Burim Dërmaku. Foto: KALLXO.com

Burim Dërmaku: Në vend të fjalës së huaj, fol shqip

Burim Dërmaku ka doktoruar për Lidership (udhëheqje) në Universitetin Shtetëror të Sofjes në Bullgari (University of Library Studies and Information Technologies, në programin e gjuhës angleze). Dërmaku është doktori i parë në Kosovë dhe Shqipëri për Leadership.

Përvojat e tij në fushën  e udhëheqjes i ka pasqyruar në dy librat që ka botuar, “Kreditë jo performuese” (2020) dhe “Lidership” (2021). Libra janë botuar dhe shpërndarë me mbështetje të “Lambert Academic” në Gjermani.

Librat e tij tani, të përkthyre në gjuhët kryesore botërore, gjende në krye të platformave të tregjet më të mëdha botërore: Amazon, MoreBooks, Hachette, Barnes &Noble, Lightning Source, Ingram, Baker&Taylor, Matthews Medical, NACSCORP, Bertrams.

Dërmaku është ndër autorët e rrallë librat e të cilit janë përfshirë në platformat e njohura botërore të shitjes online.

Por, interesimet e tij i kalojnë ato profesional. Muajin e kaluar ai ka botuar librin- fjalorin shpjegues, “Në vend të fjalës së huaj FOL SHQIP”.

Në këtë intervistë për KALLXO.com Dërmaku flet për suksesin e librave të tij dhe kontaktet me “Lambert Academic”, fjalorin “Në vend të fjalës së huaj FOL SHQIP”, e çështje tjera që kanë të bëjnë me punën dhe interesimet e  tija shkencore?

Dashamirësi i shqipes

KALLXO.com: Hartimi i fjalorëve është punë e gjuhëtarëve, konkretisht institucioneve shkencore, çfarë ju shtyu të botoni librin, “Në vend të fjalës së huaj FOL SHQIP”?

Burim Dërmaku: Sa për sqarim për të gjithë, këto fjalë nuk i kam zbuluar unë dhe as nuk i kam sjell unë, sepse për to është shkruar dhe folur edhe para 400 vjetëve që nga Frang Bardhi e deri tek Xhuvani e më pas. Derisa rilindësit tanë, e kanë paguar me jetën e tyre, çdo ecje përpara, ne me lekë, euro dhe dollarë, po e blejmë zhdukjen e gjuhës dhe kulturës sonë.

Unë në fillim i kam përmbledh (fjalët) me dëshirën, që t’i kuptoj për vete, por përdorimi i fjalëve të huaja, me kalimin e viteve erdhi duke u rritur aq shumë, sa që arritën me ngulfatë gjuhën shqipe dhe tani u pjekën edhe kushtet, dhe me shkollimin e nevojshëm shkencorë dhe profesional timin, mendova që sadopak ta jap një kontribut qytetar për të mirën e gjuhës shqipe.

Gjithmonë, pa prekur në leksik dhe në etimologji, por vetëm në fjalët e huaja që janë të njohura shkencërisht, për prejardhjen (origjinën) e tyre dhe nuk jam bazuar në fjalët popullore, por vetëm në ato shkencore. Pasi edhe ashtu jam doktor shkence për udhëheqje, në drejtimin shkencor dhe jo profesional, në Universitetin e Teknologjisë Informative dhe Informacionit dhe mund të them se jam njohës për marrjen e informacioneve dhe kam përvojën mbi 20 vjeçare në udhëheqje dhe në realizimin e shumë hulumtimeve apo siç po e quajnë – projekteve (vlerësimeve ose parashikimeve) vendore dhe ndërkombëtare dhe tani e kam edhe titullin shkencor për këtë.


Fjalori ‘Në vend të fjalës së huaj, FOL SHQIP’

KALLXO.com: Në këtë fjalor (doracak) shpjegues keni përfshirë 2,000 fjalë. Sa kohë ju ka marrë përgatitja e këtij libri?

