Prindërit që u flasin foshnjave ndihmojnë në zhvillimin e trurit të tyre në nivel qelizor

Bisedat e prindërve me foshnjat mund të ndihmojnë në formimin e strukturës së trurit të tyre në zhvillim, sipas një studimi të ri shkencor.

Një studim i udhëhequr nga shkencëtarët nga Universiteti i Anglisë Lindore në Britaninë e Madhe zbuloi se fëmijët e vegjël që dëgjojnë rregullisht më shumë të folur kanë neurone që duket se janë më efikase. Skanimet e trurit treguan se zonat e tyre të përpunimit të gjuhës përmbanin një përqëndrim më të lartë të mielinës, mbështjellës izolues që rrethon neuronet dhe i lejon ata të dërgojnë mesazhe më shpejt dhe me efikasitet. Hulumtimi u botua në The Journal of Neuroscience.

I ndihmon neuronet në trurin e foshnjës

Nuk dihet nëse kjo mielinë shtesë ndikon në aftësitë gjuhësore të një dyvjeçari e gjysmë, por shkencëtarët dyshojnë se mund të ketë përfitime të rëndësishme. Ata shpjegojnë se mielina është e mbështjellë rreth neuroneve si shirit ngjitës rreth një tubi me vrima. Me fjalë të tjera, ai ndihmon neuronin të transmetojë më shumë sinjale nga pika A në pikën B, duke forcuar lidhjen e tij me neuronet e tjera.

Edhe pse ka ende shumë për të mësuar rreth këtyre proceseve, mesazhi për kujdestarët është i qartë – bisedoni me foshnjën tuaj, vogëlushin tuaj, fëmijën tuaj. Jo vetëm që ata dëgjojnë, por kontributi juaj gjuhësor fjalë për fjalë e formëson trurin e tyre, këshillon John Spencer, një psikolog njohës/kognitiv në Universitetin e Anglisë Lindore.

Efektet e komplikuara

Është një mesazh i thjeshtë, por vjen me disa rezultate komplekse, sepse në studim, më shumë të folurit nuk ka nxitur gjithmonë neurone më efikase në trurin e foshnjës. Shkencëtarët vendosën pajisje regjistrimi në më shumë se 140 fëmijë të vegjël dhe foshnja gjatë tri ditëve. Në mijëra orë regjistrime audio të mbledhura, ata mund të dëgjonin atë që fëmijët dëgjojnë çdo ditë.

Pas këtyre vëzhgimeve, ekipi zgjodhi pak më shumë se gjysmën e këtyre fëmijëve që t’i nënshtroheshin imazhit të rezonancës magnetike ndërsa ishin duke fjetur. Në mesin e foshnjave gjashtëmuajshe, të dhëna më të mëdha gjuhësore ditore u shoqëruan me më pak mielinim, gjë që ishte e kundërta e asaj që u gjet tek dyvjeçarët.

Rezultate të papritura

Ishte e papritur për shkencëtarët, por siç shpjegon psikologu Spencer, zhvillimi i trurit të një foshnje natyrisht kalon nëpër faza. Ndonjëherë truri i foshnjës është i zënë me ndërtimin e qelizave të reja, ndërsa herë të tjera është i zënë me pastrimin e qelizave që ka ndërtuar tashmë. Duket se në vitet e para të jetës, rritja e trurit vjen e para. Në moshën dyvjeçare, fëmija tashmë ka një vëllim truri prej 80 për qind të atij të një të rrituri.

Kjo sugjeron që të folurit është po aq i rëndësishëm në gjashtë muaj sa është në 30 muaj, por ndikon ndryshe në tru sepse truri është në një ‘gjendje’ tjetër, shkruan Spencer në një artikull për The Conversation.

Edhe pse në këtë pikë janë vetëm spekulime, është e mundur që dëgjimi i më shumë të folurit tek një foshnje gjashtë muajshe mund të vonojë mielinimin dhe në vend të kësaj ta lehtësojë rritjen e trurit.

Ekspozimi ndaj të folurit është i rëndësishëm për fëmijët e moshës më të vogël

Megjithatë, shumë studime kanë treguar se ekspozimi ndaj të folurit është i rëndësishëm për përpunimin e gjuhës, fjalorin, gramatikën dhe arsyetimin verbal të fëmijës. Megjithatë, mbetet kryesisht e panjohur se si këto aftësi përkthehen në procese në tru.

Vetëm pak orë pas lindjes, truri i foshnjës tregon shenja se tashmë po mësohet me tingujt e të folurit, e ashtuquajtura biseda e foshnjës lidhet gjithashtu me përmirësimin e aftësive gjuhësore në terma afatgjatë. Studimet e mëparshme kanë zbuluar se fëmijët 4-6 vjeç që flasin më shumë me të rriturit gjithashtu tregojnë më shumë mielinim në rajonet e trurit që lidhen me gjuhën. Hulumtimet e reja, megjithatë, shtrijnë një efekt të ngjashëm edhe tek fëmijët më të vegjël.

Fëmijët duket se absorbojnë më shumë nga ajo që thuhet sesa mendohet./The Conversation

Përgatiti: Nuhi Shala