Odalloviq rrëfen si e gjeti Sadri Fetiun të përgjakur në Institutin Albanologjik

Emisioni “Jeta në Kosovë” sonte trajtoi temën e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë.

Në këtë emision për herë të parë ka folur Velko Odalloviq, që në vitin 1999 ishte njeriu kryesor për qarkun e Prishtinës dhe sot është përfaqësues i delegacionit serb për të zhdukurit.

Në emisionin “Jeta në Kosovë”, Odalloviq detyrohet t’i shpjegojë Agron Limanit, përfaqësues i të pagjeturve në Krushë të Vogël, se pse në vitin 1994 kishte kërkuar nga Sadri Fetiu, drejtor i Institutit Albanologjik ta lëshonte objektin e Institutit dhe kur shqiptarët kishin refuzuar, Policia serbe kishte ardhur t’i rrahte.

“Dy herë kam biseduar me Sadri Fetiun. Herën e parë kanë qenë të pranishëm edhe Zekirija Cana si dhe dy ish-drejtorë. Unë e dhashë vendimin dhe ju thashë që vendimi është marrë se objekti do t’i jepet Universitetit të Prishtinës , ndërsa atyre t’u jepej objekt tjetër. Nuk e di arsyetimin. Unë vetëm isha caktuar që t’ua përcjell vendimin unë edhe dy kolegë të tjerë duhej të ishim pjesë e komisionit që duhej të kryente këtë bashkë me Institutin Albanologjik”, tha ai.

Sipas tij, ai e ka ftuar Fetiun por nuk ka njohuri se çka ka ndodhur për rrahjen e tij.

“Unë e ftova Sadri Fetiun, e lamë një takim, dolëm, biseduam shumë gjatë për këtë temë. Argumentet që i thoshte ai unë i kuptoja shumë mirë. I thashë që nuk do të zbatoj vendimin me dhunë. Policia nuk erdhi dhe unë nuk doja që t’i thërras. Ishte një incident i rëndë, ku një grup hyri në Institut e por pas një apo dy muaj me ç’rast unë nuk isha aty sigurisht”, tha Odalloviq përballë Jeta Xharrës.

“Kur më thanë se ç’kishte ndodhur, Unë shkova dhe e takova Fetiun, të përgjakur kompletisht. Gati i gjymtuar dhe mua më erdhi shumë keq dhe i shpreha keqardhjen time. Ai më tha se unë isha pjesë e kësaj, por unë i thashë se ai ka të drejtë padie. Ai madje paraqiti kallëzim penal ndaj meje dhe unë isha në gjykatë në Prishtinë për të dhënë deklaratën time dhe ne biseduam mes vete para gjyqtarit. Pra, nuk i jam shmangur çështjes”, tha më tej ai.

.