Pasaporta më e keqe në Evropë: Pse Kosova ende privohet nga qasja pa viza në BE?

Euronews i ka kushtuar një artikull të gjatë izolimit të kosovarëve si pasojë e regjimit të vizave si dhe problemet e shumta me të cilat ata përballen gjatë procesit me dokumentacione për ta marrë një vizë. 

Përderisa shumica e njerëzve në Evropë dhe Ballkanin Perëndimor thjesht mund ta paketojnë valixhen e tyre, ta blejnë një biletë dhe ta marrin pasaportën e tyre për t’u nisur në destinacionin e zgjedhur të pushimeve verore, qytetarët e Kosovës kurrë nuk e kanë pasur një privilegj të tillë.

Sipas Euronews, gati dy milionë kosovarë që jetojnë në shtetin më të ri të Evropës duhet ta durojnë procesin rraskapitës, që kërkon kohë dhe kosto të shtrenjtë të aplikimit për vizë në BE dhe në zonën Shengen.

Pavarësisht premtimeve nga Brukseli, Kosova mbetet i vetmi vend në Evropën kontinentale përveç Rusisë dhe Bjellorusisë jashtë regjimit pa viza të BE-së, mundësi kjo përmes të cilës qytetarët e kontinentit evropian të cilët nuk janë pjesë e BE-së mund të udhëtojnë në zonën Shengen për 90 ditë në një periudhë gjashtëmujore.

Regjimi i vizave nuk ka të bëjë vetëm me pushimet sepse për kosovarët që dëshirojnë të studiojnë ose të marrin kujdes mjekësor në Evropën Perëndimore duhet të parashtrojnë kërkesa për viza specifike që, në të shumtën e rasteve, janë shumë jashtë mundësive të tyre, shkruan Euronews.

Janë të shumtë ata qytetarë të cilët, të mbledhur në turma para një agjencie në një jesë të Prishtinës e cila është e ngarkuar me pranimin e aplikacioneve për ambasadat e Zvicrës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, përballen me diellin përvëlues të mesditës me orë të tëra.

Teksa i shfletojnë dokumentet e tyre për herë të fundit për t’u siguruar që gjithçka ishte në rregull përpara se t’ua dorëzonin punonjësve me uniformë, disave prej tyre qartazi u vërehet nervoza në fytyrën e tyre në pritje për rezultatin e aplikimeve të tyre.

“Fakti që të gjithë të tjerët në Evropë thjesht mund të zgjohen në një mëngjes dhe ta blejnë një biletë për kudo pa u menduar dy herë për vizat, është jashtëzakonisht i padrejtë,” thotë për Euroneës Shkëlzen Starabaja, 28 vjeç

“Është e padrejtë dhe është bërë një çështje shumë e politizuar dhe nuk ka asnjë shpresë që ne të bëjmë ndonjë përparim në këtë drejtim.”

Udhëtimi pa viza mbetet ende një ëndërr

Problemet e vizave për kosovarët janë po aq të vjetra sa edhe vetë ky vend.

Përvec Kosovës, të gjitha vendet e tjera në rajon kanë negociuar me sukses regjimin e liberalizimit të vizave midis viteve 2009 dhe 2010.

Për Kosovën, megjithatë, e drejta për udhëtim të lirë në BE dhe në zonën Shengen ka mbetur një karrotë të cilën Brukseli vazhdon ta tundë përpara hundës së qeverisë së Prishtinës, thotë për Euronews analistja e shoqërisë civile Donika Emini.

“Çështja e vizave është një burim i frustrimit të jashtëzakonshëm,” thotë Donika.

“Hedhjani një sy vendet e rajonit – të gjitha ato performojnë njësoj si Kosova për sa i përket sundimit të ligjit dhe parametrave të tjerë. Megjithatë qytetarët e tyre kanë harruar se si është të aplikosh për vizë”.

Kosovës iu është premtuar privilegji i udhëtimit pa viza disa herë që nga viti 2008 – më së shumti në vitin 2014, pas zgjidhjes së një mosmarrëveshjeje kufitare me Malin e Zi.

Më herët në qershor, Këshilli i BE-së u tha se po shqyrton heqjen e pengesës ndërkohë që vendet perëndimore përpiqeshin ta rrisnin ndikimin e tyre në rajon, nga frika se Rusia mund ta shfrytëzonte vakumin në mes të luftës së saj në Ukrainë.

Megjithatë, liberalizimi i vizave – i dhënë vendeve më të reja kandidate, Moldavisë dhe Ukrainës, respektivisht në vitin 2014 dhe 2017 – mbeti edhe një herë një ëndërr e vërtetë për kosovarët.

