Këshilli Prokurorial Pezullon Shtesat

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka pezulluar vendimin për rritjen e pagave për vete, të cilin e kishte marrë në korrik, në emër të kompensimit për rrezikshmëri gjatë punës, për luftimin e krimit të organizuar dhe të korrupsionit.

Këshilli Prokurorial, në një mbledhje të jashtëzakonshme që e ka mbajtur sot, me shumicë votash vendosi të pezullojë përkohësisht zbatimin e pikës 1 të vendimit të datës 21 korrik 2011, ka njoftuar Zyra e Prokurorit të Shtetit.
 
Në komunikatën dërguar mediave, Këshilli thotë se vendimi për kompensime ishte në pajtim me ligjin dhe nuk cenonte asnjë dispozitë kushtetuese apo ligjore në Kosovë, porse ai pezullohet “përkohësisht”, pas pakënaqësive të shprehura publikisht nga pjesë tjera të sektorit të drejtësisë.

“Këshilli vendosi që të mbetet në fuqi pika 2 e vendimit, e cila përcakton kompensimin e kujdestarisë së prokurorëve dhe stafit mbështetës të sistemit prokurorial”.

Me vendimin e datës 21 korrik, kryeprokurori i shtetit, Ismet Kabashi, përveç pagës bazë të tij, do të merrte edhe një shtesë mujore prej 950 euro; kurse prokurorët e të gjitha niveleve, do të mirrnin shtesa mujore prej 150 deri në 300 euro.

Në njoftimin shpërndarë mediave, pas takimit të sotëm, Këshilli thotë se është pajtuar që vendimi të rishqyrtohet në një të ardhme të afërt dhe që të ndërmerren veprime të nevojshme për të siguruar qëndrueshmërinë e sektorit të drejtësisë në Kosovë dhe mirëqenies së prokurorëve dhe stafit mbështetës.

“Këshilli konstatoi se vendimi nr. 119/2011 ka qenë në pajtim me ligjin e aplikueshëm në Republikën e Kosovës dhe si i tillë nuk ka cenuar asnjë dispozitë kushtetuese apo ligjore në Kosovë dhe se ishte marrë në përputhje të plotë me mandatin që ka Këshilli Prokurorial, si institucion i pavarur në menaxhimin e gjithmbarshëm të sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe çështjet buxhetore. Gjithashtu, ky vendim (nr. 119/2011 ), është marrë pas konsultimit dhe koordinimit të plotë me institucionet përgjegjësie për menaxhimin e buxhetit të Republikës së Kosovës”.

Vendimin e sotëm, Këshilli thuhet se e bazoi, gjithashtu në qëllimin e mirë që ka ky Këshill për ruajtjen e stabilitetit dhe qëndrueshmërisë së sistemit të drejtësisë dhe për ofrimin e mundësive që i gjithë sektori i drejtësisë të ketë të njëjtën përkrahje buxhetore në të ardhmen.

KPK thotë se do të mbetet edhe më tutje i përkushtuar në përpjekjet e veta dhe koordinimin e aktiviteteve me të gjitha institucionet relevanente në Kosovë, për të siguruar kushte sa më të mira për prokurorët dhe stafin mbështetës të prokurorëve të Kosovës.

Këtë të diel, Emisioni “Drejtësia në Kosovë” ka trajtuar pikërisht temën e rritjes së të ardhurave mujore të prokurorëve.

Enver Peci, kryesues i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka thënë se se nuk ka ndodhur asnjëherë në histori, as në Kosovë, as në ndonjë vend tjetër, që prokurorët të paguhen më shumë se gjyqtarët.