Kush është Velko Odaloviq, shkarkimin e të cilit Albin Kurti e vuri si kusht në dialog?

Dialogu i djeshëm mes Kosovës dhe Serbisë ka sjell në pah një kërkesë të re të Kosovës, e cila nuk ishte përmendur më parë në takimet mes përfaqësuesve politik të  ballafaqimin Kosovë-Serbi.

Me herën e parë në dialog, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka drejtuar një kërkesë në drejtim të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe përfaqësuesve të BE-së, e cila ka të bëjë me personin përgjegjës për personat e zhdukur nga ana e Qeverisë Serbe, Velko Odaloviq.

Njëri nga 4 propozimet e kryeministrit Kurti ishte që Velko Odaloviq, që në vitet 1997-1999 ishte ‘zyrtar i lartë i qarkut të Kosovës’ dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me Zoran Angjelkoviq të lagohet nga kjo pozitë. Ky propozim i Kurtit nuk ishte pranuar nga pala tjetër.

Një ditë pas këtij takimi, Natasha Kandiq nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Serbi, e ka mbështetur propozimin e Albin Kurtit për largimin e Odaloviq nga pozita e kryetarit të Personave të Zhdukur në Serbi.

Sipas saj, kryetari i komisionit të Serbisë, Velko Odaloviq nuk ka besueshmëri morale për të udhëhequr Komisionin për Personat e Zhdukur.

“Ai është kuadri i Partisë Socialiste të Serbisë i zgjedhur në pozitat që i përkasin asaj partie – përfshirë edhe angazhimin në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Familjet e viktimave duhet të propozojnë për president të atij Komisioni, një person që nuk është i kompromentuar nga nacionalizmi dhe korrupsioni”, ka deklaruar ajo.

Kush është Velko Odaloviq?

Velko Odaloviq ishte një nga anëtarët themelues të Partisë Socialiste të Serbisë, të Slobodan Milloseviçit dhe ka mbajtur pozita të larta në Kosovë si pjesë e regjimit të Millosheviçit në vitet e 90’ta.

Regjim ky që ka dëbuar shqiptarët nga shkollat publike dhe ka i larguar nëpunësit civilë shqiptarë nga vendet e tyre të punës bazuar në përkatësinë e tyre etnike.

Puna e tij e fundit në Kosovë ishte si Shef i Qarkut të Prishtinës për vitet 1998 dhe 1999, gjatë së cilës kohë shumica e njerëzve që llogaritën si të humbur janë zhdukur.

Në vitin 2004, ai u emërua si udhëheqës i nënkomitetit serb për hetimin e personave të rrëmbyer, vrarë dhe të zhdukur nga lufta në Kosovë.

Emisioni “Jeta në Kosovë” më 15 maj 2020, kishte trajtuar temën e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë emision për herë të parë kishte folur  edhe Velko Odaloviq, që në vitin 1999 ishte njeriu kryesor për qarkun e Prishtinës dhe sot është përfaqësues i delegacionit serb për të zhdukurit.

Ai u ballafaqua për të dhënë përgjigje në lidhje me përpjekjet e bëra për gjetjen e Ukshin Hotit. Ai kishte vu në dukje se Ukshin Hoti paraqiste një prej rasteve të famshme të pazgjidhura me të cilin ai ishte angazhuar, në lidhje me personat e zhdukur.

“Që nga fillimi i punës sime me përfaqësuesit e Kosovës, rasti i Ukshin Hotit është përmendur pothuajse në çdo takim të grupit punues.Unë kam folur me drejtorin e burgut në Dubravë, dhe shumë njerëz të tjerë të përfshirë në udhëheqjen e burgut, dhe krejt çka kemi gjetur është një vendim zyrtar i gjykatës përmes të cilit aprovohet lirimi i tij. Edhe mua më është konfirmuar se ai ishte liruar, por pastaj, nuk ka ndonjë gjurmë prej tij”, kishte thënë ai në emision.

Odaloviq kishte shprehur keqardhje që ai dhe ekipi i tij nuk kanë qenë në gjendje ta identifikojnë dhe lokalizojnë Ukshin Hotin.

