Mediat Duke Dalldisur Opinionin

Kosova, si dhe rajoni, që një kohë janë duke vluar nga paralajmërimet për zhvillime të mëdha politike. Në Kosovë paralajmërohet një koalicion i ri qeverisës, madje edhe zgjedhje të reja. Paralajmërohet çarja e partisë më të madhe dhe dialog politik me Serbinë për veriun e Kosovës. Por, duket se të gjitha këto llogari, si në Kosovë, si në vendet tjera fqinje, janë bërë pa hanxhiun. Deri sa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës të zgjidhet administrata e re shtetërore, vështirë se do të ketë lëvizje të mëdha, qoftë në Kosovë, qoftë në rajon.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbesin motori kryesor që i lëviz gjërat në Ballkan. Pa angazhimin e tyre të drejtpërdrejtë, Europa e vetme nuk është në gjendje të shtyjë përpara asnjë politikë në këtë pjesë të saj. Shtetet e Bashkuara mbesin të vetëdijshme për këtë rol të tyre, sikur edhe Europa, dhe mbesin të angazhuara në mënyrë intensive në zhvillimet në Ballkan. Por, një herë në katër vite, Shtetet e Bashkuara bëjnë një “pauzë” dhe përqendrohen në zhvillimin më të rëndësishëm jo vetëm për shtetin e tyre por edhe për tërë globin, në zgjedhjen e Presidentit të SHBA-së e rrjedhimisht edhe administratës së re, përfshirë edhe Sekretarin e Shtetit.

Zgjedhjet e reja presidenciale në Shtetet e Bashkuara mbahen këtë nëntor. Vëmendja qysh tani është krejtësisht e përqendruar në garën mes kandidatëve që duket të jetë shumë e barabartë. Në këtë kohë, Shtetet e Bashkuara kanë nevojë që së paku “miqtë” e tyre nëpër botë mos ta ngarkojnë me çështje që mund të presin. Zgjedhjet apo koalicioni i ri në Kosovë, dialogu mes Kosovës e Serbisë, veriu i Kosovës, janë çështje që nuk janë njëherë në agjendën e Shtetet e Bashkuara, së paku jo deri në janar të vitit të ardhshëm kur instalohet administrata e re në Washington.

Megjithatë, spekulimet në Kosovë nuk janë zbehur. Intensitetit të madh të spekulimeve i kontribuojnë edhe mediat vendore. Ndonëse disa nga mediat kosovare janë në gjendje të shtyhen për profesionalizëm me mediat e rajonit e më gjerë, mbesin disa të tjera që ende nuk kanë mësuar të bëjnë dallimin mes spekulimeve e thashethemeve dhe fakteve. Shpeshherë, mediat kosovare shkojnë përtej misionit të tyre, që të informojnë, por marrin edhe rolin e arbitrit që tregon se kah duhet të shkojnë gjërat apo edhe të gjyqtarit dhe shpallin dikë fajtor apo të pafajshëm. Politikës në Kosovë i përshtatet një skenë e tillë mediale pasi mund ta manipulojë duke e ushqyer me thashetheme e spekulime, me fjalë që i ndryshojnë çdo ditë, duke e dalldisur opinionin publik, duke e lodhur dhe duke e demoralizuar atë. Ka shumë pak media që së pari të bëjnë dallimin mes asaj që është faktike dhe asaj që është thjeshtë spekulim, e më pas të analizojnë faktet dhe të japin një tablo më reale të zhvillimeve në Kosovë.

Edhe pjesa tjetër e rajonit nuk është më mirë. Në të vërtetë, kur është fjala tek mediat e shkruara, në vendet përreth Kosovës gjendja është edhe më e rëndë. Shumica e mediave kanë rënë në dorë të biznesmenëve apo partive politike dhe në vend se të veprojnë si mediume për informim, janë kthyer në instrumente për të manipuluar opinionin dhe në masha të partive politike apo bizneseve me të cilat “luftohen” kundërshtarët. Duket se mediat e rajonit asnjëherë nuk kanë arritur të kryejnë me sukses tranzicionin nga mjete të propagandës në mjete të mirëfillta të informimit, që do të shërbejnë informata duke i lënë audiencës të gjykojë vet. Madje, duket se edhe vet audienca e pret këtë nga mediat, pasi edhe kjo nuk është transformuar.

Tabloja tani është edhe më e mjegullt me bumin e mediave online. Portale në internet që mbledhin çdo lajm e çdo thashetheme dhe e botojnë menjëherë, pa e vërtetuar e pa e korrigjuar, po u bëjnë konkurrencë serioze mediave konvencinale. Këto të fundit, nën presionin e të parave, shpeshherë po i ulin kriteret e tyre të profesionalizmit dhe nxitojnë të botojnë të njëjtat spekulime e thashetheme.

E tërë kjo po bën që, së paku në sipërfaqe, të duket sikur gjërat po vlojnë në Kosovë. Në fakt, gjasat më të mëdha janë që deri sa nuk do të sqarohet se kush do të udhëheqë me Departamentin e Shtetit të Washington në katër vitet e ardhshme, nuk do të ketë asnjë ndryshim të madh, as në Kosovë e as në rajon. Si zakonisht, po bëhet shumë zhurmë për asgjë.