Burim Dërmaku: Unë merrem më mbledhjen e fjalëve më shumë se 20 vjet, saktësisht 22 vjet. Ende i ruaj edhe shënimet në letrat e vjetra, që i ngjajnë ndonjë testamenti dhe për secilën fjalë kam hulumtuar veç e veç. Çka ia vlen të veçohet është se gati secila fjalë e ka prejardhjen e vet që është e njohur edhe shkencërisht. Nuk jam thelluar në hetim, por vetëm ato që janë punë e kryer, pra të njohura shkencërisht, sepse nëse e hulumton vetëm një fjalë thellësisht, do të gjeni material sa për një temë të doktoratës. Qëllimi im është thirrja: “Në vend të fjalës së huaj, FOL SHQIP”, apo “Me fol gjuhën shqipe”, dhe pastrimin e gjuhës shqipe nga këto fjalë të huaja, apo huazime, që janë rrotull dhe po përdoren me të madhe.

KALLXO.com: Si e keni bërë përzgjedhjen e fjalëve të përfshira në këtë fjalor?

Burim Dërmaku: Përzgjedhja është vetëm për fjalët e vërtetuara shkencërisht, nga hulumtime të thella dhe të njohura edhe zyrtarisht, në gjithë botën, për prejardhjen e tyre.

Fjalët i kam mbledhur për çdo ditë, duke i hasur gjatë komunikimeve të përditshme. Disa prej tyre janë përdorur para shumë viteve, por ka edhe huazime të reja që kanë ardhur dhe po përdoren për çdo ditë.

Për më se 20 vjet kam që i përmbledh duke gjetur edhe kuptimin e saktë të tyre, duke lexuar, apo ku i kam hasur duke përfshirë edhe emisionet të ndryshme, lajme, etj.

KALLXO.com: Cilat janë dëmet, të themi ashtu, që shkakton përdorimi i këtyre fjalëve, sidomos në komunikimet publike dhe në administratë?

Burim Dërmaku: Dëmet mund të jenë të pariparueshme, nëse vonohemi shumë dhe nuk ndërmerret diçka edhe në mënyrë institucionale dhe ligjore, për parandalimin e tyre, pasi po përdoren shumë fjalët e huaja edhe në shkrime, në shkresa dhe raporte zyrtare publike dhe administrative (udhëheqëse), sidomos në gazetari dhe në mjete të informimit.

Botimi pa leje të autorit

KALLXO.com: Libri është botuar pak kohë më parë dhe përveç librarive, shitja e tij po ofrohet edhe online. Si është pritur nga lexuesit?

Burim Dërmaku: Libri është pritur jashtëzakonisht mirë nga lexuesit, ka shumë kërkesa dhe gjendet në të gjitha librarit kryesore të Kosovës dhe jashtë Kosovës, (në Zvicër). Por shitet edhe online (apo në mënyrë aktive përmes internetit), porosia mund të bëhet në Kosovë dhe po ashtu dërgohet edhe në të gjithë botën përmes postës, përmes librarive kryesore që janë në Kosovë.

Është doracak që ia vlen ta keni të gjithë në xhep, apo në shtëpinë tuaja, sepse është fjalor që mund të përfitoni shumë dije. Përveç që i mësoni fjalët e huaja dhe huazimet, mund edhe të filloni t’i zëvendësoni me fjalët shqipe. Ka edhe fjalë të përdorshme shqipe, që ja vlen shumë të mësoni kuptimin e saktë të tyre.

KALLXO.com: Botime të tilla zakonisht janë pre e plagjiatorëve. A keni vërejtur ndonjë rast të botimit dhe shitjes së librit pa lejen tuaj dhe të botuesit?

Burim Dërmaku: Po kemi vërejtur disa faqe që shesin libra përmes internetit, e kanë hedhur në shitje dhe do të marrim masat e nevojshme, së bashku me shtëpinë botuese dhe librarinë ‘Artini’ dhe nëse ka keqpërdorime do të parandalojmë, sepse nuk i bëjnë mirë jo vetëm librit, por edhe tematikës që e ka libri, doracaku apo fjalori, për të mirën e gjuhës shqipe dhe pastrimin e saj.

