"Nuk do të ndahemi të kënaqur derisa të mos gjendet edhe personi i fundit"

Familjet, të dashurit e të cilëve ende mungojnë 21 vjet pas luftës në Kosovë, vazhdojnë t’i bëjnë presion autoriteteve kosovare dhe serbe të punojnë së bashku për të gjetur dhe identifikuar 1.641 personat që nuk janë gjetur ende.

Myrvete Hoti është në kërkim të vëllait të saj për më shumë se 20 vjet. Një aktivist i njohur politik, filozof dhe profesor i së drejtës ndërkombëtare, vëllai i Myrvetes, Ukshini, e kaloi pjesën më të madhe të viteve 1980 dhe 1990 brenda dhe jashtë burgut, i dënuar për pjesëmarrje në protesta politike duke e dënuar diskriminimin dhe abuzimet e të drejtave të njeriut të shkaktuara ndaj shqiptarëve.

Pas një periudhe pesë-vjeçare në burgun e Dubravës, Ukshini është liruar në maj të vitit 1999. Duke folur për BIRN, Myrvete kujton dëshpërimin e saj në përpjekjke që të sigurohej se ditën kur Ukshini u lirua, një fytyrë e njohur po e priste jashtë Dubravës.

“E kisha vizituar Ukshininnë burg, por për shkak të bombardimeve dhe konfliktit na u dasht të largoheshim nga Kosova, dhe isha në dijeni se kur Ukshini të lirohej ai nuk do të kishte ku të shkonte,” thotë ajo. “Unë nuk mund të kthehesha në Kosovë sepse ma kishin marrë pasaportën time.”

Myrvete ka kërkuar ndihmë nga avokatët në Maqedoni dhe Serbi, nga Komisioni Evropian, diplomatët amerikanë dhe nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, por askush nga ata nuk qe në gjendje t’i tregonte asaj se çfarë kishte ndodhur me vëllain e saj pasi ai doli nga burgu. Ajo ka dëgjuar zëra se Ukshini ishte dërguar në burgun e Nishit në Serbi, megjithatë përpjekjet për ta konfirmuar një gjë të tillë dolën të ishin të kota.

“Kur u ktheva në Prishtinë më në fund mendova se do ta gjeja. E kërkova për dy javë, dhe kisha shpresë, më kujtohet kur mendoja se e kisha dëgjuar tek më thërriste nga jashtë ballkonit tim, me fjalët ‘motër, a vec më ke harru a?’ Nuk ishte ëndërr por intuita e tij … Shkova në secilin institucion të mundshëm dhe kam shpenzuar mijëra euro për avokatë,”kujton ajo. “Por askush nuk mund ta gjente atë.”  

Silvana Marinkovic i ka kaluar gjithashtu 20 vitet e fundit në kërkim të të dashurve të saj humbur. Sidoqoftë, rrethanat rreth zhdukjes së burrit të saj janë krejt të ndryshme: sipas saj, ata që janë përgjegjës ende jetojnë dhe punojnë lirshëm sot në Kosovë.

“Burri im u zhduk në [fshatin] Llabjan në qershor të vitit 1999,” thotë ajo. “Edhe sot e kësaj dite kryesit dihen dhe janë të lirë. Disa prej tyre punojnë në Policinë e Kosovës.”

Marinkovic i është bashkuar Shoqatës së Personave të Zhdukur të Graçanicës për të dhënë përkrahjen e saj për vështirësitë me të cilat përballen serbët e Kosovës, të tillë sikurse burri i saj i cili konsiderohet i zhdukur mes viteve 1998 dhe 2000. Ajo thotë se nuk është bërë sa duhet për ti dhënë prioritet kërkimit për serbët e zhdukur të Kosovës.

“Janë vetëm 10 raste të personave të zhdukur serbë të Kosovës që janë zgjidhur,” thotë ajo. “Si anëtarë të familjes, ne kemi të drejtë të kërkojmë një hetim nëse dyshojmë se diçka ka ndodhur, dhe dyshojmë se shumë viktima serbe janë transportuar në Shqipëri. Ata thonë se një gjë e tillë është trillim. Krejt çfarë dua të them është se fati i këtyre personave të zhdukur duhet të zgjidhet.”

