Lufta në Ukrainë - Sot raundi i ri i bisedimeve

Lufta në Ukrainë tashmë është futur në muajin e dytë. Rusia ka dërguar dhjetëra mijëra trupa në Ukrainë më 24 shkurt, me qëllim të degradimit të kapaciteteve ushtarake të Ukrainës dhe të çrrënjosjes së njerëzve që i ka quajtur nacionalistë të rrezikshëm.

Forcat ukrainase janë përgjigjur me rezistencë të ashpër ndaj luftës.

Perëndimi ka vendosur sanksione të pashembullta ndaj Rusisë, me qëllim që kjo e fundit të tërheqë forcat nga Ukraina.

Rusia e konsideron luftën në Ukrainë si “operacion special ushtarak”.

Ndërkohë, në terren luftimet mes palëve të përfshira po vazhdojnë ende me intensitet të lartë duke shkaktuar viktima të shumta në njerëz si dhe shkatërrime të mëdha në infrastrukturë. Raundi i radhës i bisedimeve për arritjen e ndonjë marrëveshje paqeje do të mbahet sot në Turqi pasi negociatorët kanë arritur në Stamboll për bisedimet e tyre të para ballë për ballë për paqen në më shumë se dy javë. Të dyja palët i kanë minimizuar shanset për një progres të madh dhe një zyrtar i lartë amerikan tha se Vladimir Putin nuk dukej i gatshëm për ndonjë kompromis.

Presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelenskiy tha në fjalimin e tij të natës se kishte pasur një “ditë diplomatike shumë aktive” pasi foli me kryeministrin britanik Boris Johnson, kryeministrin kanadez Justin Trudeau, kancelarin gjerman Olaf Scholz, kryeministrin italian Mario Draghi dhe presidentin e Azerbajxhanit Ilham Aliyev.

Zelenskiy gjithashtu kërkoi që pakot e sanksioneve të jenë “efektive dhe thelbësore” dhe u bëri thirrje vendeve që po e ndihmojnë Ukrainën që ta vazhdojnë furnizimin me armë në Ukrainë. “Ukrainasit nuk duhet të vdesin vetëm sepse dikush nuk mund ta gjejë guximin e mjaftueshëm për t’i dorëzuar armët e nevojshme Ukrainës”, tha ai. “Frika të bën gjithmonë bashkëpunëtor”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se Rusia ndjen se është “në mes të luftës” me perëndimin pasi një sërë sanksionesh u vendosën ndaj bizneseve dhe individëve rusë. Duke iu referuar tensionit të vazhdueshëm të Rusisë me NATO-n, Peskov i tha transmetuesit PBS: “Për disa dekada, ne po i thonim perëndimit kolektiv se kemi frikë nga lëvizja e NATO-s drejt lindjes. Edhe ne kemi frikë që NATO të afrohet me kufijtë tanë me infrastrukturën e saj ushtarake. Ju lutemi, të këni kujdes për këtë. Mos na mbështetni për muri. Mos”.

Peskov shtoi se “askush nuk po mendon ta përdorë” apo “madje edhe për idenë e përdorimit të një arme bërthamore”.

Miliarderi rus Roman Abramovich dhe një negociator i paqes nga pala ukrainase pësuan simptoma të ngjashme me helmimin në fillim të këtij muaji, sipas një burimi me njohuri të drejtpërdrejta për incidentin. Abramovich po merrte pjesë në negociatat joformale të paqes në kryeqytetin ukrainas, Kiev, në fillim të marsit kur filloi të ndihej i sëmurë, tha burimi për Guardian. Pjesë e negociatave ishte edhe deputeti ukrainas Rustem Umerov. Inteligjenca ushtarake e Mbretërisë së Bashkuar thotë se Rusia pritet të dërgojë më shumë se 1000 mercenarë në Ukrainën lindore, pasi ata vazhdojnë të pësojnë humbje të rënda. Kompania private ushtarake ruse, grupi ‘wagner’, është vendosur tashmë në Ukrainën lindore dhe pritet të dërgojë më shumë se 1000 mercenarë, përfshirë zyrtarë të lartë në organizatë, sipas Ministrisë së Mbrojtjes.