“Unë kam zero tolerancë ndaj krimeve të luftës dhe krimit në përgjithësi, dhe nuk e arsyetoj asnjë krim,” kishte deklaruar Odaloviq gjatë emisioni.

Sipas Odaloviqit, ai nuk ishte përgjegjës për masakrat e ndryshme që ndodhën në Komunën e Prishtinës gjatë kohës sa ai ishte në detyrë, dhe as nuk ishte në dijeni në lidhje me zbatimin e ligjit, sigurinë ose veprimet ushtarake në zonë.

“Unë punoja në strukturat civile në Kosovë, jo në ato ushtarake,” shpjegonte ai.

Kur u pyet për përgjegjësinë e tij në lidhje me spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, përgjigja e Odaloviqit ishte se ai beson se kjo është çështje e atyre që janë përgjegjës, e ku ai nuk është i përfshirë, që të kërkojnë falje.

Ai gjithashtu shpreh keqardhje për pamundësinë që Kosova dhe Serbia të punojnë së bashku për një pajtim të pasluftës.

“Më vjen keq natyrisht. Me vjen keq për atë që ka ndodhur. Më vjen keq për viktimat, më vjen keq që i kemi humbur disa vite gjatë të cilave sinqerisht mendoj që kemi mundur të ndreqim raportet mes serbëve dhe shqiptarëve. Përkundrazi, jemi ndarë nga njëri-tjetri”, kishte deklaruar në këtë intervistë Odaloviq.

Çka ndodhi në Institutin Albanologjik

Në emision, Odaloviq ishte ballafaquar edhe sa i përket ngjarjeve të vitit 1994 që ndodhën atë kohë në Institutin Albanologjik.

Odaloviq u detyrua t’i shpjegojë Agron Limanit, përfaqësues i të pagjeturve në Krushë të Vogël, se pse në vitin 1994, sipas tij, kishte kërkuar nga Sadri Fetiu, drejtor i Institutit Albanologjik ta lëshonte objektin e Institutit dhe kur shqiptarët kishin refuzuar, Policia serbe kishte ardhur t’i rrahte.

“Dy herë kam biseduar me Sadri Fetiun. Herën e parë kanë qenë të pranishëm edhe Zekirija Cana si dhe dy ish-drejtorë. Unë e dhashë vendimin dhe ju thashë që vendimi është marrë se objekti do t’i jepet Universitetit të Prishtinës , ndërsa atyre t’u jepej objekt tjetër. Nuk e di arsyetimin. Unë vetëm isha caktuar që t’ua përcjell vendimin unë edhe dy kolegë të tjerë duhej të ishim pjesë e komisionit që duhej të kryente këtë bashkë me Institutin Albanologjik”, kishte thënë Odaloviq.

Sipas tij, ai e ka ftuar Fetiun por nuk ka njohuri se çka ka ndodhur për rrahjen e tij.

“Unë e ftova Sadri Fetiun, e lamë një takim, dolëm, biseduam shumë gjatë për këtë temë. Argumentet që i thoshte ai unë i kuptoja shumë mirë. I thashë që nuk do të zbatoj vendimin me dhunë. Policia nuk erdhi dhe unë nuk doja që t’i thërras. Ishte një incident i rëndë, ku një grup hyri në Institut e por pas një apo dy muaj me ç’rast unë nuk isha aty sigurisht”, kishte deklaruar Odaloviq.

“Kur më thanë se ç’kishte ndodhur, Unë shkova dhe e takova Fetiun, të përgjakur komplet. Gati i gjymtuar dhe mua më erdhi shumë keq dhe i shpreha keqardhjen time. Ai më tha se unë isha pjesë e kësaj, por unë i thashë se ai ka të drejtë padie. Ai madje paraqiti kallëzim penal ndaj meje dhe unë isha në gjykatë në Prishtinë për të dhënë deklaratën time dhe ne biseduam mes vete para gjyqtarit. Pra, nuk i jam shmangur çështjes”, kishte shtuar ai më tej ai.

