Më Shumë sesa Dhuna Subjektive

Filmi shqiptar me titull “Amnistia” i regjisorit Bujar Alimani, që u shfaq të dielën e kaluar në edicionin e sivjetmë të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit që po mbahet këto ditë në Chicago, zgjoi kureshtjen e shumë filmdashësve. Publiku amerikan vinte për të parë një prodhim kulturor nga një vend që, në kujtesën e atyre që kanë përjetuar Luftën e Ftohtë, mbetet disi ekzotik dhe mbahet mend, para së gjithash, si një ndër vendet më të izoluara të ish-bllokut komunist. Publiku shqiptaro-amerikan, në anën tjetër, vinte për të parë një film të realizuar nga një bashkëkombës i tyre. Ishte dëgjuar se filmi kishte pasur disa debutime të suksesshme ndërkombëtare. 

Përmbledhja e shkurtër që lexohej në broshurën e festivalit ishte mjaftueshëm tërheqëse. Sigurisht, për shqiptarët që kishin ardhur në kinema atë natë mundësia e ndjekjes së filmit pa pasur nevojë për të lexuar titrat në anglisht ishte edhe një kënaqësi shtesë që nuk të ofrohet aq shpesh në një ndër kinematë më të mëdha të Chicagos.

Filmi bën fjalë për një grua shqiptare – Elsën – dhe vështirësitë sociale, ekonomike e kulturore të jetës së saj pas largimit nga puna në fabrikën e tekstilit në Pogradec dhe futjes së burrit të saj në burg për shkaqe të borxheve nga bixhozi. Skena e parë e filmit na paraqet Elsën duke pritur në radhë për t’u regjistruar për asistencë sociale pas pushimit nga puna si pasojë e privatizimit të fabrikës ku punonte nga një firmë e huaj. Në shtëpi e presin dy fëmijët që duhet ushqyer e shkolluar, si dhe vjehrri i saj, përmes së cilit Alimani do të na paraqesë “sëmundjen” kulturore të quajtur patriarkalizëm. Kontakti me burrin e saj, i cili gjendet i mbyllur në burgun e Tiranës, është i rrallë; ndodh një herë në muaj kur Elsa merr autobusin e linjës Pogradec-Tiranë. Siç merret vesh në fillim, asaj do t’i lejohet, si pasojë e detyrimit të Shqipërisë nga Bashkimi Europian për të përmbushur standardin për të drejtat e të burgosurve, që me datë pesë të çdo muaji të realizojë vizitë intime tek burri i saj.

Prej këtej e në vazhdim të filmit, Elsa dhe Shpëtimi na shfaqen si dy personazhet që hyjnë e dalin një herë në muaj nga qelitë e errëta të burgut të Tiranës të improvizuara në dhoma gjumi, ku të burgosurit bëjnë seks me bashkëshortët e tyre; ndërsa e para futet e del nga aty për të fjetur me burrin e saj, i dyti bën të njëjtën për të fjetur me gruan e tij që kishte rënë në burg për shkak të falsifikimit të disa dokumenteve të imigracionit. 

Halli i përbashkët, në ndërkohë, i bën Elsën dhe Shpëtimin t’i afrohen shumë njëri-tjetrit dhe të fillojnë një aferë të fshehtë dashurie. Të lodhur nga marrëdhënia mekanike me bashkëshortët e burgosur, e që i ngjan gjithçkaje pos një marrëdhënie romantike njerëzore, këta të dy bien në dashuri me njëri-tjetrin, duke rizbuluar kështu aspekte të vetës së tyre që i kishin harruar. Por nuk shkon shumë gjatë dhe vjehrri i Elsës zbulon aferën e nuses së djalit të tij. I mllefosur, ai do t’ia grabis fëmijët për t’i marrë me vete në Pogradec, por nuk ia del. Elsa vendos të zhvendoset për të jetuar në Tiranë, ku gjen një punë si kuzhiniere, dhe jeton tek mikja e saj Maja. 

Por edhe kjo nuk i zgjatë shumë pasi që merret vesh që shteti shqiptar ka vendosur të amnistojë një grup të burgosurish në mesin e të cilëve janë edhe bashkëshorti i Elsës dhe bashkëshortja e Shpëtimit. Si rezultat, Elsa detyrohet të kthehet në shtëpi në Pogradec me burrin e liruar nga burgu, dy fëmijët dhe vjehrrin. Shpëtimi, ndërkaq, nuk mund të harrojë ndjenjat e tij për Elsën dhe vendos që një ditë të marrë autobusin për Pogradec duke shpresuar që mund ta shoh atë. Me të arritur afër pallatit ku jeton ajo, Shpëtimi rastis në vjehrrin e Elsës, i cili e kishte zbuluar aferën e tyre pak më përpara. I inatosur, vjehrri, i cili ishte duke u kthyer në shtëpi nga tregu, futet brenda për të marrë pushkën me të cilën qëllon për vdekje Shpëtimin, dhe më pas, edhe Elsën që ishte duke zbritur shkallët me vrap për të parë se çfarë po ndodhte poshtë pallatit. Skena përmbyllëse e filmit na shfaq dy dashnorët e shtrirë për vdekje, vjehrrin gjakftohtë me pushkë në dorë, dhe burrin e liruar të Elsës që del me vrap nga dushi për të mbërritur në vendngjarje kur tashmë gjithçka kishte marrë fund.

