenë në përgatitje e sipër me muaj pasi që nuk ka të ngjarë që një marrëveshje komplekse do të mund të negociohet rreth një kafeje të pasdites në Shtëpinë e Bardhë. Marrëveshja mund të mos përfshijë korrigjimin territorial, megjithatë, sërish kujtojmë se negociatat janë sekrete dhe ajo që do të bëhet publike në fund mund të një befasi.

Substanca e saj mund të përbëhet nga zotime nga pala serbe, mbase duke mos e përfshirë njohjen, por duke përfshirë një zotim për të mos bllokuar anëtarësimin e Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe në organizata tjera ndërkombëtare. Ose mund të përbëhet nga një mori marrëveshjesh teknike mbi tregtinë, udhëtimet dhe investimet midis dy vendeve, shumica e të cilave do ta ndryshonin shumë pak jetën e njerëzve në rajon.

Pavarësisht kësaj, duket se Grenell do ta ketë ofruar përfundimisht ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes së paqes shumë të lakmuar të Rose Garden. Prapa arritjes së asaj dëshire iluzioniste, përplot mbetje të kushtueshme politike do të mbesin akoma aty.

 

Ky shkrim fillimisht është publikuar në gjuhën angleze. https://prishtinainsight.com/the-signing-ceremony-is-on/

Besnik Pula është profesor i asociuar Shkencave Politike në Universitetin Virginia Tech, në  SHBA. Pula është  autor i një  sërë studimesh për politikën kosovare.