Studimi: Sjellja e rrezikshme në internet 'pothuajse e normalizuar' në mesin e të rinjve

Sjellja e rrezikshme dhe kriminale në internet rrezikon të normalizohet në mesin e një gjenerate të rinjsh anembanë Evropës, sipas një studimi të financuar nga BE që zbuloi se një në katër 16-19-vjeçarë kanë ofenduar apo shqetësuar dikë në internet dhe një në tre janë angazhuar në pirateri dixhitale.

Një studim i financuar nga BE-ja gjeti prova të një sjelljeje të përhapur kriminale, të rrezikshme dhe delikuente midis grupmoshës 16-19 vjeç në nëntë vende evropiane, përfshirë Britaninë e Madhe.

Një sondazh me 8000 të rinj zbuloi se një në katër ka gjurmuar ose ofenduar dikë në internet, një në tetë është përfshirë në ngacmime në internet, një në 10 janë përfshirë në gjuhë të urrejtjes ose hakerime, një në pesë janë përfshirë në seks dhe një në tre është angazhuar në piraterinë dixhitale. Studimi gjithashtu zbuloi se katër nga 10 prej tyre kanë shikuar pornografi.

Julia Davidson, bashkëautore e hulumtimit dhe profesoreshë e kriminologjisë në Universitetin e Londrës Lindore (UEL), thotë se sjellja e rrezikshme dhe kriminale në internet po normalizohet pothuajse në mësin e një gjenerate të rinjsh evropianë.

“Hulumtimi tregon se një pjesë e madhe e të rinjve në BE po përfshihen në një formë të krimit kibernetik, në një masë të tillë që kryerja e krimeve të nivelit të ulët në internet dhe marrja e rrezikut në internet është bërë pothuajse e normalizuar”- tha ajo.

Davidson, e cila udhëhoqi hulumtimin me kolegen e saj në UEL, Prof. Mary Aiken, tha se gjetjet e hulumtimit treguan për pjesëmarrje më të madhe të meshkujve në sjellje të rrezikshme ose kriminale, me gati tri të katërtat e meshkujve që pranojnë një formë të krimit kibernetik ose marrjen e rrezikut në internet, krahasuar me 65% e femrave.

Sondazhi pyeti të rinjtë lidhur me rreth 20 lloje sjelljesh në internet, duke përfshirë shikimin e materialeve pornografike, postimin e pornografisë hakmarrëse, krijimin e fotografive seksuale të krijuara nga vetë dhe postimin e gjuhës së urrejtjes.

Sipas gjetjeve të sondazhit, diç më pak se gjysma e pjesëmarrësve u angazhuan në sjellje që mund të konsiderohen kriminale në shumicën e juridiksioneve, të tilla si hakerimi, shpërndarja pa konsensuale e pamjeve intime ose “mashtrimi i parave” – ku dikush merr para nga një palë e tretë dhe kalon në një praktikë të lidhur me të ardhurat e krimit kibernetik.

Sondazhi, i kryer nga një agjenci kërkimore me grupe mostrash të përdorura më parë, zbuloi se gjysma e 16-19-vjeçarëve shpenzonin katër deri në shtatë orë në ditë në internet, me gati katër nga 10 që shpenzonin më shumë se tetë orë në ditë në internet, kryesisht në telefona. Ai zbuloi se pesë platformat kryesore në mesin e këtij grupi ishin YouTube, Instagram, WhatsApp, TikTok dhe Snapchat.

Nëntë shtetet në anketë ishin Mbretëria e Bashkuar, Franca, Spanja, Italia, Gjermania, Holanda, Suedia, Norvegjia dhe Rumania. Vendi me përqindjen më të lartë të asaj që studimi e quan “devijancë kibernetike” – një përzierje e sjelljeve kriminale dhe jo-kriminale, por të rrezikshme – ishte Spanja me 75%, e ndjekur nga Rumania, Holanda dhe Gjermania me rreth 72%. Mbretëria e Bashkuar ishte në fund me 58%.

Studimi u ndërmor në bashkëpunim me qendrën e krimit kibernetik në Europol, një organ i BE-së që punon me agjencitë e krimit në të gjithë bllokun e BE-së ekonomik dhe financuar nga fondi Horizon i BE-së. Ai bën thirrje për edukim më të madh të të rinjve dhe prindërve për atë që duket të jetë sjellje potencialisht e dëmshme dhe e rrezikshme në internet.

Gjetjet janë publikuar në sfondin e rregulloreve të rëndësishme në internet në BE dhe Mbretërinë e Bashkuar. Në Mbretërinë e Bashkuar, projektligji i sigurisë në internet, i cili kthehet në parlament javën e ardhshme, do të krijonte një sërë veprash të reja penale. Ato përfshijnë inkurajimin e vetëdëmtimit në internet dhe ndarjen e pornografisë së rreme, që do të thotë pamje që janë manipuluar për t’u dukur si dikush pa pëlqimin e tyre.

Aiken shton se “Ligji i sigurisë në internet është potencialisht novator dhe trajton çështjet kryesore me të cilat përballet çdo vend. Ai mund të veprojë si një katalizator për ta mbajtur përgjegjës industrinë e teknologjisë. Projektligji përcakton një sërë masash kryesore për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve; megjithatë, gjetjet tona sugjerojnë se duhet të ketë më shumë fokus në llogaridhënien dhe parandalimin, veçanërisht në kontekstin e ofendimit të të rinjve në internet.”

BE sapo ka miratuar Aktin e Shërbimeve Dixhitale, i cili kërkon që platformat e mëdha në internet dhe Google të ndërmarrin veprime kundër rreziqeve të tilla si dhuna kibernetike ndaj grave dhe dëmtimi në internet ndaj fëmijëve./The Guardian

 

Përgatiti: Nuhi Shala