Burim Dërmaku. Foto: KALLXO.comBotimet profesionale

KALLXO.com: Duke u larguar pak nga fjalori, po ndalemi tek sukseset tjera në karrierën tuaj, konkretisht tek dy botimet në fushën profesionale. Çfarë përmbajnë librat: “Lidershipi” dhe “Kreditë jo performuese”?

Burim Dërmaku: Libri i ‘Lidershipit’ përveç që i përfshinë të gjitha informacionet për Lidership, për stilet (mënyrat) e lidershipit, me të veçantë e bën edhe hulumtimi shkencor që i kam bashkangjitur dhe ai hulumtim është bëre në Korporatat e Kosovës ‘Ndikimi i stileve të lidershipit në motivimin e punonjësve të korporatave’. (Mbledhja e të dhënave kërkimore është primare, e kryer përmes një pyetësori të strukturuar, me një madhësi të mostrës prej 391 të anketuarve).

Libri i parë për “Kreditë jo performuese” ose kreditë e humbura (janë quajtur edhe kredi të këqija më herët) është shumë interesant, sepse është bërë hulumtim nga viti 2007 – 2019, pra 13 vjet (me të dhënat nga Banka Qendrore e Kosovës dhe nga Enti i Statistikave të Kosovës, Banka Botërore etj.) dhe hulumtimi dhe krahasimi është bërë për gjithë rajonin tonë dhe ky ka rezultat shumë të rëndësishëm, sepse përkundër që në Kosovë kemi interesin me të lartë bankar në rajon, kreditë e humbura (jo performuese) janë më të ulëtat në rajon edhe pse kushtet e jetesës dhe gjendje ekonomike janë më të ulëtat në rajon, ne prapë se prapë kreditë i paguajmë më së miri në rajon edhe pse siç e thash më herët norma e interesit është me e larta në Kosovë dhe këtu ja vlen të thellohet hulumtimi më shumë dhe me vërtetuar se pse në Kosovë edhe pse kushtet e jetesës janë më të ulëtat, kreditë bankare i paguajnë më së miri në rajon. Hulumtimi shkencor na jep saktësisht rezultatin dhe ja vlen besoj edhe kjo të dihet dhe hulumtimet shkencore janë kështu dhe na qesin në pah gjëra interesante.

Ballina e librit ‘Leadership’. Foto: KALLXO.com

KALLXO.com: Në sa gjuhë janë përkthyer librat tuaj dhe në cilat vende ka interesim më shumë, për këto libra?

Burim Dërmaku: Librat janë përkthyer në të gjitha gjuhët kryesore të botës, në 8 gjuhë dhe ka interesime edhe ne gjuhet tjera dhe vazhdimisht mund të rritet numri i përkthimeve në të ardhmen. Interesimi për momentin është në Evropë dhe Amerikë, apo nga anglishtfolësit, pasi librat e mijë rezultatin më të madh e kanë në gjuhen gjermane, angleze, italiane, frënge dhe spanjolle.

KALLXO.com: Ndoshta do të ishte me interes të dimë se si depërtuat në Spanjë dhe të botoni librat edhe në gjuhën spanjolle. Si është pritur libri nga spanjishtfolësit, sepse konsiderohet se ka një numër shumë të madh të tyre?

Burim Dërmaku: Ja vlen të veçoj se, edhe pse e kam shënuar te fjalët kyçe: Kosova (ang. Kosovo), pra aty ku hyn së pari për ta parë librin, nuk i ka penguar aspak Spanjës dhe e ka përkthye pa asnjë problem, duke iu ofruar të gjithë spanjishtfolësve nëpër gjithë botën.

Libri është prit mirë nga spanjishtfolësit dhe gjendet, përveç Spanjës edhe në Amerikën Latine, ku përveç Brazilit që e flet portugalishten (libri është përkthyer edhe në gjuhën portugeze), pjesa tjetër e flet spanjishtën.