Përfaqësuesit e shoqatave lokale dhe kombëtare për personat e zhdukur nga Kosova dhe Serbia i janë bashkuar Myrvete Hotit dhe Silvana Marinkovicit në debatin televiziv të BIRN ‘Jeta ne Kosove’ këtë të enjte. Ata diskutuan në lidhje me arritjet, sfidat dhe përpjekjet e ardhshme të atyre që akoma janë aktivë në përpjekjet për ti gjetur dhe identifikuar të gjithë njerëzit, fati i të cilëve është ende i panjohur, dy dekada pas mbarimit të luftës në Kosovë.

1.641 njerëz akoma konsiderohen të humbur pas luftës

Ibrahim Makolli, anëtar i delegacionit të Kosovës në Grupin e Punës për Personat e Zhdukur që kryesohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, ICRC, thotë se përfshirja e tij në këtë delegacion në 17 vitet e fundit është karakterizuar me suksese por edhe me dështime.   

“Kemi akoma 1.641 të zhdukur nga konflikti në Kosovë,” thotë ai. “Kur mendojmë për këtë numër, askush nga ne nuk është i kënaqur me procesin e deritanishëm, dhe për sa kohë që edhe personi i fundit nuk do të gjendet, ne nuk do të jemi të kënaqur me angazhimin tonë.”

Sipas Makollit, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq ka qenë i vetmi mekanizëm ndërkombëtar që ka bashkuar homologët nga Serbia dhe Kosova për të zgjidhur çështjen e personave të zhdukur. Grupi Punues, i cili u bë funksional në vitin 2004, synon të lehtësojë shkëmbimin e informacionit ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit mbi personat e zhdukur, veçanërisht në lidhje me vendvarrezat e mundshme.

Makolli beson se, thjesht për sa i përket numrit, ka pasur përparim në identifikimin e personave të zhdukur, marrë parasysh faktin se numri prej 6.500 personash të zhdukur të regjistruar menjëherë pas luftës tani është 1.641 sosh. Ai vëren se ndërkohë që kishte tensionim midis delegacioneve nga Kosova dhe Serbia ndër vite, të dy palët kanë arritur të lënë anash armiqësinë dhe të punojnë së bashku.

“Grupi Punues është krijuar me qëllim që të mos ndikohet nga politika. Kemi të bëjmë me çështjen e personave të zhdukur dhe, ndërkohë që takimet ishin të tensionuara, ne arritëm të vazhdonim pa u prekur direkt nga një tensionim i tillë,” thotë Makolli dhe shton se Qeveria e Kosovës ka meritat e saja pasi që ka luajtur një rol të rëndësishëm për ti dhënë shtytje përpara këtij procesi. “

Agron Limani, kreu i Shoqatës së Familjeve të Personave të Zhdukur në Krushë të Vogël, nuk pajtohet me këtë.

“Ne nuk jemi të kënaqur me autoritetet kosovare,” thotë ai për ‘Jeta ne Kosove’. “Njerëzit janë të mirëinformuar për atë që ka ndodhur në Krushë, shumë njerëz janë vrarë brenda një dite, ndërkohë që 68 prej tyre akoma konsiderohen si të zhdukur. Autoritetet kosovare nuk i kanë regjistruar të gjitha dëshmitë e masakrës në Krushe, dhe është absurde që pas 21 vjetësh autoritetet kosovare nuk kanë ardhur për t’i grumbulluar të gjitha informacionet mbi këtë mizori.”

Limani pranoi se më shumë se 57 individë kanë ofruar dëshminë e tyre për autoritetet e Kosovës pas luftës në lidhje me ngjarjet që çuan në vrasjen e 113 personave në fshatin Krushe e Vogel. Sidoqoftë, marrja e përgjegjësive për regjistrimin e dëshmive ndërmjet Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, EULEX-it dhe autoriteteve të Kosovës kanë qenë pengesë në dokumentimin e duhur të dëshmive nga dëshmitarët okularë, tha ai.

