Komuna e Mitrovicës Përshëndet Aksionin e KFOR-it

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, tha të hënën në takimin e Komitetit për Siguri, ku qenë të pranishëm edhe përfaqësues të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe EULEX-it, se vendosmëria e KFOR-i ditëve të fundit ka dhënë rezultate pozitive. “Strukturat e sigurisë nuk duhet të dorëzohen para kriminelëve dhe grupeve ekstremiste që duan kaos dhe pasiguri”, tha ai.

Ai theksoi se gjatë dy javëve të fundit situata ka qenë më e qetë, për çka duhet të falënderohen në radhë të parë strukturat e sigurisë. Tha se këto struktura duhet të vazhdojnë aksionet për vendosjen e normalitetit në gjithë veriun, njoftohet në një komunikatë të Zyrës për Informim të Komunës së Mitrovicës. 

Ndërsa drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala, tha se në dy javët e fundit ka pasur disa incidente të vogla që nuk kanë ndikuar në gjendjen e përgjithshme të sigurisë. Përmendi sulmin me armë zjarri ndaj policisë në Lagjen e Boshnjakëve, mandej protestën e qytetarëve serbë kundër konfiskimit të targave të vjetra etj.