Lamtumirë Mision

Letra të cilat i dërgojnë djemtë dhe vajzat para se të kthehen mbrapa në drejtimin #west për në shtëpitë e kuzhinat e tyre të mbushura me corn-fllejks, fibra e përgjigje mbi dilemën: ‘Si ta gatisim një  tortë planet shkencërisht të saktë?”

Nuk ka Mision pa misionarë të vërtetë – pa stafin ndërkombëtarë për mbështetje të paqës dhe demokracisë të cilët dashtëm a nuk dashtëm janë ende këtu deri në bërje me mundësi vazhdimi edhe pas bërjes.

Vajza dhe djemë ambicioz nga i tërë globi: “shërbyesit civil” më të përkëdhelur në botë. Vajzat dhe djemtë që ishin lodh nga corn-fllejks-at dhe Pink Floyd-at edhe nga fibr-at, dhe e deshtën një avanturë.

E deshtën një problem të vërtete e të prekshëm; diçka ndryshe. Diçka qe tejkalon sfidën e tipit: “Si ta gatisim një  torte-planet shkencërisht të saktë” (How to bake a scientifically accurate planet-cake ).

Dhe e gjetën “ndryshen”. E kish emrin Mission. Me të gjetur edhe zbarkuan. Me të zbarkuar edhe valigjet i sollën; plot paragjykime. Gjë që ndodh, nëse e kanë pa Misionin,  “ndryshen” e tyre në CNN në departamentin  e breaking-news .

Asi lajmi që paraqitet në ekran, qysh je tu nejt mas miri,  me një audio pompoze me shkronja të medha shtypi të fontit Bold-140-capital letters apo gërma të mëdhaja të shtypit. Lajm që gati gjëthmonë përcjellet me video imazhe që përmbajnë tym e mbetje betoni. Por, nuk do të ndalem në sekcionin paragjykim. Këtë e kemi konstatu shumë here.

Tash kemi me konstatu shkuarjen e tyre dhe (jo) sinqeritetin e lamtumirave te tyre finale nga Missioni te cilin (sun) e ndihmun përfundimisht.  Lamtumira e shëndrume në shabllon porosi, por nga zemra e cila në 99.9% të rasteve kishte subjektin: “Leaving the Mission” adresuar: To-All.  Letra elektronike  të cilat po t’i filtronim për fjalët me te përdorura  rezultati do të ishte ky:

•    Mundësi (për me të njoftu ty në kapacitet aborigjinali )
•    Sfidë ( me gjet gluten-free miell)
•    Braktis (misionin )
•    Përvojë (zakonisht e përshkruar si  e papërshkrueshme)
•    Shtëpi ( West)
•    Njerëz (gjithnjë njerëz të mirë kishin pas taku)
•    Mision (që ju ka dhënë mundësi me të njoftë ty edhe ton ata njerëz të mirë duke i sfidu në të njejtën kohë , ky mision, dhe si rezultat do ta braktisin dhe do të shkojnë në shtëpi drejtimi: West)
•    Zemra ( letra e shkruar nga zemra)
•    Shteg ( përcjellet edhe me fjalën kryqëzim)
•    Do të mbesim në kontakt (a-ha)
•    E-mailli im privat (kur dokesh andej ka West doku: a-ha)
•    Ju faleminderit ( për çka konktretisht askush nuk e din)
•    Lamtumirë (këtë sinqerisht nga zemra e kishin)
•    Pije (ndonjëherë me specifikim te numrit te të pijeve që mund ti pini në llogari të atij apo asaj në braktisje të misionit)

Dukej sikur braktisësit në perspektivë i arkivonin  diku në follderat të tyre personale letrat e tilla që i kishte dërgu dikush që tanimë ishte braktisës në retrospektive. I kishin lon anash që ta përdornin,  me një adaptim të vogël, kur të vjen momenti. Në fakt, misioni do të mund tu vihet në shërbim stafit të vet duke e formalizu këtë template me titull: Leaving the Mission template me një tekst të inkorporum n’to, paraprakisht. Një tekst që do ti përmbledhte të gjitha dhe asgjë.  Tani stafit në braktisje të Misionit  do t’i mbetej vetëm të plotësonte  pjesën lidhur me e-mailin privat dhe të shtypte butonin Send to All!

