"Lumi" i ri që vërshoi në partinë e vjetër

Lumir Abdixhiku është zgjedhur kryetari i ri i Lidhjes Demokratike të Kosovës pas një procesi të votimit të fshehtë në kuvendin zgjedhor të LDK-së që u mbajt sot.

Abdixhiku është kryetari i katërt i LDK-së. Në këtë garë ai mposhti dy kundërkandidatët e tij, Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën.

Ai u zgjodh pasues i Isa Mustafës, pasi ky i fundit dha dorëheqje nga ky post për shkak të rezultatit të dobët që arriti ky subjekt politik në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 14 shkurtit 2021.

Isa Mustafa udhëhoqi me LDK-në për dy mandate.

Para Mustafës, me partinë e djathtë ka udhëhequr Ibrahim Rugova, njëherësh themelues i saj, e më pas Fatmir Sejdiu.

Në zgjedhjet e fundit të 14 shkurtit, LDK-ja ka dalë partia e tretë me 12.76 për qind të votave.

Në zgjedhjet nacionale të mbajtura që nga pas lufta në Kosovë, LDK-ja këtë vit shënoi rënien më të madhe në historinë e saj, duke fituar vetëm 15 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Në mesin e deputetëve të LDK-së në legjislaturën e tetë do të jetë edhe lideri i ri, Lumir Abdixhiku.

Ai u rendit i treti më 25,264 vota, pas Avdullah Hotit si prijës i listës dhe Kujtim Shalës.

Që nga viti 2017, Abdixhiku është zgjedhur në vazhdimësi deputet i LDK-së, në tri palë zgjedhje që ka garuar.

Kush është Lumir Abdixhiku?

Lumir Abdixhiku ka lindur më 22 prill 1983 në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka dy vajza.

Abdixhiku mbanë diplomën e PhD Ekonomik nga Universiteti Staffordshire të Anglisë.

Para angazhimit politik, Abdixhiku ishte aktivist i shoqërisë civile.

Abdixhiku ishte anëtarësuar në LDK në maj të 2017. Në kohën kur kishte aderuar në këtë parti, Abdixhiku ka qenë drejtor ekzekutiv në Institutin Riinvest, në të cilin, Isa Mustafa është njëri nga themeluesit.

Po ashtu, Lumir Abdixhiku është profesor në Kolegjin Riinvest, në të cilin të paktën deri më 2018, Isa Mustafa ka pasur 6.4% të aksioneve.

Ai shërbeu si ish-ministër i Infrastrukturës dhe Ambientit në kabinetin e Albin Kurtit në vitin 2019. Para kësaj, Abdixhiku shërbeu si kryetar i Komisionit të Buxhetit dhe Financave në Kuvendin e Republikës së Kosovës ndërmjet 2017-2019.

Në zgjedhjet e vitit 2019, Abdixhiku ishte politikani i 9-të më i votuar në Kosovë.

Sa është i pasur Lumir Abdixhiku?

Në bazë të deklarimit të pasurisë në vitin 2020, të hyrat vjetore të Abdixhikut kapin shifrën mbi 35 mijë euro, duke mos përfshirë të hyrat vjetore të gruas së tij që janë rreth 6,500 euro.

Abdixhiku ka deklaruar se i ka dy shtëpi. Njëra në vlerë prej 200 mijë euro të blerë nga kursimet dhe kredia, kurse tjetra në vlerë 150 mijë euro, për të cilën ka deklaruar se e ka të trashëguar nga prindërit.

Ai ka deklaruar gjithashtu edhe një tokë pune prej 1.5 hektarë me vlerë 90 mijë euro dhe një veturë të tipit Mercedes me vlerë 28,500 euro në emër të bashkëshortes së tij.

Lideri i ri i LDK-së ka një kredi në NLB Bankë dhe gjithashtu edhe një mbitërheqje, që totali i borxhit të tij ndaj bankës shkon në vlerën e 42 mijë eurove.