Targat dhe veriu, deputeti Berisha thirrje për koordinim qeveri-opozitë në gjetjen e një zgjidhjeje

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Bekë Berisha në një intervistë për KALLXO.com, ka folur rreth gjendjes së sigurisë në vend, zhvillimet në lidhje me situatën në veri të Kosovës pas mosarritjes së një marrëveshjeje mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave.

Berisha, i cili është edhe kryetar i Komisionit parlamentar për Çështjet e Sigurisë dhe Mbrojtjes, tha se takimi mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel të hënën, është dashur të përmbyllet me një marrëveshje.

Deputeti opozitar ka theksuar se qeveria dhe opozita duhet që së bashku të gjejnë zgjidhje për situatën.

Ai është shprehur rreth pozizionit aktual të Kosovës në raport me ndërkombëtarët.

“Frika jonë është se Serbia po del e dëgjueshme me bashkësinë ndërkombëtare kurse kjo pjesa jonë ka mbet diqysh e pa koordinuar, dhe po del kryeneçe në këto negociata” – tha Berisha.

Deputeti Berisha tha se do të donte që në këto negociata Kosova t’i bashkërendisë qëndrimet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Kjo i bie me qenë një mësim i mirë për kryeministrin se duhet me insistu me i bashkërenditë qëndrimet me ShBA-në dhe me ambasadorin e ShBA-së këtu” – u shpreh Berisha.

Gjatë intervistës Berisha tha se çka ka ndodhur në veri të vendit nuk është befasi, pasi sipas tij për shumë vite është insistuar që serbët t’i lëshojnë institucionet e Kosovës.

Ndërkaq tani që policët kanë zhveshur uniformat, gjyqtarët, prokurorët e punëtorët e KQZ-së i kanë lëshuar vendet e tyre të punës, Berisha këtë e sheh si shqetësuese.

Deputeti i AAK-së, vlerëson se ndikimi i politikës së Beogradit, ndikimi i formacioneve ruse në Serbi kanë për qëllim tensionimin e situatës në këtë pjesë “në mënyrë që të përhapet lufta edhe në Ballkan”.

“Çdo tensionim, çdo shkëndijë lufte në këtë pjesë nuk shkon në favor të Kosovës është në favor të Rusisë, të Serbisë të armiqve tonë” – shpreh Berisha.

Berisha shtoi se të gjithë po insistojnë për një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse, por sipas tij pozita është nxënë peng me çështjen e targave.

“Situata në terren sepse kam qenë në veri është shumë e tensionuar. Duhet me kanë ma pragmatik, më praktik, më të sinqertë të dy palët edhe me hy ka zgjidhja e problemit jo ka tensionimi” – tha Berisha duke shtuar se Kosova është e gatshme për çdo situatë duke shpresuar që mos të ketë tensione.

“Në situatën qysh është tani aty mund të ndodh gjithçka ua rikujtoj rastin Panda në Pejë ku Shërbimi Sekret Serb i ka vra disa të rijnë për t’i fajësuar shqiptarët. Këto skena ata dinë me i përgatitë dhe dinë me i bo. E sidomos tani ku ndikimi rus në Serbi dhe atë pjesë shihet” – theksoi Berisha.

Deputeti ka folur edhe për mundësinë e rikthimit të serbëve nëpër institucione nëse arrihet ndonjë marrëveshje mes dy vendeve.

“Modalitetet duhet me partnerët ndërkombëtarë e me ndërmjetësit me i sqaru këto situata edhe në situata të tilla gjinden zgjidhje edhe të tjera” – u shpreh Berisha.

Deputeti i AAK-së ka shprehur gatishmërinë e subjektit të tij për ta diskutuar me shumicën këtë situatë.

“Ju kisha thirr të gjithë pozitën, e Qeverinë e Kosovës të ulemi gjithë së bashku dhe ta gjejmë një zgjidhje për këtë situatë” – theksoi Berisha duke përmendur edhe rezolutën katër-pikëshe të AAK-së.

AAK-ja ka kërkuar që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj.

Me kërkesë të SHBA-së, Qeveria e Kosovës ka shtyrë për 48 orë fillimin e zbatimit të fazës së dytë për targat – gjobitjen e vozitësve serbë që bartin targa ilegale në automjetete e tyre.

Zhvillimet pasuan situatën pasi Kosova dhe Serbia të hënën në Bruksel nuk arritën marrëveshje për këtë çështje.

BE kritikoi palën kosovare për moskonstruktivitet, ndërsa pala kosovare tha që BE hoqi dorë nga propozimi për normalizim të marrëdhënieve.

Tani Kosova është në 48-orëshin që ia premtoi SHBA-ve dhe ende mbetet paqartë se kur ose nëse do të fillojë faza e shpërndarjes së gjobave për drejtuesit e automjeteve me targa ilegale.