Ramush Haradinaj në konferencë për media/ Foto: KALLXO.com

Zgjedhjet në 4 komunat në veri, AAK me 4 pika për të dalë nga situata

Partia e Ramush Haradinajt ka propozuar një plan me katër pika për të dal nga situata e krijuar në katër komunat e veriut të vendit.

Sot gjatë ditës, Presidentja ka ftuar në takim partitë politike për t’u konsultuar rreth datës për zgjedhjet në katër komunat e veriut, Mitrovica e Veriut, Zubin Potok, Zveqan dhe Leposaviq, kryetarët e të cilave dhanë dorëheqje ditë më parë.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka kërkuar që vendimi për targat të shtyhet për 10 muaj, ashtu siç kërkuan nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Përveç kësaj, AAK kërkoi që të nis një dialog mes institucioneve të vendit dhe serbëve lokal për tu kthyer në institucione. Ndërsa, përsëritën idenë e një samiti disa ditorë në ShBA për të gjetë rrugëdalje drejtë ujdisë përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë.

Ky është njoftimi i plotë i AAK-së:

AAK ka dalë më një propozim prej 4 pikash, për të rikthyer situatën në normalitet, jo vetëm në veri, por në gjithë Kosovën, e të cilat janë:

Qeveria e Republikës së Kosovës të marrë vendim menjëherë për shtyrje të vendimit për targa deri në marrëveshje finale.

Institucionet e Kosovës: Presidenca, Kuvendi, Qeveria e Republikës së Kosovës, institucionet në të gjitha nivelet, të fillojnë dialogun intensiv me serbët e Kosovës për t’u kthyer në insitucionet e Kosovës dhe për të kthyer besimin e ndërsjellë.

Qeveria të nisë komunikim intensiv me faktorët më relevantë në vend, duke përfshirë edhe opozitën, jo vetëm si reflektim i gjendjes së krijuar por edhe si nevojë e gjetjes së rrugëdaljes nga situata e krijuar.

Të kërkohet një Samit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (takim disaditor), deri në përmbylljen e marrëveshjes finale për njohje reciproke Kosovë-Serbi.

Për këtë qëllim e kemi thirrur në interpelancë edhe kryeministrin e vendit.

Dhe derisa nuk do të ketë një reflektim për këto kërkesa, ne nuk do të jemi pjesë e nismave, që veç sa e komplikojnë edhe më tej situatën në vend.

Caktimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe, Osmani sot konsulton partitë