“Edhe unë duhet të aplikoj për viza rregullisht, me gjithë faktin se kam një rezidencë në Mbretërinë e Bashkuar, e po ashtu edhe ata që kanë jetuar në BE për më shumë se pesë vjet si në Gjermani ashtu edhe në Francë – dhe cdo herë kur aplikoj për vizë , po aq herë ndjej frikën se mos më refuzojnë,” shpjegon ajo duke shtuar se kjo është bërë një çështje kaq e madhe në Kosovë, saqë njerëzit në mënyrë aktive kanë frikë se nuk do t’u jepet e drejta e lirisë së lëvizjes.

Loja e maces me miun

Me gjithë faktin se disa vende të BE-së i kanë bërë disa ndryshime dhe lehtësira për t’i evituar komplikimet e shumta sa i përket aplikimit për viza ka disa sosh të cilat madje as nuk i marrin në konsideratë kosovarët për udhëtim në territorin e tyre. Pavarësisht nga parimi që një vizë Shengen duhet t’u japë qasje të 26 vendeve të BE-së, Spanja ka përcaktuar që vizat nuk përfshijnë hyrjen në territorin e saj.

Si një vend mosnjohës ndaj Kosovës, Spanja nuk i konsideron dokumentet kosovare si të vlefshme, ku e vetmja mënyrë për qytetarët e saj për të vizituar vendin është duke marrë një kartë qëndrimi ose një dokument tjetër në një shtet tjetër anëtar të BE-së.

Spanja mbetet një nga mosnjohësit më të vendosur të pavarësisë së Kosovës, gjë që shumë besojnë se rrjedh nga frika e brendshme se rajonet me lëvizje të forta pro-pavarësisë, të tilla si Katalonja mund ta përdorin shembullin e Kosovës si justifikim për rastin e tyre.

Pasaporta e Kosovës më keqe se ajo e Bjellorusisë dhe Rusisë

Sipas instrumentit privat të renditjes së lirisë së udhëtimit, Henley Passport Index, Kosova ndan vendin e 90-të në listën e pasaportave më të forta në botë, së bashku me vendet si Çadi, Butani dhe Kamboxhia.

Qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë lirisht në rreth 53 vende nga gjithsej 193 sosh. Madje edhe disa vende që njihen si ndër më pak kufizueset në botë, si Mauritiusi apo Gjeorgjia, u kërkojnë kosovarëve të kenë vizë ose t’ua ndalojnë qasjen në territoret e tyre.

Në fakt, është teorikisht më e lehtë për shtetasit e Kosovës të udhëtojnë në destinacione të largëta ekzotike. Vizita në vendin fqinj ballkanik të Bosnjës – ku disa kosovarë kanë lidhje familjare ose biznesi – mund të jetë pothuajse e pamundur, pasi ky vend është ndër vendet që nuk e njeh Kosovën  dhe kërkon një vizë që është jashtëzakonisht e vështirë për t’u marrë.

Nga ana tjetër, kjo, së bashku me një standard të ulët jetese, i ka kufizuar kosovarët të udhëtojnë në vende si Shqipëria fqinje apo Turqia.

Vendi më i afërt evropian në Indeksin Henley është Bjellorusia në vendin e 65-të, pavarësisht se ky shtet i ish-Bashkimit Sovjetik dhe lideri i saj autokratik Alexander Lukashenko u goditën nga disa grupe sanksionesh të BE-së , prapë qytetarët e Bjellorusisë mund të hyjnë lirisht në 79 vende, përfshirë Ukrainën – diçka që është e pamundur për kosovarët pasi që Kievi nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

Ata me pasaporta ruse mund të gëzojnë udhëtime falas në 117 vende dhe territore që nga 1 korriku i vitit 2022, pavarësisht kufizimeve gjithnjë në rritje të vendosura kundër Rusisë për agresionin e tij të vazhdueshëm ushtarak kundër fqinjit të tij perëndimor, Ukrainës.

Për më tepër, qytetarët e shteteve me të dhëna të dyshimta për sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut, sic janë Venezuela apo Arabia Saudite, të gjitha kalojnë më mirë se qytetarët nga Kosova.

Në turmën para agjencisë  së lartcekur në Prishtinë, studenti 19-vjeçar Leonit Muja – i cili mezi kishte mbushur moshën për ta kujtuar shpalljen e pavarësisë së vendit të tij – ishte në mesin e atyre që me një pirg dokumentash në duart e tij.

Kohët e fundit ai kishte udhëtuar në zonën Shengen çdo dy muaj, por kurrë nuk qëndroi më shumë se një javë, tha Muja.

“Nuk mund ta kuptoj pse është aq e keqe t’i lejosh njerëzit të udhëtojnë për një ose dy javë në vendet e BE-së,” tha ai për Euronews.

“Është e padrejtë që ne jemi të vetmit në të gjithë Evropën që nuk mund të udhëtojmë lirshëm.”/Euronews