“Pas 21 vjetësh, 18 dëshmitarë okularë kanë vdekur. Një sasi e konsiderueshme e dëshmisë ka humbur përgjithmonë, dhe për këtë arsye ne vazhdojmë të shprehim pakënaqësinë tonë.”

Sipas Limanit, 56 serbë përgjegjës për masakrën në Krusheë të Vogel janë identifikuar në bazë të emrit të tyre përmes dëshmitarëve okularë. Ai shpreson se delegacionet do të vazhdojnë të punojnë për çështjen e personave të zhdukur dhe do ta kenë si prioritet gjetjes së këtyre personave në mënyrë që të hidhet dritë mbi fatin e 68 personave që ende konsiderohen si të zhdukur nga fshati i tij.

“Jeta ne Kosove” e ka ftuar Veljko Odalovicin nga delegacioni serb i Grupit Punues që ndërmjetësohet nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq, KNKK, për personat e zhdukur për të marrë pjesë në këtë debat. Odalovic ishte një nga anëtarët themelues të Partisë Socialiste të Serbisë, të Slobodan Milloseviçit dhe ka mbajtur pozita të larta në Kosovë si pjesë e regjimit të Millosheviçit në vitet e 90’ta, regjim ky që ka dëbuar shqiptarët nga shkollat publike dhe ka i larguar nëpunësit civilë shqiptarë nga vendet e tyre të punës bazuar në përkatësinë e tyre etnike.

Puna e tij e fundit në Kosovë ishte si Shef i Qarkut të Prishtinës për Republikën e Serbisë në vitet 1998 dhe 1999, gjatë së cilës kohë shumica e njerëzve që llogaritën si të humbur janë zhdukur. Në vitin 2004, ai u emërua si udhëheqës i nënkomitetit serb për hetimin e personave të rrëmbyer, vrarë dhe të zhdukur nga lufta në Kosovë.

Sipas Odalovicit, më shumë se 50 takime të mbajtura të Grupit Punues kanë ndihmuar në gjetjen e 1.600 personave të zhdukur. Ai thotë për BIRN se Qeveria e Serbisë i ka ofruar më shumë se 2.500 dokumente Grupit Punues që nga viti 2004 për të ndihmuar në identifikimin e vendvarrezave masive në Serbi.

“Gjatë aktivitetit tim, unë e kam marrë si përgjegjësi personale të bëj gjithçka mundem për gjetjen e personave të zhdukur,” thotë Odalovic. “Derisa të mos gjendet edhe personi i fundit i zhdukur nuk mendoj se ne e kemi mbaruar punën tonë, por përpjekjet që kemi bërë kanë sjellë rezultate. Mekanizmi i grupeve të punës është i vetmi që ka një vazhdimësi dhe ka punuar pa ndërprerje për 17 vjet rresht. “

Odalovic i vlerëson përpjekjet e KNKK në ndihmën e të dy delegacioneve për të tejkaluar sfidat politike, gjë që ka çuar në rezultate konkrete. “Në Serbi, ne jemi ballafaquar me vendvarreza të zhvendosura, në Batajnicë dhe më vonë edhe në Rudnicë, ku trupat e shqiptarëve të Kosovës janë gjetur, identifikuar dhe u janë kthyer familjarëve të tyre në Kosovë,” thotë ai. “Identifikimi i varrezave të zhvendosura ishte një proces shumë i vështirë dhe njëkohësisht ishte diçka shumë e vështirë të pranohej.”

Kur u ballafaqua për të dhënë përgjigje në lidhje me përpjekjet e bëra për gjetjen e Ukshin Hotit, Odalovic vuri në dukje se Ukshin Hoti paraqiste një prej rasteve të famshme të pazgjidhura me të cilin ai ishte angazhuar, në lidhje me personat e zhdukur.

“Që nga fillimi i punës sime me përfaqësuesit e Kosovës, rasti i Ukshin Hotit është përmendur pothuajse në çdo takim të grupit punues,” thotë ai. “Unë kam folur me drejtorin e burgut në Dubravë, dhe shumë njerëz të tjerë të përfshirë në udhëheqjen e burgut, dhe krejt çka kemi gjetur është një vendim zyrtar i gjykatës përmes të cilit aprovohet lirimi i tij. Edhe mua më është konfirmuar se ai ishte liruar, por pastaj, nuk ka ndonjë gjurmë prej tij.”

Odalovic shpreh keqardhje që ai dhe ekipi i tij nuk kanë qenë në gjendje ta identifikojnë dhe lokalizojnë Ukshin Hotin. “Unë kam zero tolerancë ndaj krimeve të luftës dhe krimit në përgjithësi, dhe nuk e arsyetoj asnjë krim,” thotë Odalovic. 

Odalovic ishte i detyruar ta kryejë rolin e tij në ngjarjet që ndodhën gjatë kohës sa ishte Shef i Qarkut të Prishtinës për Shtetin Serb në vitet 1990. Koha e tij në këtë rol përkoi me masakrën në Makovc në prill të vitit 1999, ku u vranë 115 civilë, dhe me dëbimin e Institutit Albanologjik nga ambientet e Universitetit të Prishtinës.

“Unë punoja në strukturat civile në Kosovë, jo në ato ushtarake,” shpjegon ai. “Unë nuk kam ndërmarrë asnjë vendim i cili ka rezultuar që shqiptarët të dëbohen nga shtëpitë e tyre, shkollat dhe universitetet. Pikërisht kjo e bën të mundur faktin që unë të flas publikisht për këtë çështje, sepse unë e di saktësisht se cilat ishin përgjegjësitë e mia në atë kohë ”.

Sipas Odalovicit, ai nuk ishte përgjegjës për masakrat e ndryshme që ndodhën në Komunën e Prishtinës gjatë kohës sa ai ishte në detyrë, dhe as nuk ishte në dijeni në lidhje me zbatimin e ligjit, sigurinë ose veprimet ushtarake në zonë.

Kur u pyet për përgjegjësinë e tij në lidhje me spastrimin etnik të shqiptarëve të Kosovës, përgjigjia e Odalovicit ishte se ai beson se kjo është çështje e atyre që janë përgjegjës, e ku ai nuk është i përfshirë, që të kërkojnë falje. Ai gjithashtu shpreh keqardhje për pamundësinë që Kosova dhe Serbia të punojnë së bashku për një pajtim të pasluftës.

“Më vjen keq natyrisht. Me vjen keq për atë që ka ndodhur. Më vjen keq për viktimat, më vjen keq që i kemi humbur disa vite gjatë të cilave sinqerisht mendoj që kemi mundur të ndreqim raportet mes serbëve dhe shqiptarëve” shton ai. “Përkundrazi, jemi ndarë nga njëri-tjetri.”

Që të dy, Makolli dhe Odalovic, pajtohen se bashkëpunimi i tyre i vazhdueshëm në identifikimin e personave të zhdukur edhe më tutje mund të sjellë rezultate pozitive. “Sot, ne jemi në një situatë të tillë që vetëm rastet më komplekse duhet të zgjidhen,” thotë Makolli. “Në të kaluarën, një veprim do të rezultonte në identifikimin e dhjetëra personave të zhdukur, por tani, nevojiten dhjetëra veprime prej nesh për të zbuluar një pjesë të dëshmive .”

Odalovic u pajtua me një konstatim të tillë duke shtuar se delegacionet e Kosovës dhe të Serbisë tani janë duke u përqëndruar në formimin e ekipeve të përbashkëta hetimore për të kryer kërkime në lokacione të ndryshme si në Serbi ashtu edhe në Kosovë, pas provave të gjetura gjatë diskutimeve të tyre. Sidoqoftë, ky proces po bëhet gjithnjë e më i vështirë për të dy palët, thotë Odalovic, në mungesë të dëshmive të atyre që janë përgjegjës për zhdukjet.

Autorët e krimit janë gjithmonë të fundit për të shpjeguar atë që u ndodhi trupave të pajetë,” thotë Odalovic. “Kjo është një vështirësi me të cilën përballen si Beogradi ashtu edhe Prishtina. E tëra që Makolli dhe unë mund të bëjmë tani është të vazhdojmë ti ndajmë informacionet tona me prokurorinë, me Prishtinën dhe me Kryqin e Kuq. “