Drama e Alimanit i bën një kritikë të mprehtë – duke e ironizuar – marrëdhënies kontraktuale mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian. I vetmi standard që zë në gojë filmi është standardi i Bashkimit Europian për vizita intime në burgje që u mundëson shqiptarëve të burgosur të bëjnë seks në qeli burgu, por nuk bën asgjë për të adresuar shtypjen ekonomike e politike që çon deri tek arsyeja e burgosjes së tyre. Privatizimi i egër neoliberal që nxjerr nga puna Elsën nuk mund të hidhet në gjyq. Ai prodhon dhunën sistemike të kapitalizmit që shqiptarët duhet ta pranojnë si fatkeqësi natyrore.

Për pasojë, amnistia që ofrohet për të burgosurit, jo vetëm që pamundëson vazhdimin e një lidhje romantike, por ajo amnisti, ashtu sikur standardi i Bashkimit Europian për vizitat intime tek të burgorsurit, presupozon dhe, deri diku, kontribuon në riprodhimin e kushteve që do vazhdojnë të ushqejnë krime të reja. Liria e të amnistuarve është liri nga “burgu i vogël” për të vazhduar jetën në “burgun e madh” që është kriza ekonomike e sociale në të cilën jetojnë shqiptarët. Dy intervenimet sovrane par excellence në film – standardi i detyruar nga BE’ja për intimitet në qeli burgu dhe amnistia e ofruar nga shteti – duken intervenime humane, por kjo është vetëm dukja e tyre ama. Filmi i Alimanit i zhvesh humaniteti që të dyja këto duke ua bërë dy pyetje kritike: 1) Seks po, por ku dhe në çfarë kushtesh? dhe 2) Amnisti (liri) po, por nga çka dhe për të bërë çfarë?       

E megjithëkëtë, fundi dramatik i filmit sikur e tradhton këtë kritikë radikale e njëkohësisht të hollë të rendit strukturor, para së gjithash ekonomik dhe politik, që mund të lexohet lehtësisht në prapavijën e filmit. Ndoshta i shtyrë nga kërkesa e tregut për të ofruar ekzoticizmin kulturor shqiptar që zgjon shumë më shumë kureshtjen e audiencave në Perëndim, Alimani vendos që në fund të filmit të zhvendos vëmendjen nga problemet socio-ekonomike tek kultura patriarkale shqiptare dhe “vrasjet e nderit” si problemi kryesor i gjendjes së shoqërisë shqiptare.

Duke vendosur të përfundojë filmin me skenën e vrasjes së Shpëtimit dhe Elsës, regjisori vendos ta lërë audiencën me përshtypjen që, megjithatë, shkaktar më i madh padrejtësish shoqërore është vjehrri patriarkal e jo kapitalizmi dhe privatizimi i egër neoliberal që prodhon varfërinë e skajshme që shihet qartë, përgjatë gjithë filmit, në kushtet e jetesës së personazheve. Bisedat e spektatorëve të filmit ndërsa linin sallën e kinemasë e konfirmonin këtë. Për shumicën e amerikanëve që sapo kishin parë filmin shqiptar, problemi kryesor që kishte ilustruar dhe kritikuar ai ishte kultura e prapambetur e patriarkale e shqiptarëve.

E kjo vetëm mund të pritej, jo vetëm për shkak të zgjedhjes regjisoriale të Alimanit, por edhe sepse, siç ka vënë re me të drejtë filozofi slloven Zizek, po jetojmë në kohëra kur dhuna subjektive me autor të identifikueshëm – si kjo e vjehrrit patriarkal që vendos të vrasë për çështje nderi – zgjon shumë më shumë frustrim sesa dhuna objektive e sistematike e ushtruar nga rendi dominant ekonomik dhe politik – siç është, ta zëmë, pushimi nga puna i Elsës dhe mijëra kolegëve të saj – të cilën jemi mësuar ta pranojmë siç pranojmë tërmetet apo stuhitë. Fatkeqësisht.