Kosova - Mbi Kurrizin e Mëzatit Gjigant

Pavarësisht se besimet primitive që bota jonë mbahet në shpinë nga një mëzat i madh ishin venitur shumë shekuj më përpara, unë dhe moshatarët e mi, si fëmijë, dëshironim që një gjë e tillë të ishte e vërtetë.

Gjithçka që ndodhte në botë ne e shpjegonim me lëvizjet e qimeve të mëzatit gjigant, me gjendjen e tij emocionale, me ushqimin që ai hante e kështu me radhë. Vendet si Palestina e Izraeli besonim se mbaheshin afër ndonjë vendi të ndjeshëm dhe të tensionuar mbi kurrizin e mëzatit, prandaj nga andej vazhdimisht vinin lajme spektakolare.

Tani, shumë vjet më vonë, derisa po sillja ndër mend këto lojëra fëmijërore, fillova ta argëtoja veten dhe të mendoja që, ndoshta, edhe Kosova është në ndonjë pozitë mbi kurrizin e mëzatit, prej nga ai i bie me bisht, sa herë që andej pari kalon zekthi. Dhe prandaj, dramat dhe tronditjet po na vijnë, rresht, njëra pas tjetrës.

Kosova, një vend kaq i vogël në Europë, vazhdon të mbetet “qendra e botës”. Njerëz, organizata e struktura të ndryshme, legale e ilegale, vazhdojnë të luajnë lojërat e tyre. Duket si në shah. Aq sa ka vullnet për krijimin e një Kosove stabile dhe paqësore, duket se ka edhe për të pasur një Kosovë të destbailizuar, kaotike dhe të gjunjëzuar. Në këtë fushë shahu mes “figurave të bardha dhe të zeza”, fundi është vështirë i parashikueshëm.

Shpallja e Pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, ka mbyllur shumë çështje të ndjeshme politike, por ndërkohë, edhe shumë të tjera kanë mbetur pezull ose janë hapur tash rishtazi. Derisa beteja kryesore aktuale e shtetit të ri mbetet sigurimi i më shumë njohjeve ndërkombëtare si dhe plotësimi i standardeve për kandidaturën potenciale të Kosovës për në EU, sfida të tjera të brendshme kanë filluar të shfaqen me kryeneçësi.

Edhe pse forcat nacionaliste dhe mbetjet millovishiqiane në Serbi vazhdojnë të jenë kërcënim kryesor për të ardhmen e Kosovës, po aq kërcënim për të ardhmen e Kosovës janë edhe çështjet e brendshme, në lidhje me ekstremizmin politik në rritje, radikalizmin fetar dhe raportet me minoritetet, veçanërisht me romët, çështja e të cilëve asnjëherë nuk ka pasur vëmendjen e merituar në agjendat politike.

Qytetarët e Kosovë vazhdojnë të mbeten të vetmit në rajon që duhet të pajisen me viza për të lëvizur në shtetet e Schengen-it. Kjo natyrisht u lë shije të keqe shumë njerëzve të cilët këtë e shohin si një lloj dënimi të pamerituar që Europa po ua bën kosovarëve. Shqiptarët e Kosovë gjithashtu gati drejtpërdrejtë fajësojnë bashkësinë ndërkombëtare për pjesën veriore të Mitrovicës, e cila aktualisht kontrollohet nga strukturat paralele serbe. Duke qenë një “bombë e kurdisur”, ajo pjesë e vendit vazhdon të shërbejë si pikë që stimulon rritjen e ekstremizmit të të dyja palëve; serbëve dhe shqiptarëve. Në këto rrethana të reja, në izolimin e pashpresë, varfërinë dhe zhvillimet politike të paqarta në veri të Kosovës, shumë njerëz e grupe politike kanë filluar ta konsiderojnë si alternativë të mirë bashkimin kombëtar. Zyrtarisht, këtë ide aktualisht e përfaqëson Lëvizja “Vetvendosje”, por edhe disa parti të tjera minore.

***
Grupet, bashkësitë dhe sektet e ndryshme fetare radikale gjithashtu, tash së voni, kanë filluar të ngrehin krye dhe të paraqesin kërcënim për të ardhmen e brishtë të Kosovës. Kosova, për shumë nga këto grupe e organizata, ka qenë një “terren i kollajshëm” për të operuar. Disa nga to kanë vepruar tash e sa vite në Kosovë, duke pasur si mision zyrtar “aktivitete humanitare”, por jo-zyrtarisht janë marrë me aktivitete të dyshimta subverzive. Sidomos më “agresive” në këtë drejtim kanë qenë disa grupe radikale islamiste të cilat ia kanë dalë të depërtojnë përbrenda atij që në Kosovë është njohur si “Islami tradicional i Kosovës”, që praktikisht ka qenë një Islam liberal i cili ka funksionuar mbi bazën e një tradite disa shekullore. Konfrontimet e këtyre grupeve radikale Islamiste me të tjerët dhe ndërmjet vehte tashmë janë evidente.

Një nen ligjor në tentativë i propozuar nga Partia e Drejtësisë që synonte futjen obligative të lëndës fetare në shkolla, nuk mori mbështetjen e duhur në Parlamentin e Kosovës. Partia e Drejtësisë, që nuk ka më shumë se rreth 3 për qind të votueseve, kërkoi që kjo çështje të ngritej në nivel referendumi kombëtar, megjithatë, një iniciativë e këtillë nga një parti e cila mbas vetes ka kaq pak votues, nuk u duk serioze.

Liderët e Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet, vazhdimisht janë etiketuar si marksistë-leninistë. Kur u sfiduan nga Partia e Drejtësisë (me të cilën edhe janë në koalicion), për ligjin për lëndën fetare në shkolla, dhe kur megjithatë, shumica e tyre votuan kundër këtij ligji, njerëzit komentonin me humor: epo, është tepër vonë t’i kërkohet Marksit e Leninit ta njohin Zotin.

***

Dhe ndërkohë që janë bërë përparime të dukshme në përmirësimin e pozitës së serbëve në Kosovë, të cilët , falë rrethanave aktuale politike, vazhdojnë të përfitojnë nga i ashtuquajturi “diskriminim pozitiv”, minoritetet tjera, si romët, vazhdojnë të mbeten jashtë vëmendjes politike.

Vala anti-rome në Evropë e kthimit me detyrim të tyre nga Franca dhe veçanërisht nga Gjermania, e protestave dhe thirrjeve raciste ndaj romëve në Bullgari dhe Rumani, kanë qenë mësim i keq për kosovarët. Qeveria e Kosovës është dakorduar t’i pranojë romët e kthyer me detyrim nga Gjermania, duke dhënë zotime të cilat s’ka kapacitete t’i përmbushë. E zotimet kanë të bëjnë me ofrimin e sigurisë dhe mirëqenies sociale të atyre romëve të kthyer. Në njëjar mënyre, duket që Qeverisë Gjermane këto zotime i kanë shërbyer mirë për t’ua mbyllur gojën grupeve dhe organizatave të të drejtave të njeriut në Gjermani dhe Evropë, të cilat tërë këtë proces e shohin si diçka që i cenon principet bazë të të drejtave njerëzore.

***

Duket që mëzati gjigant do të vazhdojë të na godas edhe për një kohë të gjatë, derisa ndoshta, të mos rrëshqasim në ndonjë pozitë më të mirë mbi kurrizin e tij. Por që kjo “rrëshqitje” të ndodhë më shpejt, duhet të kthejmë vëmendjen te ato probleme që shfaqen me kryeneçësi sfiduese.