Lideri i platformave

KALLXO.com: Në bazë të të dhënave që ofrohen nga platforma online e shitjes së librave MoreBooks, libri “Leadership”, sidomos libri i parë për “Kreditë jo performuese”, rangohet ndër librat më të kërkuara dhe më të shpërndarë. Si e arritët këtë?

Burim Dërmaku: Këtë pyetje ia kanë shtruar edhe shumë profesor vendor dhe ndërkombëtar “Si e arritët këtë”? dhe përgjigjja ime ka qenë e thjeshtë: shkruani ose hulumtoni diçka që nuk e ka realizuar (bërë) dikush tjetër më parë, ose që e kanë realizuar shumë pak atë në të kaluarën.

Kjo është më interesante për tregun ndërkombëtarë dhe është më tërheqëse dhe ka më shumë kërkesa për lexim dhe mund të them që është grep për lexuesit.

Libri i ‘Lidershipit’ (udhëheqje) ende pa i mbushur 4 muaj në treg, ka arritur të fitoj 3 vendet e para në tregun ndër më të mëdhenjtë botëror MoreBooks që ka mbi 2,5 milion libra, pra 3 vendet e para janë për mua, vendi i parë është nga libri im në gjuhën angleze, vendi i dytë është nga libri im në gjuhen italiane dhe vendi i 3 është nga libri në frëngjisht dhe tani vijnë librat tjerë që janë mbi 400 faqe dhe që janë mbi 6 mijë libra nga të gjithë autoret botërorë që kanë shkruar për Lidership (Udhëheqje) dhe që janë në treg disa edhe mbi 10 dhe 15 vite e më shumë.

Për librin që dëshiroj të jap lajmin e madh dhe të bujshëm, është libri i im të parë “Për kreditë jo performuese apo kreditë e humbura” (Janë quajtur edhe “Kreditë e Këqija” më herët)”, në gjuhen gjermane, ka hyrë në Bestseller (më i shitur dhe shpërndarë), për vetëm 6 muaj, në tregun ndër me të mëdhenjtë botëror MoreBooks, me mbi 2.5 milionë libra shkencorë etj. dhe më kanë njoftuar edhe nga Akademia Lambert që libri në gjuhen gjermane po ecë me hapa shumë të mëdhenj duke lënë mbrapa edhe shkrimtaret dhe shkencëtaret  që janë në treg edhe para 20 vite më parë, edhe më shumë… dhe më udhëzuan që për të shikuar arritjen të kërkoj në “Bestseller auf Deutsch” (më të shiturat dhe më të shpërndarat në Gjermanisht), pra janë mbi 3,500 faqe (me mbi 56 mijë libra) për momentin dhe libri im ka arritur, apo është për momentin në faqen 91, pra ka arrit sukses të jashtëzakonshëm për vetëm 6 muaj në treg, në gjuhen gjermane dhe kjo renditje ka lëvizje vazhdimisht, varësisht prej shitjes dhe shpërndarjes.

KALLXO.com: Brenda një viti keni botuar tre libra, dy prej tyre të përkthyer në shumë gjuhë të huaja dhe botuar nga Akademia “Lambert Academic” me fondacionin në Gjermani. Tani së fundi keni botuar edhe librin “Në vend të fjalës së huaj FOL SHQIP”. Si i arritët t’i realizoni të gjitha këto brenda një viti?

Burim Dërmaku: Me punë, përkushtim dhe vullnet të madh dhe përveç këtyre gjatë kësaj kohe kam përfunduar edhe doktoratën për Lidership dhe kam kryer shumë punime shkencore, por ja vlen të tregoj dhe të informoj popullin tim dhe të gjithë që dëshirojnë me pas më shumë energji etj etj., duhet të meditoni! Meditim Transcendental!