Kievi zyrtar nuk sheh asnjë shenjë në terren se Rusia ka hequr dorë nga një plan për ta rrethuar kryeqytetin ukrainas, tha zëdhënësi i Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, Oleksander Motuzyanyk. “Për momentin ne nuk shohim lëvizjen e forcave armike larg Kievit”, tha ai në një konferencë televizive. Shtabi i përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës pretendoi se trupat ruse janë “të dobësuar, të çorientuar” dhe “të shkëputura nga logjistika dhe forcat kryesore”.

Forcat ukrainase e kanë marrë përsëri kontrollin e plotë të qytetit të Irpin, disa kilometra larg Kievit. Kryetari i zonës, Oleksandr Markushyn, tha se Irpin ishte “çliruar” dhe se ushtarët rusë po “e ofrojnë dorëzimin e tyre”. Shtetet e Bashkuara nuk mund ta konfirmojnë se kush është nën kontrollin e qytetit të Irpin, tha një zyrtar i lartë i mbrojtjes amerikane.

Ushtarët rusë që e pushtuan vendin e katastrofës bërthamore të Çernobilit kaluan të pambrojtur nëpër një zonë shumë toksike të quajtur “Pylli i Kuq”, duke ngritur retë e pluhurit radioaktiv, thanë punëtorët e Çernobilit për Reuters. Dy burimet thanë se kishin parë tanke ruse dhe automjete të tjera të blinduara që lëviznin nëpër Pyllin e Kuq, i cili është pjesa më e ndotur radioaktive e zonës rreth Çernobilit.

Pothuajse 5,000 njerëz, duke përfshirë rreth 210 fëmijë, janë vrarë në qytetin e shkatërruar të Mariupol që kur Rusia pushtoi Ukrainën muajin e kaluar, tha një zëdhënës i kryebashkiakut. Vadym Boichenko tha se Mariupol ishte në prag të një katastrofe humanitare dhe duhet të evakuohet plotësisht, me rreth 160,000 civilë të bllokuar në qytet pa energji elektrike.

Ministrja e Ekonomisë e Ukrainës, Yulia Svyrydenko, tha se lufta deri më tani i ka kushtuar vendit 564.9 miliardë dollarë për sa i përket dëmtimit të infrastrukturës, humbjes së rritjes ekonomike dhe faktorëve të tjerë. Tetë mijë kilometra rrugë dhe 10 milionë katrorë banesa janë dëmtuar ose shkatërruar si rezultat i luftimeve, tha ajo në një postim në internet.

Video-pamjet që pretendojnë se po e tregojnë torturimin e robërve rusë të luftës po hetohen nga qeveria ukrainase. Filmi, i cili nuk është verifikuar, duket se tregon ushtarët ukrainas duke nxjerrur tre rusë nga një furgon përpara se t’i qëllojnë në këmbë.

Presidenti i SHBA Joe Biden tha se nuk do të “kërkojë falje” pas një deklarimi të tij kur u duk se bëri thirrje për largimin e Putinit javën e kaluar. Kur u pyet nga një gazetar nëse i vinte keq që tha se Putini nuk duhet të qëndronte në pushtet, Biden tha: “Unë nuk isha atëherë, as tani, duke artikuluar një ndryshim politikash. Po shprehja zemërim tim moral që ndjeja në atë moment”.

Sekretarja e jashtme e Britanisë, Liz Truss, i akuzoi forcat e Putinit për rrëmbimin e civilëve të pafajshëm, duke e përshkruar këtë veprim si një “taktikë të neveritshme” pasi grupi ukrainas i të drejtave të njeriut, ZMINA, pretendoi se kishte identifikuar dhjetëra individë që ishin rrëmbyer, me mijëra të tjerë të dëbuar në Rusi. /The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala