Izolimi shoqëror e ndryshon strukturën e trurit tonë për të keq

Pse mblidhemi në grupe të mëdha në festivale, përvjetorë dhe ngjarje të tjera publike? Sipas hipotezës së trurit shoqëror, kjo ndodh sepse truri i njeriut ka evoluar në mënyrë specifike për t’i mbështetur ndërveprimet sociale. Studimet shkencore kanë treguar se përkatësia në një grup mund të çojë në përmirësimin e mirëqenies dhe kënaqësinë më të madhe të jetës tek njerëzit.

Fatkeqësisht, shumë njerëz janë ende të vetmuar ose të izoluar shoqërisht, dhe nëse truri i njeriut ka evoluar me të vërtetë për ndërveprim shoqëror, duhet të presim që ai të ndikojë ndjeshëm në të, shkruan në një artikull për The Conversation Barbara Jacquelyn Sahakian, profesoreshë e neuropsikologjisë klinike në universiteti i Kembrixhit.

Një studim i publikuar së fundmi nga Sahakian dhe kolegët e tij në revistën Neurology tregon se izolimi shoqëror lidhet me ndryshimet në strukturën e trurit dhe njohjen, procesin mendor të përvetësimit të njohurive dhe madje mbart një rrezik në rritje të demencës tek të moshuarit.

Tashmë ka shumë prova për ta mbështetur hipotezën e trurit shoqëror. Një studim shkencor hartoi rajonet e trurit të lidhura me ndërveprimin shoqëror në një mostër prej rreth 7000 njerëzish.

Studimi zbuloi se rajonet e trurit që janë të përfshira vazhdimisht në ndërveprime të ndryshme shoqërore janë të lidhura fort me rrjetet që mbështesin njohjen, duke përfshirë një modalitet të paracaktuar (i cili është aktiv kur nuk jemi të fokusuar në botën e jashtme), një rrjet i spikatur që ndihmon të zgjedhim atë që duam t’i kushtojmë vëmendje), rrjetin nënkortikal (i përfshirë në kujtesën, emocionet dhe motivimin) dhe rrjetin qendror ekzekutiv (që na lejon të rregullojmë emocionet tona), shpjegon Sahakian.

Ne donim të shikonim më nga afër se si izolimi shoqëror ndikon në lëndën gri, rajone në shtresën e jashtme të trurit që përbëhen nga neurone. Pra, ne hulumtuam të dhëna nga gati 500,000 njerëz nga UK Biobank, me një moshë mesatare 57 vjeç, thotë ai.

Njerëzit u klasifikuan si të izoluar nga shoqëria, në studimin e ri, nëse jetonin vetëm, kishin kontakte sociale më pak se një herë në muaj dhe merrnin pjesë në aktivitete sociale më pak se një herë në javë.

Studimi ynë përfshiu gjithashtu të dhëna neuroimaging (MRI) nga afërsisht 32,000 njerëz. Kjo tregoi se njerëzit e izoluar nga shoqëria kanë njohje më të dobët, duke përfshirë kujtesën dhe kohën e reagimit, dhe një vëllim më të vogël të lëndës gri në shumë pjesë të trurit. Ne gjetëm gjithashtu një lidhje midis vëllimit më të ulët të lëndës gri dhe proceseve specifike gjenetike të përfshira në sëmundjen e Alzheimerit, shton tutje Sahakian.

Pas 12 vitesh, shkencëtarët morën të dhëna të reja nga pjesëmarrësit në studim. Kjo tregoi se ata që ishin të izoluar nga shoqëria, por jo të vetmuar, kishin 26 për qind më shumë rrezik për demencë.

Mekanizmat e izolimit shoqëror

Izolimi shoqërorduhet të shqyrtohet më në detaje në studimet e ardhshme, thekson Sahakian, në mënyrë që të përcaktohen mekanizmat e saktë pas efekteve të tij të thella në trurin tonë. Por është e qartë se nëse një person është i izoluar, ai mund të vuajë nga stresi kronik. Kjo nga ana tjetër ka një ndikim të madh në tru, si dhe në shëndetin fizik.

Një faktor tjetër mund të jetë se nëse nuk përdorim zona të caktuara të trurit, atëherë humbasim një pjesë të funksionit të tyre. Një studim me shoferët e taksive tregoi se sa më shumë ata mësonin përmendësh rrugët dhe adresat, aq më shumë rritej vëllimi i hipokampusit, thotë Sahakian. Është e mundur, për shembull, që nëse nuk përfshihemi rregullisht në debate shoqërore, përdorimi i gjuhës dhe proceseve të tjera njohëse, si vëmendja dhe kujtesa, do të zvogogëlohen, shton ai.

Kjo mund të ndikojë në aftësinë tonë për të kryer shumë detyra komplekse njohëse, pasi kujtesa dhe vëmendja janë vendimtare për të menduarit kompleks kognitiv në përgjithësi, thekson Sahakian.

Ekspertët e dinë se një grup i fuqishëm i aftësive të të menduarit gjatë gjithë jetës, i quajtur “rezervë njohëse (konjitive0”, mund të ndërtohet duke e mbajtur trurin aktiv. Një mënyrë e mirë për ta bërë këtë është të mësoni gjëra të reja, si një gjuhë të dytë ose një instrument muzikor.

Rezerva njohëse është treguar se përmirëson rrjedhën dhe ashpërsinë e plakjes. Për shembull, mund të mbrojë kundër një sërë sëmundjesh ose çrregullimesh të shëndetit mendor, duke përfshirë format e demencës, shizofrenisë dhe depresionit, veçanërisht pas një dëmtimi traumatik të trurit, thotë Sahakian.

Ekzistojnë gjithashtu elementë të stilit të jetesës që mund ta përmirësojnë njohjen dhe mirëqenien e një personi, duke përfshirë një dietë të shëndetshme dhe stërvitje.

Por siç tregon studimi i kryer nga Sahakian dhe kolegët e saj, trajtimi i izolimit shoqëror mund të ndihmojë gjithashtu, veçanërisht në pleqëri. Autoritetet shëndetësore duhet të bëjnë më shumë për të kontrolluar se kush është i izoluar dhe të organizojnë aktivitete sociale për t’i ndihmuar ata, theksoi ajo.

Kur njerëzit nuk janë në gjendje të ndërveprojnë personalisht, teknologjia mund të sigurojë një zëvendësim. Megjithatë, kjo mund të jetë më e zbatueshme për brezat e rinj që janë të njohur me përdorimin e teknologjisë së komunikimit. Por me trajnime, ai gjithashtu mund të jetë efektiv në reduktimin e izolimit shoqëror tek të moshuarit, thotë Sahakian.

Ndërveprimi shoqëror është jashtëzakonisht i rëndësishëm, por sa miq na duhen? Studiuesit shpesh i referohen “numrit Dunbar” për ta përshkruar madhësinë e grupeve shoqërore, duke zbuluar se ne nuk jemi në gjendje të mbajmë më shumë se 150 lidhje dhe zakonisht menaxhojmë vetëm pesë lidhje të ngushta. Megjithatë, ka raporte për mungesë të provave empirike mbi numrin e Dunbar-it dhe nevojiten kërkime të mëtejshme për madhësinë optimale të grupeve shoqërore./The Conversation