Zyrtari i partisë së Millosheviqit përgjegjës për qarkun e Prishtinës: Më vjen keq për viktimat e luftës

Njëri nga zyrtarët e lartë të partisë së Sllobodan Millosheviqit është ballafaquar në një debat të drejtëpërdrejtë me familjarët e viktimave të luftës në Kosovë.

Velko Odalloviq, që në vitin 1999 ishte njeriu përgjegjës për qarkun e Prishtinës, sot është përfaqësues i delegacionit serb për të zhdukurit.

Ai në emisionin “Jeta në Kosovë” tha se ndjehet keq që në vitin 1999 u larguan shumë familje me dhunë nga shtëpitë e tyre.

Më vjen keq natyrisht, Me vjen keq për atë që ka ndodhur. Më vjen keq për viktimat, më vjen keq që i kemi humbur disa vite gjatë të cilave sinqerisht mendoj që kemi mundur  të ndreqim raportet mes serbëve dhe shqiptarëve dhe jo t’i prishnim ato më shumë”, tha Odalloviq.

“Nuk është mirë që fëmijët nuk kanë shkuar në shkollë. Nuk është mirë që të punësuarit kanë lëshuar punën dhe në disa vende janë dëbuar nga puna. Unë kam qenë pjesë e Këshillit ekzekutiv ku shumë punëtorë më kanë thënë që duhet ta lëshojnë punën sepse ashtu të gjithë kanë bërë. Unë kam qenë në detyrë në atë kohë, askush nuk i ka përzënë fëmijët nga shkolla por sistemi ka qenë i kurdisur në aso mënyrë që të bëhet bojkot i përgjithshëm. Ka pasur gabime. Ata që kanë përgjegjësi do të duhej të kërkonin falje”, tha ai më tej.

.