Nëse më lejoni pak fjalë për këtë: Falënderoj mësuesin tim të certifikuar ndërkombëtarisht Justin Goçi për mësimin e Meditimit Transcendental dhe i jam mirënjohës përjetësisht, sepse nga ajo kohë, te unë ka ndryshuar gjithçka dhe këtë e dinë familja ime dhe rrethi im shoqëror, sepse i kam udhëzuar të gjithë që të meditojnë sepse te unë ka pas shumë frytshmëri.

Për ata që nuk e dinë Meditimi Trancendental është shumë i thjeshtë për ta bërë, vetëm 20 minuta paradite dhe 20 minuta pasdite dhe nuk kërkon ndryshim në stilin e jetesës, apo fesë (religjionit) dhe përmendet edhe në të gjitha librat e shenjtë fetarë dhe e kanë përdorë mendimtarët më të mëdhenj, profetët, revolucionarët e mëdhenj, njerëzit dhe biznesmenët më të suksesshëm, sportistët, shkencëtarët, shkrimtarët, aktorët, këngëtarët më të njohur, burrështetasit (amerikan dhe të tjerë botëror), etj.,etj. Me miliona njerëz e përdorin në mbarë botën.

KALLXO.com: Sa libra gjithsej keni ju për momentin, në tregun ndër me të mëdhenjtë ndërkombëtarë MoreBooks, dhe sa libra ka gjithsej ky treg?

Burim Dërmaku: “MoreBooks” konsiderohet ndër tregjet më të mëdha botërore dhe ka mbi 2.5 milionë libra dhe unë kam për momentin 2 libra, por të përkthyer në shumë gjuhë dhe për secilën gjuhë është shtëpia botuese e ndryshme (në shtete të ndryshme) dhe tani në këtë treg kam gjithsej 23 libra.

KALLXO.com: Cilat janë projektet tuaja të radhës?

Burim Dërmaku: Përveç doracakut që do të ribotohet vazhdimisht me fjalët më të reja që po vijnë me të madhe, për çdo ditë – me qëllimin mbrojtën dhe pastrimin e gjuhës shqipe edhe tre libra tjerë jam duke i shkruar tani për tani (kam shumë ide dhe mund të rritet numri i librave ndërkohë, sepse kam energji të jashtëzakonshme) dhe do të punojë që të dalin sa më shpejtë në tregun ndërkombëtar (brenda këtij viti) dhe qëllimi, apo synimi im në të ardhmen do të jetë edhe bashkëpunimi me New York Times (Big New York publishing housese – Shtëpitë botuese më të mëdha në New York) dhe realizimi i Bestsellerit me New York Times (Libri më i shitur dhe më i shpërndarë), (por sipas informatave, në këto shtëpi botuese nga 1 mijë kërkesa apo aplikime, 1 kalon për botim, është pak e vështirë, por nuk është e pamundur).

Të gjitha do të jenë libra tërheqës dhe që është folur pak, ose aspak për to në botë – Njëri do të jetë për Lidership (i fushës sime, pra më profesional), 1 për meditim, pra se si me ka ndihmuar mua meditimi etj., dhe do ta falënderoj aty edhe mësuesin tim të certifikuar ndërkombëtarisht z. Justin Goçi, që më ka mësuar Meditimin Transcendental dhe që i jam shumë mirënjohës –  përjetësisht dhe tjetri libër është diçka që krejt bota bisedojnë se si me arrit dhe me dal sa më mirë në atë fushë, por askush gati nuk shkruan për të kundërtën e saj (nuk mund ta zbuloj këtë  ide, do të jetë befasi, por do ta shihni në tregjet ndërkombëtare) dhe unë kam dëshirë t’i preku çështjet e tilla dhe përveç kësaj edhe të gjitha librat do të kenë të bashkangjitura edhe hulumtimet shkencore dhe kjo është edhe e veçanta e tyre, sepse gati askush në botë nuk i bashkëngjit (nuk kryen), ose janë të paktë ata, sepse hulumtimet shkencore janë shumë të mundimshme dhe të kushtueshme dhe marrin kohë, por librat e mi do të kompletohen edhe me hulumtime shkencore dhe kjo është e veçanta e tyre.