Sadri Fetiu e përgënjeshtron Velko Odalloviqin 

Por, një ditë pas këtyre deklaratave, më 15 maj 2020, ish– drejtori i Institutit Albanologjik të Prishtinë, Sadri Fetiu kishte thënë se deklaratat e Vleko Odalloviqi, ish- përgjegjës për qarkun e Prishtinës në 1999, gjatë kohës së regjimit të Millosheviqit, dhënë dje në emisionin “Jeta në Kosovë” rreth ngjarjeve të ndodhur më 8 mars 1994 në Institutin Albanologjik janë të pavërteta.

Në një prononcim për KALLXO.com, Sadri Fetiu kishte thënë se Odaloviqi ishte organizatori i dhunës së ushtruar ndaj tij dhe punëtorëve tjerë shkencor të Institutit nga civilë serbë të armatosur mbrëmjen e 8 marsit të 1994.

“Odaloviqi ka rrejtë dje në emisionin ‘Jeta në Kosovës’ kur deklaroi se më ka taku mua të përgjakur. Ai nuk më ka parë fare të gjakosur mbrëmjen e 8 marsit 1994, as nuk e kam pa e as kam biseduar me të, as nuk e kam paditur në gjykatë”, ka thënë Fetiu për KALLXO.com.

Fetiu ka thënë se nga 1 deri më 8 mars 1994 kishte pasur tri takime me Odalloviqin, i cili edhe kishte sjellë vendimin për largimin e Instituti Albanologjik nga objekti i tij.

“Së pari ai ka ardhur dy herë vetë i treti në Institut. Është lajmëruar dhe e kemi caktuar kohën.  Në këto dy takime ka folur vetëm ai. Dy përcjellësit e tij s’e kanë thënë asnjë fjalë. Në këto biseda kanë marrë pjesë edhe prof. Idriz Ajeti, prof Rexhep Qosja dhe prof. Fazli Syla. Kuptohet se ne të gjithë e kemi kundërshtuar marrjen e ndërtesës”, kishte sqaruar ai.

Fetiu kishte rrëfyer edhe çfarë kishte ndodhur më 8 mars 1994.

“Herën e tretë, më 8 mars 1994, ky (Odaloviqi) ka ardhur pa paralajmërim pas orarit të punës, vetë i nënti. Pesë veta e kanë thyer bravën e derës e katër kanë ardhur te unë në zyrë. Ai kishte ardhur ta merrte në dorëzim ndërtesën dhe kërkonte t’ia nënshkruajmë njëfarë letre. Ne e nxorëm jashtë. Ai shkoi bashkë me të tjerët”.

“Në ndërkohë kanë ardhur edhe punëtorë të Institutit kanë hyrë brenda. Pas nja 40 minutash, Odaloviqi erdhi përsëri te dera, më njoftuan dhe dola e takova. Pyeti ku shkuan ata që e kishin ndërruar bravën. I thashë se ata ikën, prandaj ik edhe ti se po të gjen ndonjë e keqe. Ai iku”, ka treguar Fetiu.

Por, sipas Fetiut, rreth orës 18:30 të 8 marsit 1994, në errësirë, një grup 25 -30 persona civilë të armatosur kishin filluar t’i sulmojnë punëtorët e Institutit brenda ndërtesës.

“Më vonë ka ardhur banda e paramilitarëve që na ka sulmuar. Odalloviqi nuk më ka pa mua të përgjakur. Ketë dhe bisedën me mua ai e ka trilluar. Nuk është e vërtetë se e kam paditur Odallovqin. Instituti ka ushtruar padi për ndërtesën. Përfaqësues juridik vullnetar ka qenë avokati Destan Rukiqi”.

“Me Rukiqin dhe sekretarin e Institutit, Sylë Kasumaj, disa muaj pas marrjes së ndërtesës kemi qenë në një seancë gjyqësore ku Odaloviqi e mbronte shtetin serb, (Kosovski okrug). Aty jam takuar me të, por sipas porosisë së avokatit, nuk ia kam thënë asnjë fjalë”, kishte thënë Fetiu në mes tjerash.

“Nuk do të ndahemi të kënaqur derisa të mos gjendet edhe personi i fundit”