Këto janë  letra template në formë dhe në përmbajtje. Këto janë letra të cilat mundesh lirisht me i fshi në  „aterim“ e sipër në inboxin tënd: në momentin kur në këndin e majtë të desktopit tënd e sheh një notifikim me subjekt „Leaving the Mission“. Këto letra janë letra së koti.

Por, ashtu siç çdo gjë nuk është veç e zezë edhe këtu, në domenin letra lamtumirëse,  kishte të bardhë. Kjo e bardha  ishte pakica që da ta dërgonte një letër lamtumirëse, nga zemra. Letër që  do të sjellte buzëqeshje dhe ngrohtësi në zemrën e atij dhe asaj që mbetej. Këto letra dhe fjalët në te  lidhen me fytyrat të cilat nuk do t’i harrosh,  letrat e të cilëve do t’i mbash gjatë në inbox para se të prekesh pullën delete. Në këto letra gati as nuk do ti gjen fjalët e filtrume si më sipër. Në këto letra, shablon nuk ka, ka zemër, humor dhe dashuri:

„Të dashur,

Kjo javë do të jetë java ime e fundit. I kam kalu 7 vjet përplot katarsë në këtë regjion. Për ata që besojnë në ciklin 7 vjeçar ashtu si besoj unë,  viti i fundit ka qenë  më i përgjakshmi dhe më i përmjaltshmi që kam përjetuar. Tani jam njëri nga ju, nuk dyshoj më!” 

Por aty ku ka bardhë dhe zi ka edhe ngjyrë hiri. E kjo grey zone  e lamtumirave na takon neve: aborigjinalëve. Këtu dërgues janë ata që e braktisin Misionin pa e braktisur territorin e tij. Edhe këto letra lamtumirëse, njejtë sikur ato nga zemra sinqerisht, janë më të pakta në numër. Kjo për disa arsye të tjera dhe para se gjithash sepse vet braktisja si akt nuk ndodh aq shpesh meqë e kanë vendos me ndihmu tranzicionin deri në shuarje. Arsyeja tjeter është se jo të gjithë prej atyre që e braktisën misionin (jo-vullnetarisht në shumicën dërmuese të rasteve) do ta dërgonin letrën lamtumirëse: disa do ta braktsinin misionin, i cili në fakt i braktisi ata, me dinjitet dhe në heshtje.

Ata të paktë në numër të cilët kishin marrë guxim e inspirimin me dërgu letrën lamtumirëse me subjekt “Leaving the Mission” ishin plagjiaturë e lodht e letrave “famëkeqe” template po edhe më keq: kishin gabime gramatikore dhe të shtypit të pafalshme. Tepër shumë gabime për dikë që ka punuar për Mision që nga dita zero.  Ndonjëherë do të përmbanin edhe një dozë ironie këto letra: kur dërguesi kishte rënë viktimë e ristrukturimit të Misionit. Edhe këto letra përmbanin rreshtin e fundit mandator: “Ju lutem më kontaktoni në e-maillin tim privat”.. nëse ju çon rruga kah mahalla jeme. Askush nuk i kontaktoi kurrë!  Ata braktisën Misionin dhe i njejti i braktisi ata, përgjithmonë!

Për fat të mirë, për të gjithë banorët e mbetur të  fluskës së rehatshme të Misionit, procesi i bërjes mbetet i pa-përfundum dhe vazhdon të përkrahet nga djemtë e vajzat,  aborigjinalë dhe  ndërkombëtarë,  me shishe uji n’dor, back-packs, cuclla n’vesh e mbi të gjitha me take të larta dhe karmin t’kuq diabolik.